Abuzoi 1.1 miliard euro të taksave/ Bardhi: Nxirrni Ulsiun nga biblioteka, hapni rrugë arrestimit të Ballukut!
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, gjatë fjalës së tij në Kuvend tha se, mazhoranca po shkel Kushtetutën për të mbrojtur ministrat dhe zyrtarët e saj, duke iu referuar vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese që, sipas tij, rrëzoi me votim unanim 8 me 0 qëndrimin se pezullimi i ministrave lidhet me imunitetin e tyre.
Bardhi theksoi se vendimi i Kushtetueses i ka dhënë përgjigje edhe çështjes së imunitetit të deputetes Belinda Balluku, duke sqaruar se Kuvendi duhet vetëm të verifikojë nëse ka motivim politik në kërkesat e drejtësisë.
Fjala e Bardhit
Seanca plenare ka mbajtur një qëndrim që në fakt është rrëzuar njëzëri, 8 me 0, nga Gjykata Kushtetuese. Dhe qëndrimi juaj, zoti kryetar, po e marr të mirëqenë që e keni miratuar ju, sepse nuk di kush është autoriteti që e ka miratuar. Qëndrimi juaj se pezullimi i ministrave është pjesë e imunitetit kushtetues të ministrit, nëse nuk e keni marrë vesh, është rrëzuar si qëndrim antikushtetues në një votim 8 me 0 nga Gjykata Kushtetuese. Dhe kjo është shkelja e dytë që ne ju evidentojmë sot të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ju, zoti Peleshi, do të duhet të gjeni kurajon institucionale si kryetar i Kuvendit për të kërkuar ndjesë. Në të kundërt, të legjitimosh, të normalizosh shkeljen e vazhdueshme të dokumentit themeltar të shtetit është një akt i rëndë ndaj funksionimit demokratik të institucioneve kushtetuese në vend.
Siç e dini, para dy ditësh Gjykata Kushtetuese fatmirësisht publikoi në kohë vendimin për padinë e zyrës avokatore në kryeministri për çështjen e Belinda Ballukut, duke i dhënë përgjigje shteruese edhe dy çështjeve që ka për trajtim Kuvendi i Shqipërisë. Së pari, ju rrëzoi, pa e futur ende në procedurë, iniciativën ligjore të deputetit Edi Rama, së bashku me dy deputetë të tjerë, për të ndryshuar Kodin e Procedurës Penale me argumentin se pezullimi nga detyra që jep gjykata me kërkesë të prokurorisë është një ndërhyrje në parimin e ndarjes dhe të balancimit të pushteteve.
Gjykata Kushtetuese e ka bërë të qartë që pezullimi nga funksioni nuk ka të bëjë me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe nuk është në Kodin e Procedurës Penale për deputetët në zbatim të këtij parimi. Për deputetët dhe të zgjedhurit, pra përfshirë edhe kryetarët e bashkive dhe këshilltarët bashkiakë, ligji procedural penal ka ndaluar pezullimin, thotë Gjykata Kushtetuese, për një arsye të vetme, sepse zbaton drejtpërdrejt Kodi i Procedurës në këtë rast nenin 2 të Kushtetutës, që sovraniteti i Kuvendit apo i të zgjedhurve buron drejtpërdrejt nga vullneti i zgjedhësve dhe nuk mundet që me vendim gjykate apo kërkesë prokurorie të pezullohet vullneti i zgjedhësve.
Për pasojë, çdo ndërhyrje tjetër përtej të zgjedhurve në Kodin e Procedurës Penale bie ndesh me atë që ka thënë Gjykata Kushtetuese në këtë vendim të fundit dhe që në fakt e thotë vetë Kushtetuta. Dhe unë uroj që deputeti Edi Rama të trimërohet, ta heqë mënjanë frikën dhe ta tërheqë propozimin antikushtetues bashkë me dy kolegët e vet që kanë ftuar Kuvendin të miratojë një ndryshim që bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, sipas vendimit më të fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Së dyti, i ka dhënë përgjigje, prandaj nxirreni Ulsiun nga biblioteka, nuk ka nevojë të studiojë më, sepse i ka dhënë përgjigje çështjes së dytë që kanë në trajtim Kuvendi dhe që lidhet me heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku. I ka dhënë përgjigje në mënyrë shteruese. Së pari, ka përcaktuar që imuniteti nuk është privilegj ndaj deputetit të veçantë. Pra nuk është privilegj i Belinda Ballukut, sepse deputetët nuk mund të gëzojnë një privilegj personal. Imuniteti ekziston për të mbrojtur funksionimin demokratik të Kuvendit.
Dhe e vetmja kompetencë, nuk e thotë më opozita, e thotë vendimi i Gjykatës Kushtetuese në faqet 27 dhe 28 të tij, i vetmi verifikim që bën Kuvendi i Shqipërisë është nëse përmes një procedimi penal prokuroria dhe gjykata kërkojnë në mënyrë politike të ndërhyjnë në funksionimin e institucionit, në rastin konkret të Kuvendit të Shqipërisë, apo nëse prokuroria dhe gjykata kanë vepruar politikisht në një çështje të caktuar.
Tani unë nuk kam dëgjuar njeri prej jush, as pesë kolegët e Partisë Socialiste që ishin në këshill, që të kishin një pretendim që Prokuroria e Posaçme po përdorej nga opozita për motive politike kundër ministrave apo deputetëve të Partisë Socialiste. Nuk e ngritët një shqetësim të tillë. Madje një shqetësim të tillë nuk e ngriti as vetë deputetja në fjalë përmes avokatëve të saj. Dy avokatë kishte sjellë. U pyetën në mënyrë të drejtpërdrejtë: a ka ndonjë pretendim që çështja ka motivim apo nxitje partiako-politike? Dhe dhanë përgjigjen e prerë: jo, ne këtë çështje e konsiderojmë një çështje mirëfilltazi ligjore.
Dhe e dyta që thekson Gjykata Kushtetuese është që çdo tejkalim nga Kuvendi i vetëm kësaj kompetence verifikuese është cenim i parimit të ndarjes dhe të balancimit të pushteteve. Prandaj kolegë, ju bëj edhe një herë thirrje: nxirreni Ulsiun nga biblioteka. Ka lexuar kot. E di që po lodhet dhe s’ka gjetur një argument për të motivuar atë qëndrim pa qëndrim.
Se kolegu më tha në mëngjes: gënjen, tha, se ne e kemi shprehur qëndrimin. Po tani është publik që Edi Rama ka dalë dhe ka thënë… Së pari, është publik procesverbali i mbledhjes, ku e vetmja përgjigje që dhatë, thua se kishim kërkuar ne në Këshillin e Mandateve shqyrtimin e çështjes, ishte që nuk ishit gati të votonit njëlloj me ne. Ndërkohë që ne nuk ju kërkuam të shpreheshit për qëndrimin tonë, por për kërkesën. Dhe nuk u shprehët.
Zotëria që foli këtu, e që s’e ka për turp të gënjejë, doli menjëherë pas mbledhjes dhe tha: ne nuk kemi një qëndrim, sepse do të mbledhim grupin parlamentar dhe në mbledhjen e tij të parë do të shprehim qëndrimin tonë për kërkesën e prokurorisë.
Mbledhja e parë u bë, por prapë nuk kishim qëndrim, sepse i vetmi që flet ndër jush, që është kryeministri, doli dhe tha: nuk jam gati për të kthyer një përgjigje, sepse po pres të mbarojë studimet master në Bibliotekën Kombëtare Ulsiu dhe kur të vijë raporti i Ulsiut do të kem një qëndrim.
Tani Ulsiun nxirreni nga biblioteka, sepse vetë e ka iniciuar procesin në Gjykatën Kushtetuese dhe me vendimin nr. 8, të datës 6 shkurt 2026, të zbardhur më 3 mars 2026, Gjykata Kushtetuese ka dhënë përgjigje edhe për kërkesën. Verifikohet vetëm nëse ka apo jo motivim politik. Dhe sa kohë që nuk ka motivim politik, është mirëfilltazi çështje ligjore.
Ka abuzuar dhe ka paracaktuar 1.1 miliardë euro të taksave të shqiptarëve. Kjo çështje duhet të trajtohet me urgjencë dhe t’i hapet rrugë kërkesës së prokurorisë.
Dhe së fundmi, në mënyrë pa asnjë shkak, kaluat me urgjencë a thua se ju vinte turp që të debatohej dhe të diskutohej emërimi i ministrave të rinj. Dhe bëtë votimin e ministrave të rinj pa ardhur në sallë as kryeministri.
Po ku ka turp kryeministri të vijë në këtë Kuvend për të prezantuar ministrat që as ju vetë nuk i njihni? Si nuk keni turp ju që, pa i njohur, ngrini kartonin pa asnjë debat, pa asnjë diskutim, a thua se jemi duke kaluar emërimin e një specialisti në një drejtori vendore?
Ndërkohë që po ndryshojmë gati gjysmën e kabinetit qeveritar. Dhe praktika parlamentare e do që kryeministri të vijë dhe të prezantojë ndryshimet në qeveri, të argumentojë shkarkimet dhe të argumentojë emërimet, dhe më pas Kuvendi të votojë.
Por ju tashmë nuk keni turp të votoni asgjë që ju urdhëron lideri juaj suprem.



