Ndodh edhe kjo/ SPAK kthen mjetin me të cilin u mor peng Gerond Meçe
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur t’i kthejë pronarit të ligjshëm automjetin tip “Land Rover Defender”, me targë “AC 121 JJ”, i cili u përdor në gusht 2025 në rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe, administrator i kompanisë “Advanced Business Solutions”, ABS.
Sipas vendimit të firmosur nga prokurori i SPAK, Bledar Maksutaj dhe të botuar në Syri.net pas kryerjes së veprimeve proceduriale dhe këqyrjes së mjetit nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, “nuk ka rezultuar të dhëna me interes për hetimin”. Në arsyetim thuhet se sendi “nuk është më i domosdoshëm për t’u mbajtur nga ana jonë” dhe për këtë arsye automjeti duhet t’i kthehet pronarit të ligjshëm, shtetasit Endrit Merkaj.
Vendimi mban datën 20 janar 2026. Fillimisht, mjeti ishte sekuestruar si send i përdorur për kryerjen e veprës penale të “Heqjes së paligjshme të lirisë” ndaj Gerond Meçes.
Sipas hetimeve, automjeti ngjyrë e zezë u përdor më 12 gusht 2025 nga disa persona për të rrëmbyer biznesmenin në Tiranë. Meçe ka deklaruar se është dërguar në zonën e Gracenit, ku është mbajtur nën presion psikologjik dhe është detyruar të tërhiqet nga disa ankesa për tendera të depozituara në Komisionin e Prokurimeve Publike.
Makina u sekuestrua më 15 dhjetor 2025 në kuadër të hetimeve për të njëjtën vepër penale, ku në fokus janë edhe Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, të shpallur në kërkim nga SPAK. Të dy kanë kundërshtuar akuzat, duke mohuar përfshirjen në rrëmbim.
Sipas dyshimeve të ngritura nga prokuroria, një kontratë shit blerjeje e gjetur në vilën e Agasit në kompleksin “Panto” në Mullet, ka shërbyer si element lidhës mes tij dhe ngjarjes. Kontrata është nënshkruar mes një shtetaseje me mbiemrin Hoxhaj, e identifikuar si bashkëshortja e Endrit Merkaj, dhe biznesmenit të ndërtimit Arjan Ormenaj, i shpallur në kërkim që prej vitit 2024.
Rrëmbimi i Gerond Meçes u krye në mes të Tiranës, pa përdorim force të dukshme dhe pa shkaktuar alarm publik. Sipas dëshmisë së tij para hetuesve të BKH, pasi është lënë në rrugë pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit, ai ka ndaluar një automjet të kompanisë së tij që drejtohej nga inxhinieri Jorgis Sollaku.
Në dëshminë e tij, Meçe ka deklaruar: “…kam zbritur nga makina e pengmarrësve dhe kam dalë në rrugën nacionale, duke u drejtuar drejt rrethrrotullimit të vjetër të Bradasheshit, ku ndodhet karburanti. Rastësisht, duke pritur për makina të rastit apo autobus, ka kaluar një makinë e zyrës sime me shofer inxhinierin Jorgis Sollaku, i cili kishte qenë për punë në Berat…”.
Ai ka shtuar më tej: “…Jorgis Sollaku nuk i ka treguar asgjë, por më ka sjellë në Tiranë deri te ‘Toptani’, ku kam shkuar në zyrën time. Aty kam marrë vesh se familja e kishte kuptuar që mund të isha rrëmbyer dhe po prisnin orën 18:00 për të bërë denoncimin, pasi kontaktet ishin shkëputur që nga ora 15:00…”.
Katër personat e dyshuar për rrëmbimin janë filmuar nga kamera sigurie të bizneseve pranë vendit të ngjarjes. Në pamje ata shfaqen pa maska, vetëm me kapele, dhe fytyrat rezultojnë të dallueshme.
Megjithatë, deri tani autorët nuk janë identifikuar dhe as arrestuar. Mbetet e paqartë pse, pavarësisht ekzistencës së pamjeve filmike, hetimi nuk ka prodhuar rezultate konkrete për identifikimin e tyre dhe nëse pas kësaj vonese fshihet paaftësi hetimore apo mbrojtje nga struktura të tjera.






