Skandali/ Pirro Vengu iu fali borxhet e Portit të Durrësit kompanive të lidhura me krimin

Skandali/ Pirro Vengu iu fali borxhet e Portit të Durrësit kompanive të lidhura me krimin

Prej vitesh, qeveria akuzohet se është e lidhur me organizatat kriminale, që u jep mbrojtje, suport, madje edhe para, dhe në këmbim i përdor për të vjedhur zgjedhjet. Është fakt që sot në Kuvend ka deputetë me vota të mbledhura nga organizatat kriminale, por vetë Edi Rama dhe kjo mazhorancë qeverisëse janë përpjekur ti mohojnë, madje tu bëjnë lavazh truri shqiptarëve, se përdorja e krimit në zgjedhje nuk është e vërtëtë. Kjo duke mohuar edhe raporte ndërkombëtare si ai i OSBE-ODIHR, apo raportet e organizatave dhe mediave të huaja.

Emisioni PLUG sjell fakte konkrete, se si organizatat kriminale, jo vetëm që janë përdorur në zgjedhje, por ato janë financuar drjetëpërsëdrejti nga qeveria, e madje janë toleruar të mospaguajnë as taksat për këto financime. Situata është edhe më e rëndë se kaq, pasi personazhe të rëndësishëm të krimit të organizuar, paguhen dhe veprojnë në institucione të rëndësisë së veçantë, institucione të sigurisë kombëtare apo në shërbime jetike për qytetarët.

Pak ditë më parë u zbulua se si ministri Pirro Vengu në krye të autoritetit Portual Durrës, abuzoi me të paktën 12 milionë euro për blerjen e 3 vinçave, e kjo vetëm në 3 procedura tenderuese. Por KLSH në raportin e saj bën dhe një tjetër zbulim tronditës, po të lidhur me Portin e Durrësit. Favorizimin e kompanive të lidhura me grupet famëkeqe kriminale në Durrës. Pikërisht në Portin e cilësuar prej vitesh si porta hyrëse e kokainës nga vendet e Amerikës Latine.

Duket se lehtësia që kanë gjetur grupet kriminale në këtë port, nuk është aq rastësore, pasi siç do të mësoni në vijim, ato nuk kanë vetëm aksesin, por madje kanë arritur që të kenë në kontroll edhe funksionimin e këtij porti, kontrata si dhe marrin para që u përkasin taksapaguesve shqiptarë,

Në faqen 28 të Projekt Raportit të KLSH-së, i cili nuk dihet nëse do ta shohë ndonjëherë dritën e transparencës për publikun, audituesit trajtojnë klientet e Autoritetit Portual Durrës dhe detyrimet e pashlyera ndaj këtij institucioni.

Sipas audituesve, detyrimet e pa mbledhura nga Autoritetit Portual Durrës janë në vlerën 1.035 miliardë ose 10.3 milionë euro. Ata thellojnë edhe më tej auditin duke specifikuar se borxhi mbi 20 ditë është 927 milionë lekë, ose 9.2 milionë euro, ndërsa borxhi mbi 40 ditë kap vlerën e 710 milionë lekëve.

Pikërisht kjo shumë do të ishte fokusi i Audituesve dhe i këtij emisioni, që do të nxjerrë në pah se kush janë kompanitë dhe individët që nuk denjojnë të paguajnë as detyrimet për shërbimin dhe pagesat e marra. 7.1 milion euro të pambledhura nga Pirro Vengu, e situata bëhet me alarmante kush sheh listën e debitorëve të cilëve Pirro jo vetëm nuk u kërkon paratë por i lejon të vazhdojnë të ushtrojnë aktivitet. Sipas KLSH 54% të këtij borxhi e ka vetëm 1 kompani e cila i detyrohet Portit 383 milionë lekë ose 3.8 milion euro.

Si është e mundur që një kompani e vetme është lejuar të operojë në port pa paguar asnjë lekë dhe pa marrë masa jo vetëm për mbledhjen e detyrimeve por edhe të vazhdojë të ushtrojë aktivitetin e ngarkim shkarkimit në port?

Përgjigjet i jep emri i kompanisë dhe i pronarëve të saj, që mesa duket kanë mbështetje dhe bashkëpunim më të fortë në analet qeveritare se sa vetëm shërbimi i ofruar në Portin e Durrësit.

LIBURNET-1 shpk është kompania e cila sot është në pronësi të shtetasit Ibrahim Hani dhe ka si administrator shtetasin Altin Bejko. Liburnet-1 shpk është themeluar me ortakë shtetasit Petrit Hani, Alfred Prifti dhe Edmond Tafilaj. Alfred Prifti sot rezulton të jetë punonjës pranë Autoritetit Portual durrës kurse Edmond Tafilaj rezulton i punësuar si ekonomist pranë Liburnet-1.

Në nëntor të vitit 2011 ndryshon dhe struktura e ortakëve. Petrit Hani që zotëronte 70 % të aksioneve vendos ti shesë ato te shtetasit, Ibrahim Hani, Altin Bejko, Gentian Bejko dhe Edmond Koçi për vlerën 50.000 euro.

Gentian Kastriot Bejko rezulton të jetë Deputet i Partisë Socialiste në legjislaturën 2013-2017 në qarkun Durrës. E madje ka mbajtur edhe postin Këhsilltarit Bashkiak apo të drejtuesit të Partisë Socialiste për degën e Durrësit, në periudhë të cilën kontribuojë për ardhjen e Edi Ramës në pushtet, duke e bërë atë një nga njerëzit më të besuar të Ramës për qytetin bregdetar.

Shtetasi Altin Bejko sipas një komunikate të Policisë së Shtetit të vitit 2012 rezulton të jetë arrestuar për llogari të organeve ligjzbatuese Italiane si i përfshirë në trafik ndërkombëtar droge në Durrës. Sipas raportimeve të kohës, Bejko ishtë dënuar nga drejtësia italiane me 24 vjet dhe një muaj burg për trafikim të lëndëve narkotike.

Edmond Koçi alias Mond Çekiçi është pronari tjetër i kësaj kompanie, i cili u ekzekutua në mars të vitit 2021, dhe në atë kohë u raportua se një nga dyshimet kryesore për ekzekutimin ishin pikërisht influencat e bandave për kontrollin e Portit të Durrësit. Edhe pse çështja është në SPAK, ka patur transkripte për vrasjen e tij, por ende nuk ka një verdikt final të dejtësisë, për këtë ngjarje të rëndë që tronditi qytetin e Durrësit.

Pra deri këtu shohim qartë se kush janë këta individë dhe lidhjet me Partinë Socialiste. Në shtator të vitit 2012 Altin Bejko jep dorëheqjen si administrator për arsye personale dhe në vënd të tij emërohet ortaku tjetër Edmond Koçi.

Pas marrjes së mandatit të deputetit Gentian Koçi vendos të dhurojë aksionet e kësaj kompanie te shtetasi Elvis Mehmetaj. Kjo kontratë do të depozitohet në QKB në tetor të vitit 2013 dhe nuk do të deklarohet nga Bejko në ILDKP kur ka dorëzuar deklaratën fillestare të pasurisë. Edhe pse i bleu ato aksione dhe kompania rezultonte me fitime të larta, Bejko i dhuron aksionet duke ngritur dyshime për fiktivitet.

Në vitin 2014 rikthehet sërish si administrator shtetasi Altin Bejko i cili mesa duket me ardhjen e Rilindjes ka mbyllur edhe llogaritë me drejtesinë Italiane.

Në janar të vitit 2019 ortakët Alfred Prifti dhe Edmon Tafilaj largohen përfundimisht duke shitur aksionet të Edmond Koçi dhe Altin Bejko. Vlera është qesharake vetëm 300 euro duke ngritur dyshimet se këta kanë qënë vetëm prestanome të përdorur në këtë kompani. Rikujtojmë së në vitin 2021 Alfred Prifti rezulton i punësuar në Port, ndërsa Edmond Tafilaj rezulton i punësuar po te kompania Liburnet-1 si ekonomisht. Në 20 Mars të 2021-shit, Edmond Koçi do të humbte jetën në një atentat mafioz.

Në datën 27 prill, rreth një muaj pas vrasjes, në QKB regjistrohet akti i trashëgimisë, i kërkuar nga shtetasja Vjosa Kalemi e cila është nëna e fëmijëve të Edmond Koçit. Të dhëna interesante rezultojnë edhe për këtë shtetase. Sipas denoncimeve të Kryetaritt ë Partisë Demokratike në vitin 2018 kjo shtetase është përzgjedhur për të drejtuar Agjensinë Rajonale Mjedisore Durrës, kur në krye të këtij Agjencisë së Mjedisit ishte Ergys Agasi.
Në vitin 2021 kjo shtetase rezulton të jetë e punësuar pranë Bashkisë Durrës me pagë 700.

Një tjetër ndryshim pronarësh ndodh në korrik të vitit 2022, kur shtetasi Elvis Mehmetaj, dhuron aksionet e përfituara po nëpërmjet dhurimit nga ish- Deputeti Gentian Bejko te shtetasi Ibrahim Hani. Vetëm disa muaj më pas, në shtator të vitit 2022 trashigimtarët e Edmon Koçit dhe Altin Bejko i shesin aksionet shtetasit Ibrahim Hani për vlerën qesharake 500 euro. Një vit pasi Ibranihm Lani mori në zotërim të gjithë kompaninë, në tetor të vitit 2023 pezulloi aktivitetin, periudhë e cila lidhet edhe me marrjen e Portit të Durrësit nga Alabari. Sipas të dhënave të bilancit të fundit të depozituar në QKB, atë të vitit 2023 rezulton se kjo kompani i ka borxh ortakëve në vlerën 3.8 milion euro dhe këta ortakë ose i dhurojnë aksionet ose i shesin për vlerën qesharake 500 euro.

Gjithashtu LIBURNET-1 rezulton se i ka detyrim ose borxh Autoritetit Portual Durrës si furnitor në vlerën 3.8 milion euro. E në fund kjo kompani dhe pse ka deklaruar dhjetra milion euro faturim për garkim shkarkim anijesh në Portin e Durrësit, pezullon aktivitetin duke lënë një gropë finaniare për portin në vlerën 3.8 milion euro.

Pirro Vengu e dinte shumë mirë problematikën me borxhin e pambledhur të kësaj kompanie pasi ishte trajtuar më gjerësisht nga një tjetër audit i KLSH për periudhën 2018-2020. Këtu situata bëhet edhe më e rëndë pasi faktohet se favorizimi i kësaj kompanie ishte bërë që në vitin 2015 nga ish Drejtori Gazmend Shalsi, edhe ky një lidhje shumë e afërt me Partinë Socialiste pasi është kushëri i Eduart Shalsit.

Për periudhën objekt auditimi në APD, operojnë 3 kompani për kryerjen e përpunimit të mallrave (ngarkim-shkarkim) sipas kontratave-licencë, mbi të cilat këto kompani mbështesin veprimtarinë e tyre dhe krijojnë marrëdhënie kontraktuale të drejtpërdrejta me operatorët të cilët përdorin Portin e Durrësit, duke i ofruar atyre procesin e përpunimit të mallrave dhe në këmbim të shërbimit kompania merr prej tyre pagesat të cilat i ndan me APD, sipas kushteve të përcaktuara në kontratë.

Kontratat licencë nuk monitorohen nga APD në lidhje me detyrimet kontraktuale vetëm kompania “Liburnet-1.” ka detyrime ndaj Portit, 345,153,286 lekë, për të cilat nga APD nuk janë marrë masa shtrënguese, por vazhdojnë aktivitet përpunim mallrash pa asnjë penalitet/pengesë, duke favorizuar operatorin ekonomik dhe venë në vështirësi financiare APD. Audituesit thellohen edhe më tej në raport ku shprehen:

Amendamenti nr.3, datë 19.06.2015 nënshkruar nga ish drejtori Gazmend Shalsi dhe Afrim Bakaj, përfaqësues i kompanisë “Liburnet-1”, janë ndryshuar nenet 1,2,3, dhe 4 të kontratës në lidhje me masën e shërbimit të ngarkim-shkarkimit të mallrave, me kohëzgjatjen e kontratës, garancitë dhe afatet e shlyerjes së detyrimeve. Ky amendament është nënshkruar në kundërshtim me nenin 3.2, ku afati është edhe për 10 vite të tjerë (31.05.2025), dhe kontrata do të përsëritet nëse operatori do të shlyej detyrimet. Deri në vitin 2015, ky operator ka rezultuar me detyrime të papaguara ndaj APD në shumën 43,958,662 lekë, dhe në këto kushte i është rinovuar kontrata edhe me 10 vjet.

Pra edhe pse Liburnet ishte debitore me rreth 400.000 euro, Gazmend Shalsi jo vetëm që i rinovon kontratën por ja zgjat atë me 10 vite. Por situate debitore vazhdon. Edhe pse kontrata është taksative kur shprehet se nëse ky subjekt nuk shlyen detyrimet ajo prishet, APD për të justifikar këtë veprim thelbësisht jo ligjor vazhdon të lidh aktmarrëveshje.

KLSH

Me aktmarrëveshjen nr.1391, datë 03.04.2018 “Për shlyerjen e debisë së akumuluar të kompanisë së ngarkim-shkarkimit “Liburnet”, nënshkruar nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv z. Afrim Bakaj dhe përfaqësuesi i kompanisë z. Altin Bejko, bazuar në kërkesën e kompanisë datë 28.03.2018 dhe vendimin e Këshillit Drejtues nr.27, datë 30.09.2016, palët kanë për qëllim të përcaktojnë një marrëdhënie juridike bashkëpunimi ku në funksion të ecurisë së kontratës licencë kanë vendosur respektimin e detyrimeve të parashikuara në këtë marrëveshje. Detyrimi financiar i akumuluar deri më datë 31.08.2018, është në shumën 167,481,243 lekë (principali dhe kamatëvonesa). Debitori ka marrë përsipër të shlyej detyrimin sipas kushteve të përcaktuara dhe përshkallëzuar/muaj në aktmarrëveshje dhe ta shlyej detyrimin total deri në muajin maj të vitit 2025.

Pra deri në gusht të vitit 2018 kjo kompani kishte një borxh prej 167 milion lekësh ose rreth 1.6 milion euro.

KLSH

Referuar dokumentacionit financiar në dispozicion, konstatojmë se kompania “Liburnet-1” ka shlyer detyrimet sipas aktmarrëveshjes nga muaji prill i vitit 2018- në muajin tetor të vitit 2019, me këste mujore 1,300,000lekë dhe në total ka shlyer detyrimin prej 23,400,000 lekë. Kompania nuk ka respektuar marrëveshjen e nënshkruar pasi deri në 30.06.2020 duhet të shlyente detyrimin në shumën 35,100,000lekë. APD, nuk ka respektuar detyrimet e përcaktuara në këtë aktmarrëveshje dhe ka lejuar vazhdimin e aktivitetit dhe përdorimin e portit nga kjo kompani pa përdorur asnjë detyrim shtrëngues për vjeljen e detyrimeve. APD, ka vepruar në kundërshtim me nenin 9, pika 7 ku citohet se: Në rast se shoqëria “Liburnet-1” dështon në kryerjen e pagesave sipas kësaj aktmarrëveshje dhe vendimit të këshillit Drejtues nr.27, datë 30.09.2016, APD zgjidh menjëherë aktmarrëveshjen e detyrimit dhe rimerr masën e ndalimit të përdorimit të portit.

Pra shihet qartë që kjo kompani ka kryer shlyerjen e pagesave deri në ditën e ardhjes së Pirros së Belës në krye të Autoritetit Portual Durrës e më pas nuk ka kryer më asnjë pagesë.

KLSH

Referuar dokumentacionit në dispozicion konstatohet se të ardhurat e krijuara nga këto kompani (sipas % të përcaktuara në kontratat përkatëse për kryerjen e shërbimeve) kalojnë në llogaritë e këtyre kompanive dhe APD është në varësi të kompanive private për të arkëtuar të ardhurat. Një praktikë e kësaj natyre e ve APD në vështirësi financiare, pasi konstatojmë se arkëtimi i të ardhurave bëhet me vonesë dhe jo me kryerjen e shërbimit, vetëm kompania “Liburnet-1” ka detyrime ndaj APD 345,153,286 lekë, për të cilat nga APD nuk janë marrë masa shtrënguese, por vazhdojnë aktivitet përpunim mallrash pa asnjë penalitet/pengesë, duke favorizuar operatorin ekonomik.

Për këto shkelje miliona euro KLSH ka mbajtur përgjegjës Pirro Vengun por edhe Viola Haxhiademin si kryetare e Këshillit Drejtues të Autoritetet Portual Durrës.

Pra e thënë në mënyrë të përmbledhur, kompania LIBURNET-1, në pronësi të eksponentëve të lartë të Partisë Socialiste dhe personazheve të krimit në qytetin bregdetar, për vite me radhë kishte në zotërim dhe kontrollin në një nga sektorët me kyç të portit të Durrësit. Mori kontratën miliona euro për shërbimin, përfitoi fondet e të ardhurat nga shërbimi, e në fund nuk pagoi as detyrimet, e të gjitha këto me leje dhe miratim nga ish-drejtori Piro Vëngu, sot Ministër i Mbrojtjes.
Plug

Share it :