Bllokimi i rrugës Librazhd- Prrenjas/ E sëmura me dializë: Duhet të shkoj çdo dy ditë në spital

Pacientët e bllokuar të zonës juglindore rrezikojnë shëndetin

Organizata Together for Life i bëri thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të garantojë vijimin e marrjes së shërbimeve për pacientët e juglindjes me nevoja shëndetësore imediate, në kushtet e bllokimit të qarkullimit prej katër ditësh në qytetet e prekura nga rrëshqitjet e tokës në aksin Librazhd–Prrenjas.

Organizata jofitimprurëse Together for Life, e cila merret me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe kryesisht të shtresave në nevojë, ka reaguar lidhur me situatën e bllokimit të qarkullimit në juglindje të Shqipërisë, që po ndikon në mirëqenien dhe shëndetin e pacientëve, të cilët e kanë të nevojshëm udhëtimin nëpërmjet aksit nacional Librazhd–Prrenjas.

Ata i bëjnë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për reagim të menjëhershëm me një plan konkret dhe të zbatueshëm masash, për të garantuar që pacientët të marrin shërbimin, në mënyrë që shëndeti i tyre të mos rrezikohet.

“Të garantohet vazhdimësia e shërbimeve shëndetësore për pacientët e zonës juglindore të vendit, e cila prej ditësh ndodhet e izoluar për shkak të shembjes së segmentit të rrugës kombëtare, pjesë e Korridorit 8, në fshatin Dragostunjë, Librazhd”, shkruhet në reagimin e Together for Life.

Që prej 21 shkurtit, aksi Librazhd–Prrenjas vijon të jetë i mbyllur për shkak të rrëshqitjes së dherave dhe të tokës, duke shkaktuar kështu një paralizim të qarkullimit në juglindje të vendit.

Bllokimi i këtij aksi rrugor ka ndërprerë aksesin e qindra pacientëve drejt shërbimeve të specializuara shëndetësore në Tiranë, duke vënë në rrezik serioz shëndetin dhe jetën e tyre.

Sipas Together for Life, disa prej pacientëve që rrezikojnë seriozisht shëndetin janë ata me insuficiencë renale, që kanë nevojë për seanca të rregullta hemodialize në Tiranë; pacientët e spitalit onkologjik që kanë seancat e planifikuara të kimioterapisë; pacientë që kanë ndërhyrje kirurgjikale të planifikuara; apo edhe ata me emergjenca të tjera shëndetësore që kërkojnë trajtim në Tiranë.

“Çdo vonesë në trajtim për këto kategori pacientësh përkthehet në përkeqësim të gjendjes shëndetësore, rritje të riskut për komplikacione serioze dhe, në ndonjë rast, rrezik për jetën”, shkruhet në deklaratën publike të Together for Life.

Together for Life bëri thirrje që Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të organizojë strukturat e Urgjencës Kombëtare për të garantuar aksesin e menjëhershëm në shërbimet shëndetësore të nevojshme.

“Në kushtet kur një zonë e tërë e vendit mbetet e izoluar, reagimi institucional nuk mund të jetë i vonuar”, u shprehën përfaqësuesit e organizatës./ BIRN

Share it :