Malaj: Krimi i ndërthurur frikshëm me qeverinë!
Ish-ministri socalist i Financave Arben Malaj, ka ngritur shqetësime të forta për mënyrën se si po trajtohet lufta kundër korrupsionit dhe ndikimi i krimit në politikë dhe ekonomi.
I ftuar në “Off the Record” në A2 CNN, Malaj tha se qëndrimet e ndryshme të politikës ndaj luftës kundër korrupsionit krijojnë dy standarde dhe dëmtojnë demokracinë.
Sipas tij Shqipëria rrezikon një ngadalësim të konsiderueshëm në procesin e integrimit europian për shkak të mënyrës se si po trajtohet reforma në drejtësi.
“Në qoftë se i njëjti lider ka një qëndrim ndryshe ndaj luftës kundër korrupsionit deri në dorëzimin vullnetar të imuniteteve dhe kur vjen në pozitë mban një qëndrim tjetër, atëherë është i njëjti person, por me dy sjellje shumë të ndryshme në raport me demokracinë. Reformën nuk e bëri vetëm Partia Socialiste, por e bënë 140 deputetë të detyruar nga faktori ndërkombëtar, pasi mafia shqiptare e lidhur me shtetin shqiptar ishte bërë kërcënim rajonal. Ndërthurja e krimit me politikën është në nivele të frikshme dhe duhet ta pranojmë dhe duhet ta luftojmë. Biznesi me paratë kriminale po bën politikë.”,- u shpreh Malaj ndër të tjera.






