Tre muaj nga kërkesa e SPAK/ Balliu: Po prishin provat për Ballukun
Deputeti demokrat, Klevis Balliu, ka deklaruar se kur po mbushet afati i tre muajve që nga kërkesa e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, eksponentë të krimit po prishin provat dhe po intimidojnë dëshmitarët.
Nga seanca e sotme plenare, Balliu u shpreh se heqja e çështjes së Ballukut nga rendi i ditës është sipas tij, bashkëpunim i socialistëve në krim, ndërsa shtoi se nëse do të kishte drejtësi sot duhet që të diskutohej dhe imuniteti i Edi Ramës.
“Kam një kërkesë zoti kryetar, që të respektohet rregullorja e Këshillit të Mandateve që saktëson se në seancën më të parë mblidhet Parlamenti. Në atë dosje prokuroria ka treguar se eksponentë të krimit të shtetit kanë kërcënuar dëshmitarët. Kemi 3 muaj që vijmë vërdallë pasi është kërkuar heqja e imunitetit për Ballukun. Po i jepet kohë krimit të organizuar që të ndërrojë dëshmitë dhe të ndëshkojë dëshmitarët. Ose jemi në parlament, ose në narkoshtet, ndaj respektoni rregulloren. Në respekt të jetës së qytetarëve. Nuk mendoj se çdo socialistë do të binte dakord nëse nuk kërcënohej nga po të njëjtën kriminelë. Kërcënohen qytetarët, por kërcënohen dhe brenda grupit parlamentar për t’u sjellë njësoj, se kërcënoheni nga Rama dhe Belinda. Si bënte dot ato Belinda pa Ramën. E keni parë mirë se kë keni vendosur në krye? E dini se kush ka qenë kur u mor peng ai zotëria te AKSHI, po e bëni ministër të Brendshëm. Silleni ta votojmë Belindën dhe drejtësia të bëjë punën e vetë.”, tha Balliu.






