I dyshuari për sekser në AZHBR thirret në SPAK

I dyshuari për sekser në AZHBR thirret në SPAK

Reni Ashiku e krijoi Converse Management Consulting në mars të vitit 2018, bashkë me një ortake të quajtur Besarta Dika. Kjo e fundit, më herët ka kandiduar si deputete për partinë G 99 dhe e lidhur me lidhje të forta biznesi me ish drejtorët e bashkisë Tiranë.

Objekti i CMC ishte konsulenca në fushën e agrobiznesit dhe realizimi vete dhe për të tretë i projekteve për zhvillim rural dhe bujqësor nëpërmjet asistencës teknike dhe trajnimeve apo sherbimeve këshillimore. Me pak fjalë përgatitja e aplikimeve për fermerët që kërkonin grante në AZHBR nga fondet e IPARD të Bashkimit Europian.

Dhe shoqëria, kuotat e së cilës zotëroheshin respektivisht 51 për qind nga Ashiku dhe 49 për qind nga Besarta Dika, nisi të lulëzojë me shpejtësi. Nga viti 2018 deri në vitin 2021, Converse Management Consulting arkëtoi gati 1 milionë euro. Por më pas, çështja e fondeve të IPARD nisi të hetohej nga OLAF dhe të ardhurat e CMC ranë pikiatë.

Hetimi i Olaf për shpërndarjen e fondeve të IPARD gjeti se AZHBR kishte abuzuar ose keqshpërndarë mbi 33 milionë euro nga paratë e taksapaguesve të BE-së, çka e shtyu Komisionin Europian të ndërmerrtë ndaj Shqipërisë masën e papreçedentë të ndërprerjes së fondeve.

Një nga mekanizmat kryesorë të abuzimit ishin pikërisht kompanitë e projekteve, të cilat sipas OLAF kryenin rolin e sekserit.

“Aplikantët për IPARD II ishin të detyruar të paguanin një përqindje të madhe të grantit të tyre për kompanitë e konsulencës të ‘përzgjedhura paraprakisht’, të cilat më pas do të lehtësonin kontratat me Agjencinë Shqiptare për Zhvillimin Rural dhe Bujqësinë (AZHBR), e cila shpërndante fondet,” thuhej në hetimin e OLAF.

Në mesin e fermerëve Ashiku njihej si lidhje kyçe për të patur sukses në aplikimet e AZHBR. Madje, nën zë disa prej tyre e cilësonin atë si sekserin kryesor të shpërndarjes së parave. Me sa duket këto zëra nuk paskan qenë thashetheme kot.

Sot Ashiku u thërrit në SPAK për t’u pyetur në lidhje me çështjen e fondeve të IPARD, ku qëndroi plot 3 orë.

Share it :