Berisha publikon dëshminë e prindit të të miturit: I futën molotovët tek çanta e shkollës dhe e arrestuan më pas
Kryetari i PD, Sali Berisha ka publikuar një dëshmi të prindit të një të mituri i cili, sipas tij, u përdor dhe u arrestua padrejtësisht gjatë protestës së 20 shkurtit.
Dëshmia e prindit tregon se djali i tij dhe kushëriri i tij 14-vjeçar ishin duke shkuar për në shtëpi dhe kishin ndaluar për të ngrënë, kur disa individë iu afruan dhe iu futën koktej Molotovi në çantën e shkollës. Disa minuta më vonë, ata u arrestuan nga civilët, të cilët i akuzuan se kishin marrë para për të marrë pjesë në protestë.
Berisha e përshkruan këtë si një skenar të paraorganizuar dhe denoncon sjelljen antiligjore të një pjese të policisë, duke i bërë thirrje atyre që të mos ndjekin udhëzimet e kriminelëve të lartë të qeverisë.
Berisha: Do u lutesha shumë të dëgjoni e prindit dhe të njërit prej këtyre të miturve.
“Djali ka qenë duke ngrënë sufllaqe bashkë me kushëririn e vet 14 vjeç. Kanë qenë duke ardhur këtej nga krahu i Lanës, sa kanë kaluar shkollën Ismail Qemali. Tek Ura e Tabakëve. Kanë pasur çantën e shpinës të shkollës me gjithë librat. Ka ardhur njëri dhe ua ka futur në çantë. Këta janë trembur se nuk i njihnin se ishte gjithë ai burrë. I ka thënë shkoni dhe hidhini tek protesta. I kanë kapur në orën 8 pa ca kur ne ishim akoma tek protesta. Dhe po u kapi njeri, thoni që na kanë dhënë lekë. Në atë moment, nuk kanë bërë djemtë as 10 hapa, kanë ardhur civilët dhe i kanë arrestuar. Imagjino ti”.
Tani, shihni se çfarë skenari parapërgatisin.
Janë ndaluar, janë shoqëruar mbi 50 demonstrues.
Një pjesë e mirë e tyre nuk kanë marrë kurrë pjesë në protesta.
Një pjesë e policisë janë sjellë me rrugaçëri, në mënyrë antiligjore, janë sjellë si patronazhistë dhe kriminelë të vërtetë.
Ndërkohë mund t’u them se dje ka pasur një dallim të qartë në qëndrimin e një pjese të mirë të policisë, e cila ka realizuar dhe po realizon se mbrojtja e hajdutëve nuk është detyrë në emër të ligjit dhe të atdheut.
Dhe unë i përgëzoj ata dhe ftoj policët e ndershëm, familjarë të ndershëm, burra, gra, vëllezër, motra të familjeve të mira të mos ndjekin udhëzimet e kriminelëve Proda dhe Bizhga, por në rastin më të parë të bashkohen me demonstruesit.
Edi Rama është një armik i qenies së tyre, i kombit shqiptar, është një armik i paimagjinueshëm që po i bën vendit të zezën më të madhe që i ka bërë ndokush me ligjin mburojë për të mbrojtur vjedhjet e tij, të Lubisë dhe ministrave të tij.






