Statusi “strategjik”, rruga e shpejtë drejt përfitimit të porteve turistike

Statusi “strategjik”, rruga e shpejtë drejt përfitimit të porteve turistike

Kur një port turistik është pjesë e një investimi strategjik të miratuar nga Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS), ndërtimi dhe operimi i tij nuk do t’i nënshtrohet më procedurës koncesionare.

Në vend të kësaj, porti do të ndërtohet dhe operohet drejtpërdrejt nga investitori strategjik.

Një projektligj i shkurtër (dy nene) i propozuar nga deputetja e PS-së Vlorë, Zamira Sinaj, i hap dritën jeshile këtij procesi, për pasojë privatizimit të porteve detare.

Procedurat, rregullat dhe dokumentacioni i nevojshëm për lidhjen e kontratës për ndërtimin dhe operimin e portit/eve turistik/e do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Qëllimi

Referuar relacionit, drafti justiifikohet me faktin se ka mbivendosje mes dy ligjeve aktuale: ligjit për portet turistike (dhënien me koncesion ose forma të tjera konkurruese) dhe ligjit për investimet (procedura të asistuara)

Kjo, sipas deputetes Sinaj, ka sjellë vonesa dhe paqartësi edhe pse nuk shoqërohet me shembuj konkret.

Praktikat e BE

Ne relacion specifikohet se, projektakti nuk synon përafrim të drejtpërdrejtë me acquis Communautaire te BE-së. Thuhet se është në përputhje me Kushtetutën dhe me hirearkinë e akteve normative. Eshte specifikuar gjithashtu se projektakti nuk sjell efekte financiare shtesë për buxhetin e shtetit.

Megjithatë referuar praktikave të BE-së rëndësi në këto procese duhet të ketë konkurrenca e lirë dhe transparenca.

Për rastin konkret, në njërën anë theksohen përfitimet që do të vijnë, si rritja e investimeve, zhvillimi rajonal, vende te reja pune, por nga ana tjetër lind dyshimi për reduktim të konkurrencës, transparencës dhe rritje privilegjesh për investitorë të caktuar.

Problematika

Nisur nga eksperienca e deritashme, eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, kritikon dhënien e statusit “investitor strategjik” nga qeveria si një mekanizëm që, sipas tij, ka shërbyer për të favorizuar klientë të saj, oligarkë dhe madje segmente të krimit të organizuar.

Argumenti kryesor, sipas tij, është se ky status u siguron bizneseve të përzgjedhura përfitime të pamerituara si përjashtime nga taksat, shpronësime të tokave dhe shmangie nga konkurrenca, duke anashkaluar parimet kushtetuese të garës së lirë.

Amendimet e propozuara, sipas Preçit, e përforcojnë këtë praktikë “duke u dhënë investitorëve të dyshimtë mundësinë të marrin edhe portet bregdetare, pa një master plan kombëtar për zhvillimin e tyre”.

“Sipas mendimit tim, ky amendim thjesht favorizon disa klientë të qeverisë duke shkelur ligje të tjera që janë në fuqi gjithashtu”, thotë për Faktoje.al, eksperti i ekonomisë, Zef Preçi./Faktoje.al/

Share it :