Abilekaj: Rama drejtohet nga frika, përdor policinë si instrument kontrolli

Abilekaj: Rama drejtohet nga frika, përdor policinë si instrument kontrolli

Gazetari Anton Abilekaj theksoi se videoja e fundit nga Durrësi ku një protestues kundër projektit TID u shoqërua në polici vetëm pse i drejtoi një batutë kryeministrit Edi Rama, tregon qartë se lideri po drejtohet nga frika dhe paranoja, duke përdorur pushtetin për të kontrolluar qytetarët dhe institucionet.

Abilekaj theksoi se urdhri i dhënë policisë ndaj një qytetari që e konfrontonte verbalisht ilustron mënyrën se si shteti, policia dhe qytetari perceptohen si instrumente në shërbim të pushtetit, dhe jo sipas ligjit.

Ai paralajmëroi se ky incident nuk është një rast i izoluar, por pasqyron një model qeverisjeje ku dhuna, presioni politik dhe frika udhëheqin vendimmarrjen, duke diskredituar institucionet dhe degradimin e pushtetit.

“Është një video emblematike. E para, përmbledh sesi Rama trajton raportin qytetar–shtet, edhe policinë. Po, po, shtet–policia dhe qytetari. Në momentin që një qytetar i flet ashtu si nuk do ai, ai urdhëron policinë sikur policia të ishte nën vasalin e tij. Policia e shtetit nuk ka asnjë lidhje me kryeministrin, fare, zero. Nuk i jep dot urdhër kryeministri policisë së shtetit, sipas ligjit. Policia e shtetit, ashtu si në protestat e opozitës, nuk e kupton që duhet të zbatojë ligjin dhe jo urdhrin politik. Por një politikë me policë patronazhistë dhe militantë, sigurisht që do të zbatojë urdhrin politik para ligjit.

E dyta, jo vetëm aty, po edhe kur doli zoti Rama tek videoja e plotë, sapo dikush i thoshte “hajdut, i korruptuar”, dhe i përmendte emrat e të akuzuarve që ka rrotull, ai reagonte duke sharë Partinë Demokratike dhe opozitën, duke sharë Berishën, sikur ata ishin kryesia e PD-së aty. Domethënë, ai ka filluar të ketë aq shumë frikë, aq shumë paranojë tani, sa çdo akuzë i duket sikur i vjen nga SPAK-u, jo nga ata që janë aty.

Kështu që mendoj se kjo tregon se ky njeri nuk mund të qeverisë më. Ajo që e drejton këtë njeri është frika. Dhe ajo që ndodhi në atë ditë, të shtunën që shkoi në Durrës, është e ngjashme me atë që ndodhi të martën në protestën e opozitës, më 10 janar, dhe gjithashtu me atë që ndodhi më 24 janar në protestën e opozitës: një qeveri e trembur nga qytetarët, e trembur nga populli, e trembur nga ajo që ka bërë vetë, që sapo ka filluar t’i dalin lakrat dhe mundohet të ushtrojë dhunë për t’u imponuar dhe për të mbajtur qytetarët nën kontroll.

Kjo video, pra, tregon shumë; është emblematike e këtij pushteti tashmë të degraduar dhe të diskredituar. Tregon se ky është pushtet hajdutësh, të cilët, pasi nuk po mundin më të mbrojnë veten dhe nuk kanë më asnjë argument, kanë dalë hapur të diskredituar dhe kanë filluar të përdorin dhunën. Po, po, funksionojnë si juntë për të mbajtur pushtetin e tyre.”– tha Abilekaj në “Çim Peka Live”.

Share it :