Zyrtari i lartë i BE-së, McAllister mesazh te forte: Rënie drastike në luftën kundër korrupsionit
Një delegacion i nivelit të lartë nga Parlamenti Evropian, i kryesuar nga eurodeputeti gjerman dhe kreu i Komisionit për Punët e Jashtme, David McAllister, e përmbylli vizitën në Tiranë me një mesazh të dyzuar.
Ndërsa rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, në konferencën për gazetarët, McAllister ngriti alarmin për polarizimin e thellë politik dhe veçanërisht për një regres në luftën kundër korrupsionit, duke i cilësuar si kërcënime serioze për procesin.
Gjatë vizitës së tij, delegacioni zhvilloi takime me kryeministrin Edi Rama, përfaqësues të qeverisë, kryetarin e Kuvendit, drejtues të opozitës dhe shoqërisë civile.
Vizita u cilësua si e një rëndësie të veçantë, pasi vjen në një kohë kur Shqipëria ka hapur tashmë të gjitha grup-kapitujt e negociatave, një arritje e konsideruar “mbresëlënëse” nga zyrtari i lartë evropian, i cili vlerësoi edhe mbështetjen e palëkundur popullore për integrimin.
Megjithatë, pas vlerësimeve pozitive, erdhën paralajmërimet.
“Nuk ka kohë për vetëkënaqësi,” deklaroi McAllister, duke theksuar se vendi po hyn në një fazë më kërkuese të negociatave. Ai shprehu shqetësim të thellë për klimën politike në vend. “Jemi të shqetësuar për polarizimin politik në këtë vend,” tha ai, duke bërë thirrje për stabilitet dhe dialog. Sipas tij, është thelbësore që “shumica qeverisëse të krijojë hapësirë për angazhim me opozitën” dhe që “opozita të bëhet më bashkëpunuese”, duke shtuar se protestat e dhunshme janë të papranueshme në një shoqëri demokratike.
Goditja më e fortë erdhi në lidhje me luftën kundër korrupsionit, një nga “themeloret” ku Brukseli nuk bën kompromis. Duke iu referuar të dhënave konkrete, McAllister theksoi se progresi nuk është në nivelin e kënaqshëm. “Javën e kaluar, Transparency International publikoi indeksin e perceptimit të korrupsionit dhe Shqipëria, për fat të keq, ka rënë 11 vende, duke u renditur në vendin e 91-të globalisht,” deklaroi ai. Ky regres është një kambanë alarmi që kërkon veprim të menjëhershëm.
Eurodeputeti gjerman nënvizoi se nevojiten “përpjekje të mëtejshme”, jo vetëm në miratimin e ligjeve, por sidomos në zbatimin e tyre të plotë. Ai kërkoi staf të mjaftueshëm për sistemin e drejtësisë, fundin e ndërhyrjeve politike dhe një klasë politike që “udhëheq me shembullin e saj”.
Mesazhi nga Brukseli është i qartë: rruga drejt Bashkimit Evropian është një proces i bazuar rreptësisht në merita dhe kërkon rezultate të prekshme. Ndërsa mbështetja politike mbetet e fortë, Shqipëria duhet të intensifikojë urgjentisht punën në fushat thelbësore për të mos rrezikuar aspiratën e saj evropiane.






