Trondit aktori Mehdi Malka: Kryeministri s’më jep pensionin e veçantë për inat

Trondit aktori Mehdi Malka: Kryeministri s’më jep pensionin e veçantë për inat

Nga Egla Xhemalaj

Aktori i njohur i skenës shqiptare, Mehdi Malka, në emisionin ‘Odeon’ ndau përvojën e tij shumëvjeçare me teatrin, jetën dhe shoqërinë shqiptare.

Përgjatë bisedës, Malka ndaloi te roli i aktorit dhe përgjegjësia që arti ka ndaj publikut, duke theksuar se teatri ka lindur për të thënë të vërtetat dhe për të edukuar shoqërinë. Sipas tij, marrëdhënia mes aktorit dhe spektatorit është thelbësore, pasi vetëm përmes kësaj frymëmarrjeje të përbashkët arti i skenës merr kuptim dhe arrin të komunikojë realisht me publikun.

Artisti shprehu gjithashtu shqetësimin për degradimin e institucioneve kulturore dhe për mënyrën se si arti dhe artistët shpesh janë lënë në periferi të vëmendjes publike. Ai u ndal edhe te përplasjet dhe debatet që kanë shoqëruar çështjen e Teatrit Kombëtar, duke theksuar se një pjesë e aktorëve braktisën qëndresën për mbrojtjen e tij, një moment që sipas tij la gjurmë në ndërgjegjen e komunitetit artistik.

Në rrëfimin e tij, Malka foli edhe për përvojën personale, duke treguar se gjithçka që ka arritur në jetë e ka fituar me përpjekje dhe sakrifica. Ai u ndal te raporti i artistit me famën, duke e cilësuar atë si një provë që duhet përballuar me maturi, ndërsa theksoi se rruga drejt përsosmërisë në art është një proces i përhershëm që kërkon punë dhe përkushtim deri në fund të jetës.

Gjatë bisedës, aktori reflektoi edhe mbi shoqërinë dhe kohën në të cilën jetojmë, duke ngritur pyetje për raportin e qytetarit me shtetin, për përgjegjësinë individuale dhe për sfidat morale të kohës sonë.

Ai ndaloi gjithashtu te një nga personazhet që do të dëshironte ta sillte në skenë, ‘Pollonin’, një figurë tragjikomike që, sipas tij, i ngjan në shumë aspekte karakterit njerëzor dhe mënyrës se si njeriu përballet me realitetin e jetës.

Share it :