PPE dënojnë deklaratën e Ballës ndaj Vokshit

Sulmi ndaj Vokshit, reagon EPP Women: Dënojmë me forcë sulmin verbal seksist të deputetit Balla

Organizata EPP Women ka reaguar ashpër pas sulmit të bërë nga kreu i grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla gjatë seancës plenare në Parlamentin e Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një sulm verbal seksist ndaj zëvendëspresidentes Albana Vokshi.

Në një deklaratë publike, EPP Women thekson se gjatë seancës së fundit parlamentare Balla i është drejtuar Vokshit me një koment duke sugjeruar se numri i saj është ‘0900’, një referencë që lidhet me linjat telefonike me përmbajtje seksuale.

Sipas organizatës, deklarata të tilla përbëjnë një formë poshtërimi personal dhe seksizmi që nuk duhet të kenë vend në institucionet demokratike.

Reagimi i EPP Women:

Ne, Gratë e EPP Women, dënojmë fuqimisht sulmin verbal seksist të Kryetarit Socialist Taulant Balla ndaj Zëvendëspresidentes sonë, Albana Vokshi, gjatë seancës së fundit plenare të Parlamentit të Shqipërisë, ku ai sugjeroi se numri i saj është ‘0900’-një referencë ndaj një linje telefonike me përmbajtje seksuale.

Vërejtjet seksiste dhe poshtërimi personal nuk kanë vend në institucionet demokratike. Mosadresimi i këtij incidenti gjatë seancës është i papranueshëm.

Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me Zëvendëspresidenten tonë dhe u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë, veçanërisht atyre të shumicës qeverisëse, të përmbahen nga gjuha dhe sjelljet që shkelin dinjitetin dhe të drejtat e grave.

Respekti dhe toleranca zero ndaj seksizmit duhet të udhëheqin institucionet tona politike!

Share it :