Rama shkarkon nga detyra Ilir Prodën, e vend te tij Sokol Bizhga
Ilir Proda është shkarkuar këtë të diel, nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
TV Klan raporton se, vendimi u mor pas protestës së mbajtur nga Partia Demokratike, ndërkohë po të njëjtat burime konfirmojnë se në krye të Policisë së Shtetit është komanduar Sokol Bizhga.
Ilir Proda u emërua si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit më 2 tetor të vitit 2024. Më herët, ai ka mbajtur detyra si specialist i policisë kriminale, shef komisariati nr. 2 në Tiranë dhe Bulqizë si dhe drejtor i Policisë së Elbasanit.
Ndërkohë shkarkimi i tij nga detyra vjen pak ditë pas valës së shkarkimeve në qeveri, ku u larguan Elisa Spiropali, Belinda Balluku, dhe Pirro Vëngu, këta të fundit të akuzuar për përfshirje në skandale dhe afera miliona euro.
Gjithashtu shkarkimi i Prodës vjen në një kohë kur emri i tij është lakuar në zhvillime hetimore të dosjes së AKSHt. Më herët telefoni i tij celular është sekuestruar nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në kuadër të këtyre hetimeve.
Gjithshtu Ilir Proda ishte vendosur edhe në qendër të akuzave të opozitës për lidhjet e dyshuara me krimin e organizuar dhe kartelet. PD e akuzonte Prodën se kishte lidhje direkte e Suel Çelës dhe Ergys Agasit, të cilët edhe e promovuan në kupolën e institucionit.
Gjithashtu dhe vartësit e Prodës, janë përfshirë në hetime të rëndësishme. Si rasti i nën/drejtorit të Policisë së Tiranës, Erion Ismailaj, i cili akuzohej se ka ndihmuar Ergys Agasin dhe Ermal Beqirajn për pengmarrjen e Gerond Meçes. Ky i fundit u bë i njohur si përfitues i mbi 40 milionë eurove në tenderat e AKSHI-it, së bashku me baxhanakun e kryeministrit të vendit, Edi Rama.
Sipas raportimeve, nën/drejtori i policisë merrte rregullisht një tarifë prej 70 mijë eurosh në muaj për “suksesin” e call center-it nga “Sauksi”, si dhe shuma të konsiderueshme për bastet e paligjshme online.
Ismailaj frekuentonte kompleksin e ish-“Kodra e Kuajve”, sot “Equos”, ku merrte rregullisht pagesat. Ky vend njihet gjithashtu si streha dhe vendi i drekave dhe takimeve të Ergys Agasit.
Ndërkohë përpos Prodës, raportohet se nga detyra është larguar edhe drejtori i Policisë së Tiranës, Elton Alushi.
Njësoj si me Ilir Prodën, edhe largimi i Alushit, thuhet se vjen për mosgarantimin e sigurisë së qytetarëve në protestën që PD organizoi ditën e djeshme, megjithatë në vrazhdën e akuzave të përmendura më lart motivacioni i shkarkimit nga ana e Edi Ramës, nuk mund të jetë protesta.






