Shembet aksi rrugor Boboshticë–Dardhë, 5 vite më parë u rivesh asfalti nga FSHZH
Pasi Korça është paralizuar nga shembja e aksit kryesor në Librazhd, duket se probleme me akset janë edhe brenda qarkut. Këtë të martë është çarë në kilometrin 9.5 rruga Boboshticë–Dardhë. Kjo ka sjellë kufizimin e lëvizjes me një korësi teksa qytetarët duhet të kenë kujdes teksa lëvizin në këtë aks.
Çarjet dhe shembjet e rrugës në qarkun e Korçës duket se nuk kanë të sosur. Përveç se e gjithe juglindja e vendit është paralizuar, tashme edhe brenda qarkut ka probleme me shembje të rrugëve që kanë pak vite që janë inauguruar.
Këtë të martë (24 shkurt) është çarja në kilometrin 9.5 të rrugës Boboshticë–Dardhë dhe lëvizja kufizohet në një korsi.
Autoriteti rrugor ka shkuar në terren për të vlerësuar gjendjen, ndërsa po shqyrtohen masat për stabilizimin e segmentit.
Në zonë është vendosur sinjalistikë kufizuese për të garantuar sigurinë e qarkullimit. Ky aks me gjatësi 13.6 kilometra, që lidh fshatin Boboshticë me fshatin turistik të Dardhës, përbën një nga nyjet më të rëndësishme rrugore për zonën e Korçë, sidomos gjatë sezonit turistik dhe në periudhën e dimrit kur fluksi i mjeteve rritet ndjeshëm.
Rreth pesë vite më parë, në këtë segment u realizua një riveshje me asfalt, si pjesë e një investimi të financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH), me synim përmirësimin e kushteve të qarkullimit dhe rritjen e standardeve të sigurisë rrugore.
Ndërhyrja konsistoi në sistemimin e shtresave asfaltike përgjatë gjithë gjatësisë së aksit, duke synuar ta bënte rrugën më të qëndrueshme ndaj kushteve atmosferike dhe amortizimit.
Megjithatë kjo situatë tregon se cilësia e punimeve ka qenë e dobët dhe e ka sërish të nevojshme ndërhyrjen.
Segmenti Boboshticë- Dardhë mbetet një një rrugë jetike për zhvillimin turistik të Dardhës dhe për ekonominë lokale. Kjo problematikë vjen në një moment ku rrugët në Shqipëri kanë sjellë situatë kaotike për qarkullimin e të gjitha mjeteve dhe duke e paralizuar qarkullimin në qarkun juglindor.






