Bardhi dhe deputetët e PD përplasen me policinë: Po terrorizoni qytetarët, largohuni
Deputetët e Partisë Demokratike janë përplasur me policinë e shtetit pranë Xhamisë së Namazgjasë, gjatë protestës së sotme. Gazmend Bardhi, Klevis Balliu, Belind Këlliçi dhe shumë deputetë të tjerë kërkuan me forcë largimin e forcave të policisë nga zona dhe tërheqjen e policëve civilë.
Bardhi ka kërkuar me tone të ashpra: “Për çfarë rrini këtu? Për çfarë arrestoni qytetarët? Pse po terrorizoni njerëzit? Çfarë bëni duke shoqëruar qytetarët kot me kot? Largohuni, largohuni… po terrorizoni njerëzit!”
Ndërkohë, Balliu ka theksuar: “Kur të mbarojë protesta, vazhdoni detyrën tuaj. Detyra juaj nuk është të arrestoni qytetarët. Jeni në selinë e PD, keni rrethuar deputetët…” Për më tepër, Këlliçi ka theksuar se deputetët po mbrojnë qytetarët nga “njerëz pa uniforme” të cilët po i arrestojnë, duke i quajtur ata “horrat pa uniforme” dhe duke kërkuar largimin e tyre nga zona
Në të njëjtën kohë, qytetarët kanë brohoritur kundër policisë, duke kërkuar largimin e forcave të rendit nga protestuesit dhe duke bërë thirrje të fuqishme: “Hajdutë!”






