Rama dhe Vuçiç bëhen sërish bashkë/ Firmosin letrën e hapur për BE-në
Kryeministri shqiptar dhe Presidenti serb kanë publikuar një editorial të përbashkët në gazeten e njohur gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” ku i kërkojnë BE anëtarësim në Hapësirën Shengen dhe Tregun Unik edhe pa u pranuar në Union.
Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç janë bërë sërish bashkë. Këtë herë jo për “Ballkanin e hapur” të lënë në harresë, por duke hedhur firmat në një kërkesë drejtuar Bashkimit Europian.
Edhe pse Serbia dhe Shqipëria janë vënë së fundmi në qendër të kritikave të Brukselit për hartimin e ligjeve që pengojnë drejtësinë të bëjë punën e saj, Rama dhe Vuçiç kanë publikuar një editorial të përbashkët në të përditshmen e njohur gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Media gjermane duket se nuk është gjetur rastësisht pasi së fundmi Berlini është kritiku më i fortë për qeveritë e Tiranës dhe Beogradit.
Shkrimi i tyre mban titullin “Një rrugë realiste drejt BE-së”. Rama dhe Vuçiç shprehen se i kuptojnë shqetësimet, por sipas tyre “zgjerimi është në interesin e të gjithëve”. Ndaj ata kërkojnë nga vendet e Unionit që edhe pse nuk janë ende anëtarë të tij, të mund të bëhen pjesë e sistemit Schenegn dhe Tregut Unik Europian.
“Që nga rënia e Murit të Berlinit, pothuajse asgjë nuk e ka ndryshuar Bashkimin Evropian aq shumë sa zgjerimi i tij. Duke shtrirë institucionet, rregullat dhe tregjet e saj tek anëtarët e rinj, BE-ja kontribuoi në demokraci, stabilitet dhe prosperitet në të gjithë kontinentin.
Ne i kuptojmë shqetësimet. Por zgjerimi është në interesin e të gjithëve. Ne e kemi shkruar këtë artikull së bashku, sepse pranojmë se Evropa ndjek dy objektiva po aq legjitime: vendet kandidate kërkojnë një rrugë realiste drejt anëtarësimit të plotë; shtetet anëtare duan të ruajnë aftësinë vepruese dhe unitetin e BE-së. Këto tensione duhet të adresohen në mënyrë të hapur dhe pragmatike” – shkruajnë Rama dhe Vuçiç.
Gazetari dhe analisti gjerman Michael Martens ka zbuluar disa pjesë të shkrimit.
“Shumë evropianë pyesin nëse BE-ja mund të funksionojë në mënyrë efektive me shumë më tepër anëtarë. Shqetësimet në lidhje me vendimmarrjen, ekuilibrin institucional dhe kohezionin politik janë legjitime” shkruajnë Rama dhe Vuçiç, duke shtuar: “Ne nuk jemi naivë. Këto argumente kanë peshë.”
Sipas gazetarit gjerman Rama dhe Vuçiç kërkojnë të anashkalojnë “kurthin e vetos” së ndonjë vendi të BE duke lejuar ato vende kandidate që plotësojnë kushtet të hyjnë në Tregun e Përbashkët Evropian dhe Zonën Shengen, “në vend që të përpiqen për një anëtarësim të plotë politik në BE, të paktën për momentin”.
“Një qasje e tillë nuk do ta rëndonte arkitekturën e vendimmarrjes së BE-së dhe nuk do të (…) ndryshonte ekuilibrin institucional të BE-së. Nuk do të përfshinte dhënien e të drejtës së vetos, komisionerë shtesë, anëtarë shtesë të Parlamentit Evropian ose ndryshime në strukturat e votimit” – argumentojnë Rama dhe Vuçiç.
“Zgjerimi i pjesëmarrjes në këto korniza (Shengeni dhe Tregu i Përbashkët) për vendet kandidate të përgatitura mund të sjellë përfitime të prekshme për qytetarët, duke forcuar njëkohësisht pozicionin ekonomik dhe gjeopolitik të Unionit”, – thuhet në artikullin tyre.
“Ne besojmë fuqimisht se ky hap do të lehtësonte shqetësimet midis atyre shteteve anëtare që hezitojnë për zgjerimin e mëtejshëm, duke ua bërë gjithashtu shumë më të lehtë atyre që ta paraqesin procesin në mënyrë bindëse para opinionit të tyre publik”, – shtojnë aleatët.
Gazetari gjerman Martens thotë se iniciativa e Ramës dhe Vuçiç është pjesë e një debati të vazhdueshëm, të intensifikuar jo vetëm nga politikat e Hungarisë, nëse BE-ja mund të përballojë ende pranimin e anëtarëve të plotë shtesë me të drejtë vetoje, duke pasur parasysh bllokadat e vazhdueshme nga kryeqytetet individuale.
“Për vite me radhë, jo vetëm Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar se Evropa duhet të gjejë rrugë të tjera përveç anëtarësimit të plotë për të mbajtur afër Ballkanin Perëndimor (si dhe Ukrainën dhe Republikën e Moldavisë)” – shkruajnë Rama dhe Vuçiç në FAZ:
“Ne jemi bashkautorë të këtij shkrimi sepse e pranojmë që Evropa sot përballet me dy qëllime po aq legjitime. Vendet kandidate kërkojnë një rrugë realiste drejt anëtarësimit të plotë. Shtetet anëtare kërkojnë të ruajnë efektivitetin dhe unitetin e Unionit. Ky tension nuk ka pse të jetë një dilemë me shumë zero” – shtojnë ata.
“Mundësia strategjike”, argumentojnë ata, qëndron në “integrimin e përshpejtuar të vendeve kandidate të përgatitura në Tregun e Vetëm dhe në Zonën Shengen”, duke shtuar se janë plotësisht të vetëdijshëm se rruga kërkon reforma të kushtueshme dhe politikisht të vështira – por qëllimi ia vlen.
Sipas Martens, ideja e tyre nuk është vetëm në interes të vendeve kandidate, por edhe e dobishme për BE-në dhe shtetet anëtare të saj. “Zgjerimi nuk ka qenë kurrë një akt bamirësie. Ka qenë një investim i dobishëm për të dyja palët” – thonë ata.
“Unioni fiton tregje të reja, talent, thellësi strategjike dhe stabilitet politik. Anëtarët e rinj fitojnë prosperitet, siguri dhe një zë në formësimin e së ardhmes së Evropës. Dhe mbi të gjitha, paqja në kontinentin tonë vazhdon të fitojë terren në një shkallë të paparë më parë në historinë e Evropës” – shkruajnë Rama dhe Vuçiç.
Në fund Martens nënvizon se “sigurisht, aktualisht as Serbia dhe as Shqipëria (as ndonjë vend tjetër kandidat, përfshirë Malin e Zi) nuk janë gati të pranohen në tregun e vetëm dhe në Shengen. Megjithatë, artikulli i Edi Ramës dhe Aleksandar Vuçiç mund të shkaktojë një debat të rëndësishëm dhe të pritur prej kohësh.
Herën e fundit që një anëtar i ri u pranua në BE (Kroacia) ishte pothuajse 13 vjet më parë, dhe po bëhet gjithnjë e më e qartë se disa shtete anëtare të BE-së, në parim, nuk duan asnjë fuqi të re vetoje brenda BE-së, edhe nëse vendet kandidate do të përmbushnin të gjitha kriteret e pranimit.
Ideja e ofrimit të anëtarësimit në Shengen dhe në Tregun Unik të vendeve që i plotësojnë kriteret politike dhe ekonomike (parakusht i rëndësishëm!) ka avantazhin e shmangies së kurthit të vetos.
Pra, nëse merret seriozisht nga të gjitha palët (e madhe nëse), kjo mund të fillojë një përparim dhe t’i japë fund stagnimit të zgjerimit që ka hyrë në dekadën e dytë tani.
Ideja nuk lindi nga Vuçiç dhe Rama, por ata janë politikanët e parë të fuqishëm që e përqafojnë publikisht dhe qartësisht si të tyren. Edhe nëse Shqipëria dhe Serbia nuk janë vendet më të përshtatshme për ta zbatuar këtë qasje tani, një debat rreth saj mund të jetë ende i dobishëm.
Parakushti, sigurisht, do të ishte që oferta të merret seriozisht nga BE-ja dhe anëtarët e saj – më seriozisht sesa farsa e njohur aktualisht si “politika e zgjerimit të BE-së” – e mbyll Martens





