PS nuk dorëzon Ballukun, akuza për kërcënim dhe joshje dëshmitarësh
Pesë orët e diskutimit në Këshillin e Mandateve bënë bashkë SPAK dhe opozitën mbi kërkesën për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku, por gjetën ende refuzimin e mazhorancës.
Pritet ditët në vijim se çfarë do të ndodhë dhe gjithçka varet nga vendimi politik i PS-së, pasi ai juridik, duket se është rënduar edhe më shumë për Ballukun.
Faktet e reja
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazmend Bardhi, pas përfundimit të mbledhjes, dha hollësi mbi gjithçka ishte diskutuar, duke u shprehur se mbledhja ishte regjistruar nga ana e opozitës dhe se ishte i lirë të tregonte gjithçka, pasi sipas tij, nuk kishte një vendim me votim nga Këshilli i Mandateve që mbledhja të ishte sekret me dyer të mbyllura.
Duke shfrytëzuar këtë hollësi, Bardhi dha detaje nga qëndrimi i Prokurorisë Speciale.
Prokuroria tha se kur u kërkua ndaj Ballukut masa ndaluese, ajo rrezikonte dënim në maksimum deri në 10 vite burg. Sot që flasim, u shprehën prokurorët, nëse provohen të gjitha akuzat e ngritura ajo rrezikon në maksimum 35 vite burg”, tha Bardhi, duke iu referuar qëndrimeve në mbledhje.
Sipas tij, “kjo tregon se jemi në një situatë të rënduar sa i takon krimeve të kryera nga Balluku”
“Prokurorët në një dëshmi tronditëse i kanë vendosur në dispozicion Këshillit të Mandateve provat konkrete se si Balluku përmes dy formave, të fortëve që kanë kërcënuar me jetë dëshmitarë në çështjen Balluku dhe forma e dytë përmes zyrtarëve, anëtarë të kabinetit të Ballukut, që kanë kërcënuar dëshmitarët se do hiqeshin nga puna familjarët atyre që dëshmonin ndaj Ballukut dhe më pas i kanë ofruar edhe para që të ndryshonin dëshmitë që kanë dhënë”, tha Bardhi.
Mazhoranca
Për shkak të forcës së kartonit, dhënia e autorizimit për arrestimin ose jo të Belinda Ballukut tashmë është në duart e opozitës.
Kreu i Grupit Parlamentar Socialist. Taulant Balla, la të kuptohet se në fazën aktuale nuk do të aprovojnë kërkesën e SPAK.
“Në përfundim të këtij procesi, duke qenë se pala tjetër e kishte marrë vendimin para se të bëhej shqyrtimi, ndërkohë që në rastin tonë, në emër të 5 deputetëve, kam informuar Këshillin e Mandateve, ne nuk ishim dakord me atë mënyrë sesi është propozuar. Do të keni një informim nga ana ime dhe anëtarëve të tjerë në një nga mbledhjet e para të grupit. Pas atij komunikimi, grupi parlamentar i Partisë Socialiste, në përfundim të këtij procesi, sapo kolegu Ulsi Manja të ketë hartuar raportin në emër të pesëshes sonë. Masa e pezullimit besoj se është e mjaftueshme”, tha Balla.
Prokuroria
Prokuroria Speciale SPAK më datë 16 dhjetor dërgoi në Kuvend kërkesën për marrjen e autorizimit për “arrestimin e ish-ministres Belinda Balluku”. Ajo akuzohet për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve të ankende ose tendera publike”, në nëntë raste.
Ato përfshijnë hetimet për Tunelin e Llogarasë dhe disa lote të Unazës së Madhe në Tiranë. Si pjesë e këtij hetimi në SPAK janë paraqitur biznesmenë dhe persona të tjerë që dyshohet se kanë lidhje me veprimtarinë e Belinda Ballukut.
Së fundmi edhe Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e kryeministrit si të papajtueshëm me Kushtetutën masën e pezullimit të saj nga detyra. Me votimin katër pro dhe katër kundër, tetë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese lanë në fuqi vendimin e GJKKO-së për masën e sigurisë: “Pezullim nga detyra dhe bllokim të pasaportës për të dalë jashtë vendit”. Kjo masë sipas mazhorancës është e mjaftueshme që SPAK të hetojë. /Faktoje.al






