Rreziku i projektit “TID” në Durrës, 76 familje pasiguri me fadromat mbi kokë

Në buzën fundore të Amfiteatrit të Durrësit po zhvillohet një dramë e re. Qytetarë në përpjekje për të shpëtuar strehën mbi kokë dhe frikë e vazhdueshme, që pas dekadash si banorë autoktonë të qendrës historike të qytetit, do të përfundojnë me shpërblim që vlen pak, ose të degdisur në banesa sociale në Porto Romano apo Spitallë.

Janë 76 objekte banimi dhe biznese të vogla që pritet të shkatërrohen në fazën e parë të “projektit TID” në Durrës, i reklamuar si nismë për rijetëzim të zonave historike.

“Ne jemi pronarë. Duam nga shteti o të na japë hyrje, ose të na japë lekë dhe ta blejmë vetë shtëpinë, ose nuk dal fare nga shtëpia, të rri brenda e të më zenë përfund. Mezi e kam bërë shtëpinë, kam 70 vite që jetoj këtu”, thotë 86-vjeçarja Sofie Simaku.

“Ne jemi pronarë. Duam nga shteti o të na japë hyrje, ose të na japë lekë dhe ta blejmë vetë shtëpinë, ose nuk dal fare nga shtëpia, të rri brenda e të më zenë përfund. Mezi e kam bërë shtëpinë, kam 70 vite që jetoj këtu”, thotë 86-vjeçarja Sofie Simaku për Faktoje.al.

Me fizikun e mpakur, por mendjen e kthjellët, në pak minuta Simaku bën historikun shtatë dekadësh të banesës së saj, e cila lidhet ngushtësisht me Amfiteatrin shekullor antik, historia e së cilës ka njohur luftëra, shkatërrime, tërmete të fuqishme, zjarre dhe rindërtime.

Ngjashëm me të edhe banorët e tjerë ngrenë të njëjtën shqetësim: Mosvlerësimin real me vlerën e tregut të objekteve të tyre.

Kohë për “kushtet e dorëzimit”

Vizita e beftë e kryeministrit Edi Rama në Durrës më 14 shkurt të këtij viti, në takimin e tensionuar me qytetarë që u prishen banesat nga “projekti i zhvillimit TID”, ngjan si paqe e përkohshme për të negociuar “kushtet e dorëzimit”.

“…Na kanë lënë të qetë këto ditë, ndoshta e shtyjnë pak në kohë. Kemi folur plot, por tani nuk duam të reagojmë, se po e ngacmove atë (i referohet kryeministrit), të sjell fadroma e polici në mes të natës, po presim. Deri tani po na trajtojnë si skllevër pa të drejta”, thotë një i ri që ka shumë ç’të humbë; shtëpi tre katëshe dhe një njësi shërbimi.

“Sa i përket problemit të vërtetë, ramë dakord se si do të ecim para qoftë me verifikimin e nevojshëm për disa objekte që mund të kenë vlera të trashëgimisë kulturore. Prishje do të ketë, projekti nuk do të ndalet, por duhet një verifikim për disa shtëpi që mund të kenë vlerë kulturore. Janë edhe disa prona që nuk kanë marrë hipotekë edhe pse janë atje prej kohësh”, tha Rama pas takimit me një përfaqësi të banorëve.

Vlerësim pa vlerë reale

Banorët që preken nga ky projekt janë thuajse të gjithë të ndërgjegjshëm se nga momenti në moment fadroma të IKMT-së të shoqëruar me policë bashkiakë dhe ata të rendit do u mbërrijnë “pa ftuar”, por ajo që kërkojnë në kushte të tilla është vlerësimi i pronës sipas vlerës reale të tregut.

“Duam të rishihet projekti, pastaj të vendoset. Ose ta gjejnë një zgjidhje. Të na gjejnë një sistemim pastaj të prishin shtëpinë. Kështu nuk e lejoj. Do e mbroj me gjak, sepse me gjak e kam ngritur. 188 metra katrorë ma kanë vlerësuar 103 milionë lekë. Edhe shtëpinë ku jam lindur e rritur (shënim: ngjitur me banesën e re), nuk ma kanë vlerësuar fare”, thotë Isuf Idrizi.

“Duam të rishihet projekti, pastaj të vendoset. Ose ta gjejnë një zgjidhje. Të na gjejnë një sistemim pastaj të prishin shtëpinë. Kështu nuk e lejoj. Do e mbroj me gjak, sepse me gjak e kam ngritur. 188 metra katrorë ma kanë vlerësuar 103 milionë lekë. Edhe shtëpinë ku jam lindur e rritur (shënim: ngjitur me banesën e re), nuk ma kanë vlerësuar fare”, thotë Isuf Idrizi.

Çmimet

Qeveria nuk ka miratuar ende çmimet e reja të referencës për bregdetin dhe zonat e tjera të Shqipërisë, jashtë Tiranës, duke lene në fuqi referencat e vjetra, që janë bërë në që në vitin 2018. Ky veprim penalizon edhe pronarët e banesave në fjalë.

“Jemi ende në diskutim sa i përket çmimeve të reja të referencës për zonat jashtë Tiranës, për shkak se pas kontrolleve të fundit nga autoritetet tatimore në zyrat imobiliare janë evidentuar diferenca mes çmimeve të regjistruara pranë ASHK-së dhe atyre që rezultojnë në sistemet e këtyre zyrave imobilare”, argumentoi pak kohë më parë ministri i Financave, Petrit Malaj, mbi arsyet e shtyrjes se referencave të reja jashtë Tirane.

Durrësi

Në të gjithë zonën që është qendra e Durrësit vlerësimi për metër katror i banesave është në shifrat 70-90 mijë lekë të reja, pa u llogaritur truallin. Në atë zonë përqark, vlerat e një metri katror apartamenti varion nga 2500-3000 euro.

“Duhet të kuptojmë që një banor që humbet banesën e tij dhe merr dëmshpërblim rreth 50 mijë euro, në zonën ku jeton, jo më për të marrë një banesë me truall privat, por vetëm një apartament duhet duhet të ketë të paktën 250-300 mijë euro. Është një disbalancë totale. Ku ai që humbet pronën pikërisht në zonën historike dhe është një banor që ka dekada që jeton aty, automatikisht kthehet në një të huaj për qytetin dhe nuk ka më mundësi të strehohet as në fshatrat periferike me këto lloj vlere që ata marrin pas nga ky proces”. Kështu thotë për Faktoje. al, gazetari dhe aktivisti, drejtues i medias Amfora.al, Geri Emiri.

Fadromë mbi “trashëgiminë kulturore”?

Mbi murin 600-vjeçar, të ndërtuar në kohën e Perandorisë Osmane dhe vijuar me ndërtime të tjera si magazinë nga Austro-Hungarezët dhe Italianët, ndodhet edhe banesa e 72-vjeçarit Isuf Mehmeti.

Share it :