Berisha: Portin e Durrësit e kontrollojnë Troplinët, portin e peshkatarëve e ka marrë trafik@nti Luca
Kryetari i PD, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në Sukth denoncoi faktin se, kontrollin e portit të Durrësit nga familjet Troplin dhe marrjen e portit të peshkatarëve nga Gjergj Luca që sipas tij, është në kërkim nga disa shtete për trafik droge.
Berisha e solli këtë si shembull të shkatërrimit të shtetit dhe të vjedhjes së pasurive publike, duke argumentuar se investimet nuk shërbejnë për popullin, por për llogaritë e individëve të lidhur me krimin e organizuar.
Berisha: Të dashur miq, ne jemi sot në një situatë më kritike se asnjë herë tjetër.
E keqja më e madhe e njeriut, për njeriun dhe shoqërinë, është ajo e cila gradualisht pushton qenien tënde apo pushton shoqërinë.
Dhe e vërteta është se këto 12 vite, po bëhet viti i 13, në një aspekt, shqiptarët dhe Shqipëria nuk kanë pasur kurrë një të keqe si kjo, në kuptimin, nuk po të them të shfarosjes, por në kuptimin e zbrazjes, boshatisjes së këtij vendi të bekuar më shumë se në çdo kohë tjetër që nga vitet 1300, vitet e Murtajës së Zezë, që përgjysmuan Europën.
Miq, ne vijmë sot si një komb pa të ardhme.
Realisht, nuk ka të ardhme kombi që mplaket me shpejtësi të madhe.
Nuk ka të ardhme kombi që humbet rininë me shpejtësi të rrufeshme.
Unë do t’u jap vetëm dy shifra.
Nga viti 1990 gjer sot, lindjet në Shqipëri janë ulur 74 përqind. Në një gjeneratë pra.
Nga viti 2014 deri në vitin 2023, në 10 vite, nga Sukthi, Durrësi, Tirana, Shqipëria, u larguan vetëm në hapësirën e Shengenit 1 milionë e 100 mijë shqiptarë.
Në qoftë se shtojmë ata që shkuan në Kanada, Meksikë, SHBA, vende të tjera, bëhet më shumë se 45 përqind e popullsisë.
Nga këta u larguan për në BE, 720 mijë janë të moshës ndën 40 vjeç.
Çfarë ndodh? Pse kjo braktisje dhe boshatisje masive?
Kjo nuk ndodh kurrë pa shkaqe.
Askush nuk lind me dëshirën për të ikur nga vendi i tij.
Ndodh sepse së pari mundësia ekonomike vjen gjithnjë duke u zvogëluar. Hapësirat ekonomike vijnë gjithnjë duke u ngushtuar.
Nga viti 2013 gjer sot, çdo pensionist në çdo vend tjetër përveç Shqipërisë do të merrte tre herë më shumë.
Çdo rrogëtar, nuk po them katër, se ka edhe katër mundësi, por po them, çdo rrogëtar duhet të merrte të paktën tre herë më shumë.
Çfarë ka ndodhur?
Ka ndodhur që rrogat, pensionet, ndihma ekonomike janë rritur shumë më pak se çmimet.
Çmimet janë rritur, në Shqipëri çmimi i ushqimeve bazë është 17 përqind më i lartë se në mesataren e vendeve të BE.
Pra, kjo është.
Dhe çfarë ka sjellë?
Ka sjellë zhytjen e ngadaltë të shqiptarëve në varfëri.
Atëherë ik bir, ik bijë, gjej fatin tënd rrugëve të botës se këtu nuk e shtyjmë dot, këtu nuk ushqehemi dot, këtu nuk jetojmë dot.
Pse kjo?
Absolutisht vetëm për një arsye kryesore, sepse kjo qeveri ka vjedhur në mënyrën më të papërmbajtur.
Ka vjedhur në mënyrën më të pakufishme pasuritë tuaja.
Taksat që ju paguani në çdo gotë ujë që pini.
Ka vjedhur në mënyrën më të pakufishme pasuritë tuaja publike.
Vetëm porti i Durrësit, meqë e kemi këtu afër, ka një vlerë prej rreth 4 miliardë euro me truall dhe të gjitha.
Ç’po ndodh me portin e Durrësit?
Portin e Durrësit si port, prej 5 vitesh e kanë Troplinët.
Portin e peshkatarëve, që e ndërtuam me taksat tuaja, e mori Luca, një trafikant që ndiqej nga 5 shtete për trafik.
Bashkë me një Dorian Beu a si quhet.
E ndërton shteti, u jepet trafikantëve. Merreni tani edhe portin e peshkimit.
Portet me radhë.
6 milionë metër katrorë bajlozëve të drogës.
Investimet, 90 deri në 100 përqind e investimeve zhduken dhe nuk kryhen.
Kjo do të thotë se vendi shkatërrohet.
Kjo do të thotë se ato para të përcaktuara për investime, nuk prodhojnë punësim, ato përfundojnë në kontot e qeveritarëve.
Përfytyroni për një moment, ku është djegësi i Tiranës?
Asnjë tullë nuk ekziston aty.
130 milionë euro keni dhënë ju për të.
Po nuk është vetëm djegësi, janë kështu të gjitha investimet, të cilat janë vjedhur në masën 90 gjer 100 përqind.
Janë vjedhur edhe ato punime që janë bërë. Ju e shihni sikur janë rrugë kartoni, sikur janë mure kartoni.
Bien të gjitha, rrugët shemben.






