Ermal Beqirin e kërkon SPAK, Apeli i dhuron tenderin 2.5 mld € – Rrëzohet kërkesa e Gerond Meçes
Nga Elton Qyno – Syri.net/
I shpalluri në kërkim nga prokuroria e Posaçme, biznesmeni i “Soft-Solution”, Ermal Beqiri, nga arratia ka fituar në gjykatë e Apelit të drejtën e marrjes së një tenderi pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor me vlerë 2 miliard e 532 milion lekë të vjetra.
Treshja e gjyqtarëve Administrativë të Apelit Tiranë, Sokol Ibi, Gentian Hamiti dhe Eriol Roshi, mësohet se në muajin Janar 2026, i ka dhënë të drejtë Ermal Beqiri për të fituar tenderin, duke rrëzuar kërkesën ABS-së së Gerond Meçes dhe “Datalog” të Sokol Sinanit, të cilët kishin kërkuar në gjykatë vendosjen e sigurimit të padisë dhe urdhërimin e pezullimit të efekteve Juridike të tenderit të KLGJ-së.
Tenderi i KLGJ-së, u shpall në muajin Shtator 2025, ku vlera fillestare ishte 3 miliard e 378 milion lekë të vjetra. Në këtë tender hynë në garë dy Bashkime Operatorësh Ekonomikë (BOE).
Qëllimi i tenderit të zhvilluar nga KLGJ-ja është ndërtimit të një sistemi kompjuterik i quajtur “Sistem Enterprise Service Bus” (ESB). Ky sistem është një ndërlidhës Shërbimesh Ndërmarrjeje i centralizuar i softuerit që përdoret për të integruar aplikacione, shërbime dhe sisteme të ndara brenda një organizate.
Ai vepron si një shtyllë kurrizore komunikimi, duke trajtuar rrugëzimin e mesazheve, transformimin e të dhënave, konvertimin e protokolleve dhe orkestrimin e shërbimeve për të mundësuar ndërveprim të pandërprerë dhe në kohë reale midis sistemeve heterogjene, shpesh të vendosura në ambientet e tyre.
Për ndërtimin e këtij sistemi, KLGJ akordoi një shifër financiare prej mbi 3 miliard lekë, Ndërsa në garë hynë dy Bashkime Operatorësh Ekonomikë.
E para ishte Bashkimi i Kompanive “Datalog” e Sokol Sinanit, e cila së bashku me “Advanced Bussines Solution ABS” të Gerond Meçes, ofruan një shumë financiare prej 2 miliard e 563 milion lekë.
Kjo ofertë rezultoi humbëse nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, i cili shpalli fituese ofertën ekonomike prej 2 miliard e 532 milion lekë të vjetra, e cila është dhënë nga bashkimi i operatorëve “Soft-Solution” dhe “Horizon”, dy kompani që zotërohen nga biznesmeni i shpallur në kërkim nga SPAK, Ermal Beqiri.
Sipas dokumenteve të siguruara nga gazetari Elton Qyno, në datën 2 Tetor 2025 autoriteti kontraktor KLGJ ka publikuar në SPE fituesin në këtë procedurë prokurimi palën e paditur në Gjykatën Administrative, Bashkimi i Operatorëve Ekonomikë “Soft&Solution” shpk & “Horizon” shpk
Mbi ankesën e palës “ABS” dhe “Detalog”, drejtuar Komisionit të shqyrtimit të ankesave dhe KPP kundër vendimit të KVO-së për kualifikimin e palës së paditur Bashkimi i Operatorëve Ekonomikë “Soft&Solution” shpk & “Horizon” shpk, Komisioni i Shqyrtimit të ankesave me vendim ka refuzuar ankesën e palës paditëse.
Ndërkohë Komisioni i Prokurimeve Publike në datën 30 Dhjetor 2025 vendosi, të mos pranojë ankesën e paraqitur nga pala paditëse.
Këtë vendim të KPP, “ABS” dhe “Datalog”, e ka kundërshtuar me padi në gjykatën Administrative, duke kërkuar shfuqizimin e tij dhe skualifikimin e ofertës së paraqitur nga pala e paditur Bashkimi i Operatorëve Ekonomikë “Soft&Solution” shpk & “Horizon” shpk.
Pala paditëse, ka kërkuar edhe marrjen e masës së sigurimit të padisë, pezullimin e efekteve të këtij vendimi të KPP-së, ndalimin e lidhjes së kontratës administrative deri në zgjidhjen e kësaj çështje me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Pala paditëse pretendoi se nga zbatimi i këtij akti administrativ asaj i shkaktohet një dëm i rëndë, i atëçastëm dhe i pariparueshëm.
Dëmi i rëndë sipas paditësve Sokol Sinani dhe Gerond Meçe, lidhet me interesin publik, i cili dëmtohet në rastin konkret nga përfundimi i kësaj procedure prokurimi në kundërshtim me ligjin.
Nga ana tjetër, pala e paditur KPP, Bashkimi i Operatorëve Ekonomikë “Soft&Solution” shpk dhe “Horizon” shpk dhe avokatura e shtetit në prapësimet e tyre me shkrim kërkojnë rrëzimin e kërkesës për marrjen e masës së sigurimit të padisë me pretendimin se, nuk plotësohen kushtet ligjore për marrjen e masës së sigurimit të padisë, për mundësinë e shkaktimit të një dëmi të rëndë të atëçastëm dhe të pariparueshëm për palën paditëse.
Për më tepër thotë Ermal Beqiri se: “…nëse merret masa e sigurimit të padisë dhe pezullohet ekzekutimi i vendimit të KPP-së, dëmtohet rëndë interesi publik, pasi autoritetit kontraktor i refuzohet marrja e këtij shërbimi për të cilin ka nisur kjo procedurë prokurimi…”.
Nisur nga kjo situatë në datën 13 Janar 2026, treshja e Gjykatës Administrative të Apelit, ka vendosur të rrëzojë kërkesën e biznesmenëve, Sokol Sinanit dhe Gerond Meçes, duke lejuar Ermal Beqirin të vijojë procedurat e kryerjes së punimeve në ambientet e KLGJ me qëllim ndërtimin e sistemit “Sistem Enterprise Service Bus” (ESB).






