Xhixho: Mësuesit e prekur janë penalizuar me ulje page nga 2 000 deri në 6 000 lekë të reja në muaj, për rreth 20 muaj
Rreth 11 mijë mësues kanë 1 vit e gjysmë që marrin pagë më të ulët se kolegët e tyre për të njëjtën punë. Ata protestuan, kërkuan të dëgjohen, iu drejtuan edhe Gjykatës Kushtetuese.
Sot, qeveria nuk mund të sillet si “hero”, sikur po zgjidh një problem që vetë e ka krijuar, pa kërkuar ndjesë dhe pa paguar diferencën e munguar për këto muaj padrejtësie.
Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 425, datë 26.06.2024, u ka shkelur të drejtën e pagës mijëra mësuesve në të gjithë vendin, duke i trajtuar në mënyrë të pabarabartë për të njëjtën punë, krahasuar me kolegët e tyre.
Mësuesit e prekur nga VKM , janë penalizuar me ulje page nga 2 000 deri në 6 000 lekë të reja në muaj, për rreth 20 muaj.
Kjo ka sjellë një dëm financiar të padrejtë dhe ka krijuar pabarazi mes kolegësh. Kjo VKM ka prekur edhe mësues me 20–30 vite përvojë në sistemin arsimor.
Kjo VKM është ajo që do rriste pagat e mësuesve por që në realitet rezultoi mashtrim.
Ndërkohë, projektligji i propozuar nga deputetja Evis Kushi, në formën aktuale, ka paqartësi dhe rrezikon të krijojë sërish diskrimin, gjithashtu nuk adresoi shqetësimin e mësuesve për karrierën e atyre që kanë përfunduar studimet para sistemit të Bolonjës.
Për më tepër, ky projektligj nuk parashikon PAGËN E MUNGUAR të mësuesve dhe edukatorëve për rreth 20 muaj për shkak të një vendimi të gabuar të qeverisë.
Ndaj kam depozituar një AMENDIM të këtij pr.ligji që do diskutohet, që ky pr. ligj të shtrijë efektet financiare nga data 26.06.2024 kur ka filluar ulja e pagës, që të sigurojmë që mësuesit të paguhen edhe për 20 muaj që nuk e kanë marrë pagën që i takon.
Bëhet fjalë për bukën e gojës së mësuesve dhe jo për luks, bëhet fjalë për një padrejtësi që kjo qeveri e ka shkaktuar dhe tani shfaqet sikur po i bën dhuratë për 7 Mars mësuesve . Një mashtrim që çdo mësues e di shumë mirë.
Argumenti se ligji nuk mund të ketë fuqi prapavepruese që u përdor në debatin në Komision nuk qëndron.
Mjafton tju kujtoj vendimin antikushtetues të kësaj qeverie për faljen e dividentit per oligarkët duke i falur miliona euro për oligarkët.
Ndërkohë që ky propozim synon të japi atë që i takon mësuesve në 20 muaj kur kanë marrë pagë më të ulët se kolegët e tyre. Ndaj kush nuk voton sot këtë amendament, dëshmon që është armik i mësuesve”.






