Trump: Ndërpresim çdolloj tregtie me Spanjën, Starmer-it i duket vetja si Churchill

Trump: Ndërpresim çdolloj tregtie me Spanjën, Starmer-it i duket vetja si Churchill

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u takua sot në Shtëpinë e Bardhë me kancelarin gjerman Friedrich Merz ku temë kryesore ishte lufta në Iran dhe zhvillimet ushtarake në rajon. Në fillim të takimit të tyre, Trump iu referua situatës në Iran, duke deklaruar se aftësia ushtarake e vendit është shkatërruar kryesisht. “Ata nuk kanë një marinë. Ajo është shkatërruar. Nuk kanë forcë ajrore, nuk kanë mbrojtje ajrore. Është shkatërruar”, – tha Trump.

Ai shtoi se “pothuajse gjithçka është shkatërruar” ndërsa vlerësoi ushtrinë amerikane, duke thënë: “Po ia dalim shumë mirë. Kemi një ushtri të shkëlqyer dhe ata po bëjnë një punë fantastike.

Në deklaratat në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan shpjegoi se si mori vendimin për të sulmuar Iranin, duke deklaruar se “patëm negociata me këta njerëz të çmendur”. “Ata do të sulmonin të parët, e ndjeva shumë fort… Nuk doja që kjo të ndodhte ”, tha ai.

Trump pranoi se mund ta ketë “detyruar Izraelin të veprojë” në lidhje me kohën e sulmit, por përsëriti se “pothuajse gjithçka që kishin është shkatërruar tani ”.

Duke iu referuar pasojave të sulmeve, ai theksoi se Irani “goditi vende që nuk kishin të bënin fare me atë që po ndodhte, gjë që tregon nivelin e së keqes me të cilën po merremi”. Ai tha gjithashtu se Irani po godiste “vetëm vendet politike, hotelet dhe ndërtesat e apartamenteve”.

Kur u pyet për mendimin e tij mbi aleatët evropianë, Trump tha se ishte i kënaqur me disa, por jo me të tjerët. Ai sulmoi Mbretërinë e Bashkuar, duke thënë se “nuk ishte i kënaqur” me vendin. “Na u deshën 3, 4 ditë për të vendosur se ku mund të zbarkonim.” Ai kritikoi Keir Starmer, duke shtuar: “Ne nuk kemi të bëjmë me Winston Churchill.”

Ai tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të ndërpresin të gjitha tregtitë me Spanjën pasi vendi evropian refuzoi të lejonte ushtrinë amerikane të përdorte bazat e saj për misione që lidhen me sulmet ndaj Iranit.

“Spanja është sjellë shumë keq”, – u tha Trump gazetarëve, duke shtuar se i kishte kërkuar Sekretarit të Thesarit, Scott Besant, të “ndërpriste të gjitha tregtitë” me Spanjën. “Ne do t’i ndërpresim të gjitha tregtitë me Spanjën. Nuk duam të kemi të bëjmë fare me të”, shtoi ai.

“Spanja nuk ka asgjë që na nevojitet, përveç njerëzve të mirë, ata janë njerëz të mirë, por nuk kanë lidership të mirë.”

Trump u ankua gjithashtu se Spanja u ka rezistuar përpjekjeve për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 5% të produktit të brendshëm bruto, siç i ka pyetur aleatët e NATO-s.
I pyetur pse vendet po bashkojnë forcat me Shtetet e Bashkuara në një luftë me Iranin, ai tha: “Ata janë thjesht të këqij”, duke iu referuar regjimit iranian. “Nuk është politika e tyre, është e gjithë filozofia e tyre, është e tmerrshme”, u tha ai gazetarëve. “Është thjesht një ideologji shumë e keqe dhe askush nuk ka parë ndonjëherë diçka të tillë.”

Ai përsëriti pikëpamjen e tij se Irani po “sulmon të gjithë fqinjët e tij”.
“Ata kanë goditur Katarin, kanë goditur Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë goditur Arabinë Saudite, kanë goditur Omanin dhe që po na ndihmonin në negociata, të gjithë janë goditur”.

Nga ana e tij, kancelari gjerman Friedrich Merz tha se ishte dakord me Presidentin e SHBA-së Donald Trump për çështjen e përmbysjes së regjimit iranian. “Ne biem dakord për çështjen e përmbysjes së këtij regjimi të tmerrshëm në Teheran. Dhe do të diskutojmë se çfarë do të ndodhë më pas”, tha Merz.

“Ne të gjithë shpresojmë që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. Pra, shpresojmë që ushtria izraelite dhe amerikane të bëjnë gjërat e duhura për t’i dhënë fund këtij regjimi dhe për të instaluar një qeveri të re që do të rivendosë paqen dhe lirinë”, shtoi ai.

Share it :