Pagat e gjyqtarëve, Kushtetuesja pranon pjesërisht kërkesën: Kuvendi duhet të bëjë ndryshime ligjore
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vendosi sot të pranojë pjesërisht kërkesën e gjyqtarëve lidhur me ndryshimet ligjore për pagat e magjistratëve.
Kushtetuesja i hapi rrugë rishikimit të formulës aktuale të përllogaritjes së pagave ndërsa vendosi t’i lërë detyrë Kuvendit që të bëjë ndryshime ligjore.
Pra sipas këtij vendimi vlerësimi i pagës nuk do të bëhet mbi pagën e presidentit, por do të vendosë Kuvendi me ndryshimet ligjore të nevojshme të detyruara nga Kushtetuesja.
Gjykata thekson se ligjvënësi ka diskrecion për referencën e pagave megjithatë në ushtrimin e kësaj kompetence duhet të mbajë parasysh përcaktimet e nenit 138 të Kushtetutës, pra nuk lejon rënie të pagës së drejtpërdrejtë apo të fshehur.
Kushtetuesja thotë se formula e kundërshtuar në raport me rritjen ekonomike ka pasjellë ulje të fshehur të pagave. Në këto kushte Kuvendi duhet të sjellë ndryshime për të përshtatur pagat e gjyqtarëve. Gjykata vlerëson se efektet financiare të ligjit të ri duhet të llogaritet nga 2023.
Sipas këtij vendimi, qeveria do të caktojë pagën e referencës për gjyqtarët që më pas do i kalojë kuvendit për shqyrtim, por kurrsesi nuk mund të sjellë ulje në pagën aktuale të magjistratëve.
Gjykata Kushtetuese shqyrtoi kërkesën e Unioinit të Gjyqtarëve që kërkuan shfuqizimin e ndryshimeve ligjore që u bënë për pagën e tyre në vitin 2023 nga qeveria, e cila përcaktoi se rroga e gjyqtarëve do të ishte sa 36% e pagës së Presidentit. Sipas gjyqtarëve kjo llogaritje i ulte përfitimet dhe ishte anti kushtetuese, dhe për këtë kërkonin një llogaritje tjetër me bazë të Drejtorit të Departamentit të Kryeministrisë.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot në datën 17.02.2026, mori në shqyrtim çështjen me kërkues Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, me objekt shfuqizimin e neneve 1 dhe 2, pika 2, të ligjit nr. 33/2023, datë 25.05.2023 “Për një ndryshim në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Gjykata, bazuar në natyrën dhe thelbin e pretendimeve të parashtruara në kërkesë, vlerësoi t’i trajtojë ato në këndvështrim të nenit 138 të Kushtetutës, sipas të cilit: “Paga dhe përfitimet e tjera të gjyqtarit nuk mund të ulen”, përveçse në rastet e parashikuara shprehimisht nga kjo dispozitë. Paprekshmëria e pagës dhe e përfitimeve të tjera janë ngritur në nivel kushtetues, me qëllim që të drejtat/përfitimet, të cilat burojnë nga ushtrimi i funksionit të gjyqtarit, të mos ndryshohen me efekt negativ. Shpërblimi financiar, si një nga garancitë thelbësore për pavarësinë e gjyqtarëve, ashtu edhe atë të vetë pushtetit gjyqësor, parim ky i lidhur pandashmërisht me atë të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve, duhet t’i përgjigjet rëndësisë së funksioneve që ata kryejnë.
Në vendimin e saj nr. 35, datë 22.11.2022, kur shqyrtoi formulën e përcaktuar me ligjin nr. 50/2021, Gjykata theksoi se ligjvënësi, brenda hapësirës së tij normuese, ka diskrecion për formulën e referencës (në shërbimin civil ose në pagat e funksionarëve publikë të tjerë), duke qenë kjo një çështje që i përket oportunitetit të tij. Megjithatë, në ushtrimin e kësaj kompetence në plotësimin e kuadrit ligjor, ai duhet të mbajë parasysh përcaktimet e nenit 138 të Kushtetutës, duke garantuar, në çdo rast, që paga dhe përfitimet e tjera që vijnë si rrjedhojë e zbatimit të sistemit të referencës së pagave, të mos ulen nën standardet e përcaktuara në atë vendim, përveçse kur verifikohet përjashtimi i nenit 138. shkronja “a”, të Kushtetutës.
Në këto kushte, referuar përmbajtjes së nenit 138 të Kushtetutës, ashtu edhe vendimit të saj nr. 35, datë 22.11.2022, Gjykata shtroi për zgjidhje pyetjen nëse zgjedhja e formulës aktuale është bërë në përputhje me qëllimin dhe objektivin e synuar dhe në raport të drejtë me nevojën që e ka diktuar atë. Për këtë qëllim, Gjykata vlerësoi se parimet dhe standardet nga të cilat duhet të udhëhiqet ligjvënësi në ushtrimin e diskrecionit për përcaktimin e pagës së gjyqtarëve, të cilat përbëjnë, njëkohësisht, edhe kufijtë e atij diskrecioni, synojnë, ndër të tjera: të ndalojnë uljen, të drejtpërdrejtë ose të fshehur, të shënjestruar të pagave dhe mbrojtjen ndaj instrumenteve që përmbajnë “elemente diskrecionale”; qe paga te jete e mjaftueshme dhe në përpjesëtim me dinjitetin dhe rëndësinë e funksionit; të ndalojnë ose kufizojnë uljen e pagës dhe/ose të caktojnë mekanizimin e rritjes/indeksimit të pagës për shkak të inflacionit me qëllim që ajo të ruajë vlerën reale sipas kostos së jetesës. Me fjalë të tjera, parashikimet ligjore të formulës duhet të jenë objektive, të parashikueshme, të qëndrueshme dhe transparente, në mënyrë që të përjashtojnë çdo ndërhyrje arbitrare nga pushtetet e tjera dhe t’i shërbejnë pavarësisë së pushtetit gjyqësor.
Gjykata, në përputhje me standardet kushtetutese te lartpërmendura, vlerëson se edhe pse është kushtetutshmërisht e lejueshme që ligjvënësi të parashikojë sisteme të ndryshme të pagave mes gjyqtarëve dhe funksionarëve të tjerë publikë apo që të ndryshojë formulën e llogaritjes së pagës së magjistratëve, mbrojtja kushtetuese që ofron neni 138 i Kushtetutës nuk lejon, në thelb, rregullime që sjellin rënie të vlerës reale të pagës gjyqësore, të drejtpërdrejtë apo të fshehtë.
Gjykata konstatoi se paga e gjyqtarit/magjistratit e caktuar në vitin 2016 nuk ka pësuar ndryshime, por vetëm problematika të zbatimit të ligjit në praktikë për shkak të mënyrës së formulimit të normës ligjore. Nga ana tjetër, pas vitit 2016, ekonomia e vendit është rritur në vijim, të ardhurat në buxhetin e shtetit janë rritur, fenomenet globale (Covid-19 dhe lufta në Ukrainë) kanë ndikuar në rritjen e çmimeve. Autoritet shtetërore bazuar në këto faktorë ekonomikë, krahas të tjerash, kanë kanë ndërmarrë politika shtetërore për rritjen e pagave në sektorin publik dhe privat. Pjesë e këtyre masave ishte edhe ligji nr. 33/2023, i cili pagën e magjistratit e la të pandryshuar në dallim nga paga e nëpunësve të shërbimit civil (referenca e vjetër e formulës) dhe ajo e Presidentit të Republikës (referenca e re e formulës), që pësuan rritje domethënëse. Në këtë kuptim, ndonëse rezultati në vlerë financiare absolute i pagës së gjyqtarit, i prodhuar nga formula e re sipas ligjit objekt shqyrtimi, nuk është më i ulët se sa ai i prodhuar nga formula e mëparshme, formula e kundërshtuar në raport me rritjen ekonomike si dhe rritjen e çmimeve, ka passjellë një ulje të fshehur të shënjestruar të pagës së magjistratit, duke e ngrirë atë, arsye për të cilat ligji nr. 33/2023 duhet të shfuqizohet.
Në këto kushte i takon Kuvendit të miratojë ndryshimet ligjore të nevojshme, sipas arsyetimit të këtij vendimi, për të përshtatur pagën e magjistratit me standardet kushtetuese, i cili duhet të realizohet brenda datës 31.07.2026. Gjithashtu, duke konsideruar se ligji nr. 33/2023 parashikonte rregullim prapaveprues pasi formula e re përllogaritej nga data 01.04.2023, Gjykata vlerëson se efektet financiare të ligjit të ri duhet të llogariten po nga data 01.04.2023, duke përcaktuar një skemë të arsyeshme përshtatjeje për pagesat e prapambetura për periudhën nga data 01.04.2023 deri në hyrjen në fuqi të ligjit të ri.
Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, për arsyet e mësipërme, Gjykata, me shumicë votash, vendosi:
1. Pranimin pjesërisht të kërkesës.
2. Shfuqizimin e fjalisë së parë të shkronjës “a” të nenit 1, si dhe të pikës 2 të nenit 2 të ligjit nr. 33/2023, datë 25.05.2023 “Për një ndryshim në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
3. Detyrimin e Kuvendit të miratojë ndryshimet ligjore të nevojshme, sipas arsyetimit të këtij vendimi, brenda datës 31.07.2026.
4. Efektet e shfuqizimit sa më lart hyjnë në fuqi ditën e hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore dhe, në çdo rast, jo më vonë se data 31.07.2026.
5. Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.






