I dënuar me 25 vjet në 2022/ Ministria e Drejtësisë “vonoi” letrat, Arta Marku pro-lirimit, del nga burgu Ilir Paja

Nga Boldnews.al

Një personazh shumë i njohur i kronikës policore, Ilir Paja, i konsideruar edhe si “UFO”, i dënuar me një vendim të formës jo përfundimtar me 25 vjet burgim për vrasje, është liruar nga paraburgimi, për shkak të përfundimit të afateve proceduriale.

Në 17 shkurt 2026, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm ka pranuar kërkesën e prokurores Arta Marku për revokimin e masës së sigurimit “arrest me burg” të Pajës, me argumentin se kanë përfunduar afatet 3-mujore të paraburgimit.

Ilir Paja është arrestuar në Tiranë në vitin 2022, pasi rezultonte i dënuar me 25 vjet burgim nga Gjykata e Milanos, në Itali, për veprat penale të “Vrasjes me dashje”, “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, “Rrëmbim personi dhe “Marrëdhënie seksuale me dhunë”.

Paja, vrasje dhe përdhunim

Sipas dosjes gjyqësore italiane, Paja, në bashkëpunim me shqiptarin tjetër, Gentjan Makshia, ka vrarë shtetasin Ramires Saxa Louis Gonzales, si edhe ka tentuar të vrasë Orenalla Calle Jose Enrique. Gjithashtu, Ilir Paja rezulton i dënuar njëkohësisht në Itali për sekuestrim personi, plagosje dhe dhunë me armë, si edhe përdhunim seksual të rëndëuar disa herë, ndaj shtetases Lascar Nina Alexandra.

Në foto: Ilir Paja në gjykatë

Pas arrestimit, Gjykata e Tiranës caktoi fillimisht ndaj Pajës masën e “arrestit me burg” me afat, në pritje të materialeve më të zgjeruara nga autoritetet italiane.

Në vijim, kanë nisur procedurat për njohjen në Shqipëri të dënimit të dhënë ndaj tij në Itali. Në Mars të vitit 2023, gjykata e kryeqytetit vendosi njohjen e dënimit, duke përcaktuar se Ilir Paja duhet të vuajë 25 vjet e 4 muaj në burgjet shqiptare.

“Xhiro” nëpër gjykata

Historia gjyqësore e Pajës vijoi në gjykatat më të larta. Fillimisht, Gjykata e Apelit vendosi të konfirmojë vendimin e shkallës së parë. Po ashtu, edhe Gjykata e Lartë.

Në 13 Mars 2025, Gjykata Kushtetuese vendosi ta rikthejë çështjen e Pajës në Gjykatën e Lartë, pasi konstatoi problematika në shqyrtimin gjyqësor.

Në foto: Gjykata Kushtetuese riktheu për shqyrtim çështjen e Ilir Pajës

Gjykata e Lartë, pasi e rivlerësoi rastin, në 18 shtator 2025, e riktheu në Gjykatën e Apelit. Kjo e fundit, në 17 nëntor të vitit të kaluar, e regjistroi sërish nga e para procesin e njohjes së vendimit italian të dënimit të Ilir Pajës.

Dhe, si një proces i ri, Gjykata e Apelit kërkoi nga Ministria e Drejtësisë që të komunikonte me autoritetet italiane, për t’i pyetur nëse i qëndronin aprovimit për njohjen e vendimit të dënimit për Ilir Pajën.

Gjykata: Ministria nuk ka solli dokumentat në kohë

Në vendimin e Gjykatës së Apelit, të lexuar nga “Boldnews.al”, trupa gjykuese thotë se “ka komunikuar me Ministrinë e Drejtësisë, për të njoftuar autoritetet italiane për urgjencën e përcjelljes së akteve, urgjencë kjo e diktuar nga fakti se shtetasi Ilir Paja vijonte të ishte nën masën ‘arrest me burg’, e cila kishte afat 3-mujor, afat që niste në 17 nëntor 2025”.

Në foto: Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari

Megjithatë, siç citohet në vendimin e Apelit, “përpjekjet e vazhdueshme e bashkëpunimin me Ministrinë e Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, aktet e kërkuara me anë të letërporosisë, nuk u përcollën nga autoritetet italiane deri në dt.16.02.2026, çka detyroi Gjykatën e Apelit të shtynte përsëri seancën gjyqësore, duke informuar për ecurinë e procesit gjyqësor edhe Ministrinë e Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë”.

Në 17 shkurt 2026, saktësisht në ditën që përfundonte afati 3-mujor, Ilir Paja dorëzon kërkesën për revokimin e masës së sigurimit “arrest me burg”.

Prokurorja Arta Marku: Të dalë nga burgu

Gjykata e Apelit e mori në shqyrtim kërkesën në të njëjtën ditë. Sipas trupës së Apelit, “me kërkesën për revokimin e masës së sigurimit u shpreh dakord edhe përfaqësuesja e Prokurorisë së Apelit të Juridiksionittë Përgjithshëm (Arta Marku), e cila i kërkoi Gjykatës që pavarësisht revokimit tëmasës së “arrestit në burg” për shkak të kalimit të afatit 3-mujor, ndaj kërkuesit të caktohej një masë tjetër sigurimi, konkretisht atë të “arrestit në shtëpi”.

Në foto: Prokurorja e Apelit, Arta Marku

Në kushtet kur nuk u vunë në dispozicion dokumentat italiane nga Ministria e Drejtësisë, si edhe kur, edhe prokurorja e Apelit, Arta Marku ishte dakord me revokimin e masës së sigurimit, trupa gjykuese e drejtuar nga Brikena Ukperaj vendosi:

Revokimin e masës së sigurimit “arrest në burg” të caktuar ndaj shtetasit Ilir Paja për efekt  të njohjes së vendimit penal të huaj, me vendimin nr. 1010 Regj. dt. 03.12.2022 të Gjykatës  së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

–  Caktimin ndaj shtetasit Ilir Paja të masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, masë e cila do të ekzekutohet në banesën e tij, të ndodhur në Rr. “Don Bosko”, e llojit apartament, me nr. pasurie 9/360+1-40, ZK 8330, Tiranë”.

Në foto: Gjykata e Apelit ndryshon masën e sigurisë për Ilir Pajën

Sipas Gjykatës, Ilir Paja duhet të mbahet në mbikqyrje të pandërprerë policore gjatë zbatimit të masës “arrest në shtëpi”.

“Ufo” Ilir Paja

Ilir Paja, sipas vendimit të gjykatës, do të duhet të qëndrojë në shtëpi derisa të mbërrijnë nga Italia dokumentet e dënimit të tij dhe të përfundojë procesi i njohjes së dënimit të tij.

Ilir Paja ka një histori të gjatë me drejtësinë në Shqipëri dhe Itali. Ai është etiketuar edhe si “Ufo”, për shkak të arratisjeve të bujshme që ka kryer nga burgjet italiane.

Në fillim të vitit 2006, ai u arrestua në Itali. Por, vetëm pas disa muajsh dënim, në qershor 2006, ai ka mundur të arratiset nga paraburgimi i Perugia-s, duke përdorur çarçafët si litar, deri në arrestimin e tij të dytë, më 4 shtator 2006. Paja qëndronte i burgosur prej 5 muajsh në pritje të ekstradimit nga Gjermania, ku akuzohej për vrasjen e një shqiptari tjetër në Duisburg.

Në foto: Ilir Paja u plagos në vitin 2008, pas një operacioni policor për arrestimin e tij

Ai u ndalua në Itali dhe ndaj tij u shtua edhe akuza për shfrytëzim prostitucioni. Por ai ka mundur të ikë sërish nga burgu, në 14 gusht të 2007-ën, ndërsa policia ishte duke e transportuar me ambulancë, për shkak se i dënuari ishte në gjendje shumë të rëndë psikologjike dhe kishte tentuar disa herë vetëvrasjen.

Kësaj here kishte bërë si i sëmurë psikik dhe kur e kishin transportuar me ambulancë kishte filluar të rënkonte e të tërhiqte vëmendjen e policit kryesor. Kur ky është afruar, Paja i ka dhënë një grusht në fytyrë. Më pas ka hapur derën e autoambulancës dhe është larguar me vrap, ku ka kapërcyer një mur të lartë dhe ka ndjekur linjën e trenit.

Edhe pse policët kanë qëlluar në ajër, nuk ka ndaluar. Më pas është futur në një pyll dhe është zhdukur. Pas arratisjes së dytë në Itali, Ilir Paja është kthyer në Tiranë, ku jetonte i fshehur dhe është arrestuar sërish.

Më vonë, Paja u arrestua në Shqipëri, nën akuzën e “plagosjes së rëndë me dashje” në dëm të punonjësit të Policisë Blendi Haxhimihali, ngjarje e ndodhur në mars të vitit 2008, gjatë një operacioni për arrestimin e tij, ku mbeti edhe vetë i dëmtuar. Paja dënua me 10 vjet burgim nga Gjykata e Krujës dhe u lirua para kohe në vitin 2017.

 

Share it :