Bardhi paralajmëron: Gjykata e Lartë po kryen puç kushtetues për të minuar punën e SPAK

Bardhi paralajmëron: Gjykata e Lartë po kryen puç kushtetues për të minuar punën e SPAK

Kreu i Grupit parlamentar të PD-së denoncoi atë që e quajti ‘puç kushtetues’ për të minuar punën e SPAK, nismën e Kryetarit të Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi për të riparë vendimin unifikues të vitit 2011 mbi masën e sigurimit të arrestit në burg dhe kohëzgjatjen e saj.

Për Bardhin kemi të bëjmë me një urdhër të dukshëm politik që rrezikon përmes paracaktimit të standarteve sipas interesit politik të Edi Ramës, lirimin e të gjithë personave të korruptuar, apo të krimit të organizuar që ndodhen sot në burg.

Bardhi akuzoi Ramën se po përdor Gjykatën e Lartë për të zhbërë praktikën 15-vjeçare dhe i bëri thirrje kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe anëtarëve të saj të mos përdoren politikisht duke u bërë pjesë e skenarit për të minuar punën e Prokurorisë së Posaçme dhe gjykatave të posaçme.

Dhe meqënëse jemi te masat e sigurimit, dua të denoncoj edhe veprimin më të fundit të kryer nga Gjykata e Lartë, e cila dukshëm, e urdhëruar politikisht, po kryen një puç kushtetues për të minuar punën e Prokurorisë së Posaçme, përmes ndryshimit të standarteve të arrestit me burg.

Duke rrezikuar, përmes paracaktimit të standarteve sipas interesit politik të Edi Ramës, lirimin e të gjithë personave të korruptuar, apo të krimit të organizuar që ndodhen sot në burg.

Dje me një vendim personal të kryetarit të Gjykatës së Lartë, është futur në procedurë rishqyrtimi dhe që do të shqyrtohet në datën 9 prill 2026, një vendim për t’u ndryshuar, një vendim unifikues, njëësues i Gjykatës së Lartë që cakton standartet, apo unifikon standartet se kur prokuroria dhe gjykata kërkojnë apo vendosin masën e sigurimit arrest me burg. Dhe kjo është një lëvizje tërësisht politike, e diktuar politikisht, për t’i hapur rrugë minimit të punës së Prokurorisë së Posaçme, por mbi të gjitha nxjerrjes nga burgu të çdo të korruptuari të Edi Ramës që ndodhet sot në burg.

Prandaj dhe unë dua t’i bëj thirrje kryetarit të Gjykatës së Lartë, por dhe anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të nderuar gjyqtarë, mos u përdorni politikisht. Mos u bëni pjesë e skenarit për të minuar punën e Prokurorisë së Posaçme dhe gjykatave të posaçme. Mos u përdorni politikisht për t’i dhënë zemër korrupsionit në këtë vend.

Korrupsioni ka mbajtur peng Shqipërinë për 35 vite. Dhe në momentin kur shikojmë që ka një punë të mirë të organeve të drejtësisë, në rastin konkret Prokurorisë së Posaçme apo Gjykatës së Posaçme, ju po bëheni pjesë e një plani të parapërgatitur politik, me në krye Edi Ramën, për të minuar luftën ndaj korrupsionit. Qëndroni në lartësinë e detyrës kushtetuese dhe mos u përdorni politikisht”
I pyetur lidhur me përjashtimin nga kuvendi, Bardhi tha se nuk do të jetë në seancë por me demokratët në protestën e thirrur para Kuvendit më 12 mars.

Unë nuk e kam komentuar fare vendimin politik për përjashtimin e dy deputetëve të opozitës që reagojnë ndaj një thyere të rëndë, fyerjes më të rëndë që është kryer në atë sallë parlamenti, ndaj një zonje kryefamiljare që rrit e vetme dy vajzat e saj. Dhe e kam bërë të qartë edhe në mbledhjen e sekretariatit që sa herë dikush do të guxojë të thyejë një zonjë në atë sallë, patjetër që do të ketë reagimin tonë. Përjashtimi i atyre që reagojnë, ndërkohë që shkaku do të vazhdojë të jetë në seancë plenare se nuk u përjashtua, absolutisht tregon për një vendim politik për të penguar mua si relator i kësaj çështje nga ana e opozitës për të prezantuar raportin e opozitës në seancë plenare. Nuk ka asnjë shqetësim. sepse opozita ka mjaftueshëm anëtarë në Këshillin e Mandateve për të prezantuar raportin. Personalisht, bashkë me zotin Balliu, do të jemi në pamundësi për të qenë në seancë për shkak të këtij vendimi politik. Do të jemi me qytetarët përpara Kuvendit të Shqipërisë. Sa i takon skenareve të protestës, kjo është një çështje që do të duhet të pyesni strukturat e organizimit të partisë. Si kryetar i grupit parlamentar, jam sot për të komunikuar mbi çështjet që lidhen me funksionimin e grupit parlamentar.

Share it :