100 minuta fjalim/ Rama nuk e “lëshon” Ballukun, sulmon prokurorët e SPAK dhe bën për “gjynah” Karçanajn

100 minuta fjalim/ Rama nuk e “lëshon” Ballukun, sulmon prokurorët e SPAK dhe bën për “gjynah” Karçanajn

Edi Rama, në fjalën e tij prej rreth 100 minutash para kabinetit qeveritar dhe grupit parlamentar të PS-së ditën e sotme (26 shkurt), zbuloi se nuk do e “lëshojë” sërish Belinda Ballukun në duart e drejtësisë, sulmoi prokurorët e SPAK duke u shprehur se janë turrur në garën për mandatin e ardhshëm duke prerë fletë arreste, dhe bëri për gjynah Mirlinda Karçanajn e AKSHI-t e cila nuk ka ka makinë dhe jeton me qera!

Ndërkohë, zv.kryeminstrja dhe ministrja e pezulluar e Infrastrukturës, Belinda Balluku nuk mori pjesë në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Sulmet ndaj drejtësisë

Edi Rama vijoi sulmet ndaj punës së Prokurorisë së Posacme e cila e “dogji aty ku nuk i mban më” kur kërkoi arrestimin e të besuarës së tij, Belinda Ballukut.

Rama se në këtë mandat të afërt të SPAK po bëhen prerje të fletë arresteve pa hesap apo “në tufa”, teksa nuk kurseu as median duke e cilësuar si “tenxhere”.

Në sagën e sulmeve që ka nisur ndaj drejtësisë, Rama thotë se prokurorët janë turrur në garën për mandatin e ardhshëm të SPAK dhe të afërt, prandaj prejnë fletë arreste me tufa.

“Sot rruga e Shqipërisë dhe yjet që janë bashkuar bashkë e kanë sjellë që ne e kemi historinë në duart tona dhe ta shkruajmë me mendjen dhe forcën tonë. Shqipëria në BE nuk është një tjetër etapë e zhvillimit të vendit, por është historia e vendit. Dhe nuk është e lehtë të përqendrohesh përballë kësaj zhurme të përditshme e të përnatshme të bombave artizanale çdo natë që plasin tenxhere më tenxhere. Por ka filluar edhe një lëvizje sportive prokurorësh lartë e poshtë nëpër Shqipëri të cilët janë turrur në garën për mandatin e ardhshëm dhe të afërt të SPAK, duke prerë fletë arreste me tufa për çështje që në rastin më të mirë nuk janë fare çështje penale dhe në rastin më të keq kudonë botën që na rrethon, hetohen në gjendje të lirë. Siç ishte rasti emblematic i Durrësit ku vetëm prokurori mbeti pa i prerë vetes fletën e arrestit, ndërkohë që në dhjetëra e dhjetëra fletësh të prera nuk u kursye as një punonjëse model e shtetit 5 vjet në luftë me kancerin dhe me fëmijën në gji. Apo duke shpërndarë fletë-thirrje në prokurori që i ngjajnë biletave të teatrit.

Aktualisht që flasim, ne kemi arritur hyrjen në kapitullin e ri të procesit që është vlerësimi dhe pastaj marrja e dritës jeshile për ato që quhen pikat e ndërmjetme. Që janë një test shumë i lartë dhe kërkojnë përgatitje shumë të lartë, sepse kanë kërkuar edhe vite për ta kaluar, por ne duhet ta kalojmë për disa muaj e kjo do forcë. E kjo do të thotë përqendrim i të gjitha forcave në një drejtim. Jam besimplotë se do e kalojmë këtë test pavarësisht shkopinjve nën rrota dhe bombave artizanale dhe këtu se kam fjalën vetëm për bombat e opozitës, por edhe për ato që hedhin përpjetë kapakun e tenxheres mediatike dhe me gënjeshtra me lloj lloj boshtrash. Në atë kohë tenxherja e vetme ishte tellalli i qytetit, kurse sot tellalli i gënjeshtrave janë pas çdo butoni që shtyp për të marrë vesh ndonjë haber”, tha Rama.

Rama tha se sfida aktuale nuk qëndron te rreziku i ndërhyrjes së legjislativit apo ekzekutivit në drejtësi, por te mundësia që segmente të gjyqësorit të cenojnë funksionimin normal të dy pushteteve të tjera.

Teksa përmendi pezullimin e Belinda Ballukut nga një gjyqtar dhe prokuror në një seancë, sipas tij, pa gjyq, e cilësoi si rast të paprecedentë. Po ashtu, ai kritikoi përpjekjet për rritje pagash përmes vendimeve gjyqësore, duke argumentuar se përcaktimi i politikave të pagave dhe taksave është atribut i pushtetit legjislativ.

“Pas 100 e kusur vjetësh, ne i dhamë pavarësinë, prandaj dhe unë që e kam udhëhequr partinë dhe këtë shumicë në rrugën e përpjetë për pavarësinë e gjyqësorit, nuk bëhem kurrë pishman, pavarësisht bombave artificiale kur ndizen nga lloj lloj gjykatësish, që shija e pavarësisë i deh, i errëson sytë dhe i nis në drejtime që cenojnë pavarësinë e pushteteve të tjera, duke i bërë shkelës të lirive dhe të drejtave të njeriut. Prandaj dhe sot rreziku i udhëkryqit të mjegullt në këtë aspekt nuk është që legjislativi apo ekzekutivi të canojë pavarësinë e gjyqësorit, por gjyqësori të gjymtojë jo thjesht pavarësinë e dy të tjerëve, por aftësinë e dy të tjerëve për të funksionuar. Kjo ka ndodhur në vende të tjera, por kjo nuk mund të ndodhë në këtë vend sepse ky vend që është në ngjitje të vazhdueshme nuk e ka luksin të frenohet, jo më pastaj të ribjerë aty ku ishte. Çfarë është përveçse ndërhyrje brutale në territorin e pushteteve të tjera pezullimin i një ministri nga një gjykatës e prokuror, në një seanca pa gjyq, i ndodhur në historinë e botës?

Çfarë është përveçse ndërhyrje gjymtise në territorin e pushtetit legjislativ përpjekja e një shoqatë për të rritur pagat e veta me gjyq, që kur në historinë e republikave me tre pushtete, pushteti gjyqësor llogarit paga dhe përcakton politikat e pagave apo të taksave, të një vendi. Çfarë është rasti më i fundit, përveçse ndërhyrje në territorin e pushtetit legjislativ vendimi i GJK sesi parlamenti ka vendosur të ndajë komisionit parlamentare, hapu dhe i thonë kësaj. Por shpresa është që kjo fazë të jetë kalimtare dhe kuturisjet e përsëritura jashtë kornizës kushtetuese dhje ligjore të fashite pasi nuk do të kemi një pushtet gjyqësor të paanshëm, por as një shtet funksional, apo administratë publike e cila të japë më të mirën e vet për performancën e vet pa pasur frikë të marrë vendimi për blerjen e letrës higjienike. As do të kemi dot një sipërmarrje të lirë, deri larg qoftë një konsumuar të liruar nga frika se mos bjerë në sy. Këto janë leksione që vendet e tjera i kanë nxjerrë me vonesa të caktuara”, tha Edi Rama.

Më tej, duke e cilësuar veten dhe qeverinë e tij si mbështetësi më i madh i drejtësisë së pavarur, tha se pushteti gjyqësor reagon me shkrime nervoze ndaj deklaratave të tij kritikuese.

Mesa duket lideri është ndjerë keq dhe shtoi se Sali Berishës nuk i artikulohet asnjë deklaratë kur përpara SPAK del dhe nuk kursen aspak prokurorin e posaçëm Altin Dumanin.

“Kur dëgjoj që një gjykatës i thotë prokuroi, rëndoje dorën se e ke të lehtë akuzën apo një tjetër gjykatës në apel i jep një dënim dhe më të rëndë që kishte në shkallën e parë. Halli më i madh është se nuk ka asnjë reflektim të dukshëm në pushtetin gjyqësor. Këtë perceptim shqetësua ma forcon një fakt, që kur unë ngre shqetësime, këshillat e gjyqësorit dhe prokurorive më ngjeshin si pullë poste mbi fjalët e mija ca deklarata nervoze si ca njerëz që një daulle dasme i prish gjumin e drekës. Me ca thirrje për ca aktorë politikë për të mos i bërë presion drejtësisë, bla bla bla. Tani në këto kohë atij që nuk u bë dot pasardhësi im pasi ishte paraardhësi im, nuk ia artikulojnë dot një deklaratë, por gjysmë llafi dhe pasi del dhe lexon librin e shtëpisë prokurorit më kurajoz mu të dera e SPAK. Të merren me mesazhin jo me mesazherin se paguhen i frëngu pulën bashkë me sekretar e këshilltarë. Nga unë që u kam dorëzuar shatën e drejtësisë së pavarur që rrinte në zyrën time që nga viti 19912. Kurrë nuk do të ndërdyjmë në çështjet e drejtësisë, siguria juridike e qytetarëve, garancitë e procesit”, tha Rama.

“Karçanaj pa shtëpi e makinë”

Pasi e shtrydhi mirë e mirë dhe e flaku si mbeturinë, Rama i doli sot në mbrojtje ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, duke thënë se çfarë do të ndodhë nëse ajo shpallet e pafajshme.

Rama thotë se ajo jeton në shtëpi me qira dhe nuk nget makinë pasi nuk e ka një të tillë.

Ndërkohë, kujtojmë se SPAK e akuzon Mirlinda Karçanajn për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”

Kam folur edhe për AKSHI-n dhe drejtoreshën që ndodhet në arrest shtëpie, nuk dua te them asgjë për përmbajtën e çështjes, por di të them një gjë që ky shtet nuk mund të jetë vendi ku një institucion krenarie si AKSHI, të bwhet shesh për të mbytur psikologjikisht inxhiniere dhe vajza e djem që me në krye drejtoren e atij institucioni kanë punuar pa orar, duke bërë punë. Njerëzit kanë të drejtë të prezumohen të pafajshëm dhe tu jepet mundësia të hetohen të pafajshëm derisa të provohet ose jo fajësia e tyre Po sikur Linda Karcanaj të jetë krejt e pafajshëm dhe jo një kriminele, pjesë e një grupi të strukturuar, si personazhi që ka krijuar për të nguti për ta arrestuar dhe për ta masakruar me bomba artizanale, tenxhere më tenxhere, duke i vënë në kurriz vila e makina, ndërkohë që jeton në shtëpi me qira dhe që sic mora vesh as nuk e nget makinë dhe nuk e ka një të tillë”, tha Rama.

“Berisha, plak me ‘dërrasa mangut’”

Rama komentoi edhe gjendjen e opozitës, duke e cilësuar atë si të drejtuar nga “një plak i marrë me 5 dërrasa mangut”. Sipas Ramës, Berisha tërheq zvarrë 500 qytetarë që punojnë për të cenuar imazhin e Shqipërisë.

“Mali i Zi ka të njëjtat probleme si ne, por a keni parë ndonjë bombë artizanale që të shpërthejë në gazeta? Asnjëherë. Jo se atje nuk ka opozitë, por se atje është një hotel me 5 yje ku turistë nga e gjithë bota kontribuojnë në të ardhurat e shtetit.

Këtu është një plak i marrë me 5 dërrasa mangut që tërheq zvarrë 500 qytetarë që punojnë, për të cenuar imazhin e Shqipërisë duke shpërndarë fotografi. Ekzaktesisht CEO më ka marrë në telefon dhe më ka thënë: çfarë po ndodh atje, sepse jemi në diskutime për ta sjellë në Shqipëri “One&Only”. Është një detaj se si infektohet Shqipëria nga një barbari e tillë”- tha Rama.

“Avokati mbrojtës” i Ballukut

Rama tha sot se do të presë raportin e Këshillit të Mandateve përpara se të thotë fjalën e fundit lidhur me kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e zv.kryeministres, Belinda Balluku.

Ai ripërsëriti se zëvendës kryeministrja e ka dhënë 3 herë dorëheqjen por se është refuzuar prej tij. Teksa vijonte avokaturën, Rama tha se ndaj Ballukut nuk është ngritur akuzë për korrupsion por për shkelje të barazisë në tendera.

“Nuk do të merrem me procesin që ka nisur në Kuvend sepse normalisht o pres raportin e Këshillit të Mandateve përpara se të them fjalën time shteruese për temën e imunitetit. Belinda Balluku mua ma ka dorëzuar dorëheqjen tre herë, që kur iu ngrit akuza në fillim, jo për korrupsion. Akuza nuk është për korrupsion, por për pabarazi në tendera, pastaj ma ka sjellë përsëri me shkrim dorëheqjen kur u bë pezullimi dhe pastaj edhe një herë të tretë kur u ripezullua nga mos vendimi i Kushtetueses, e kam hedhur unë poshtë idenë e dorëheqjen.

Pse dua që ta ndaj publikisht, sepse kam bindjen që në këtë fazën revolucionare, ku ndryshe nga vendet me drejtësi, në Shqipëri drejtësia sa ka nisur ta shijojë pavarësinë. Nuk mund të hyjmë në vallen e dorëheqjeve, sa herë del një akuzë. Në do bëjmë punën tonë, drejtësia të vetën. E di teorinë e dorëheqjes morale që nuk praktikohet kudo dhe kurdo, por sot në Shqipëri, por ku përmes SPAK ka nisur të bëjë një shërbim të pamohueshëm për vendin, por po bën një dëm mbi administratën duke e përmbysur faktikisht parimin e prezumimit të pafajësisë.

Qeverisja e vendit nuk mund të kurdiset dhe çkurdiset sa herë që ka një akuzë. Kjo nuk ndodh në Itali, as në Francë nuk ndodh gjithmonë”- tha Rama.

Share it :