Gazi lotsjellës në xhami dhe Komuniteti Mysliman në “agoni”
Në muajin e shenjtë të Ramazanit dhjetëra besimtarë përjetuan çaste tmerri kur vendi i shenjtë u mbulua nga gazi lotsjellës i dalë nga “pushkët” e policisë.
Duke gjëmuar protestuesit e opozitës sytë e errësuar të strukturave të rendit servirën “pjatën e helmit” për besimtarët agjërues. Për këtë ngjarje reagoi zyrtarisht Komuniteti Mysliman Shqiptar duke u bërë thirrje palëve për vetëpërmbajtje dhe duke u kujtuar se e drejta e besimit është sa kushtetuese aq edhe njerëzore.
Një qëndrim tepër korrekt në dukje, por pa i rënë në kokë problemit. Në protestë kishte dy palë: policë që mbronin copat e pllakave të trotuarit pranë “vendit të shenjtë” të politikës (Parlamentit) dhe protestues që hidhnin molotov. Kjo përplasje ndodhi pranë Xhamisë së Namazgjasë. Komuniteti Mysliman Shqiptar në qëndrimin zyrtar flet për “përmbajtje të palëve”.
Besimtarët janë në të drejtën e tyre mëse ligjore e Hyjnore por qëndrimi zyrtar ështe në gjuhë te drunjtë me shumë diplomaci, por fatkeqësisht me pak vërtetësi. Besimtarët u cënuan nga gazi lotsjellës i policisë dhe jo nga molotovi i protestuesve.
Kjo “hollësi” duhej thënë me forcë të madhe. Policia i kishte të gjitha mundësitë të përmbahej në hedhjen e gazit, mu bash e në oborrin e vendit të shenjtë për besimtarët por nuk e bëri duke shkelur çdo protokoll sa ligjor aq e njerëzor. Sikurse e drejta e besimit është kushtetuese edhe e drejta e protestës është kushtetuese, qoftë kjo edhe revoltë me akte që ligji i konsideron dhunë.
Tentativa për të bërë bashkë policë e protestues si përgjegjës të barabartë nuk zgjidh të drejtën e besimtarëve të thjeshtë qytetarë, të cilët në muajin e shenjtë të sakrificës dhe mirësisë përballen me gazin e skaduar të qeverisjes
Nga Bold News






