Klodian Braho thirret në Bruksel, BE-ja kërkon prova në luftën kundër korrupsionit

Klodian Braho thirret në Bruksel, BE-ja kërkon prova në luftën kundër korrupsionit

Kreu i SPAK, Klodian Braho, është thirrur më 3 mars në Bruksel në një takim ku diskutohen çështjet e drejtësisë dhe antikorrupsionit në vendin tonë.
Në axhendën e miratuar të martën pasdite nga ambasadorët e 27 shteteve anëtare thuhet se takimi i 7-të i Komitetit të Drejtësisë dhe Sigurisë do të përqendrohet në reformat kritike të integrimit, konkretisht në sigurimin e pavarësinë se gjyqësorit, sundimin e ligjit si dhe veprimet konkrete kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në materialin paraprak theksohet gjithashtu se Shqipëria duhet që të vijojë përpjekjet e saj për të forcuar zbatimin e ligjit, përafrimin e politikave të vizave dhe menaxhimin e migracionit të paligjshëm.

Rezultatet operacionale kërkohen gjithashtu në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të drogës, veçanërisht kundër kultivimit të kanabisit, dhe për të parandaluar pastrimin e parave. Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, pritet të jetë gjithashtu i pranishëm në këtë takim. Ky takim shihet si një test provë për rezultatet konkrete që zyrtarët shqiptarë do të paraqesin përpara se shtetet anëtare të BE-se të vendosin nëse do t’i japin dritën jeshile raportit paraprak IBAR për Shqipërinë që ka të bëjë me zbatimin e kritereve të kapitujve 23-24 që përfshijnë pavarësinë e gjyqësorit, një raport pa aprovimin e të cilit nuk nis procesi i mbylljes së grupkapitujve të negociatave të pranimit.

Sipas zyrtarëve evropianë roli i SPAK-ut dhe GJKKO dhe pavarësia e tyre në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve komplekse të korrupsionit dhe krimit të organizuar është një gur themeli i reformës në drejtësi të vitit 2016.

BE-ja mbështet dhe promovon konsolidimin e vazhdueshëm të kësaj reforme si një pjesë integrale e negociatave të pranimit të Shqipërisë. SPAK ka kontribuar në përpjekjet e përgjithshme të Shqipërisë për të siguruar një historik të besueshëm kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe përfshirjen e zyrtarëve politikë të nivelit të lartë në këto akte. Gjithashtu kërkohet të rritet efektiviteti i verifikimit të deklaratave të pasurisë të paraqitura periodikisht nga zyrtarët shtetërorë. Komisioni Evropian gjithashtu kujton nevojën për të adresuar rekomandimet e pazgjidhura të GRECO-s. Komisioni Evropian inkurajon krijimin sa më shpejt të jetë e mundur të një Observatori Kombëtar të Drogave, i cili duhet që të jetë plotësisht funksional dhe i pajisur me burime të mjaftueshme financiare.

Share it :