Ndryshimi i kodit penal/ Rama në betejë “personale” kundër SPAK-ut
Pse po kërkohet ndryshimi i nenit 242 përtej kartës së djegur “Balluku”. Çfarë synon kryeministri?
Edi Rama ka shqiptuar një nga shprehjet më të pavërteta të jetës së tij politike kur në monologun e përjavshëm të podcastit “Flasim”, ka thënë se mbrojtja për Belinda Ballukun nuk është një çështje personi, por një çështje parimi.
Gjoja për të ruajtur principin e ndarjes së pushteteve, ai ka deklaruar se do t’i propozojë parlamentit një ndryshim në ligj, ku pezullimi i ministrave të bëhet këtej e tutje i pamundur. “Unë, së bashku me Kryetarin e grupit Taulant Balla dhe me Kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, pra, me tre firmat tona do të depozitojmë nismën për të adresuar menjëherë boshllëkun në fjalë”, deklaroi ai duke shtuar se këtë do ta bëjë përpara grupit parlamentar të socialistëve.
Ajo që kryeministri nënkupton është ndryshimi i nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, i cili deri më tani ndalonte pezullimin nga detyra vetëm për personat e zgjedhur. Kurse sipas propozimit Rama, Balla, Manja këtej e tutje, mburojë do të ketë edhe Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Anëtarët e Kabinetit Qeverisës, Avokatin e Popullit, Kreun e KLSH-së dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë.
Pra, propozimi i ri, i cili erdhi si rrjedhojë e debatit për pezullimin e Belinda Ballukut, mëton t’i pengojë gjykatave që këtej e tutje të “ngrijnë” nga detyra, një ministër madje dhe vetë kryeministrin.
Dhe pikërisht këtu duket qartë se loja të cilën Rama e shet si thjeshtë parimore, është në fakt vetëm personale. Po të ishte ashtu si pretendon kryeministri, mazhoranca socialiste mund të ndiqte betejën në kushtetuese, mund të bënte siç po vepron tani edhe ndryshimet ligjore në Kodin Penal, por ama nuk do refuzonte t’i bindej kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres, proces i cili nuk kishte lidhje me asnjë nga dy të tjerët.
Ndërsa Edi Rama u angazhua vetë në mbrojtje të Ballukut. Ai e urdhëroi Niko Peleshin ta shtynte në kalendat greke shqyrtimin e heqjes së imunitetit. Ai vetë, deklaroi mëse një herë se “deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit”, duke u futur edhe në një kurs përplasjeje me BE-në që doli me deklarata se ky proces nuk duhej zvarritur. Ai i urdhëroi socialistët që të braktisnin heshtjen e gjatë letragjike dhe të dilnin nëpër ekrane për të mbrojtur zv.kryeministren.
E gjitha kjo ka vetëm një sfond personal. Së pari, shefi i qeverisë i jep mesazh drejtësisë, se ju nuk mund të merrni pa leje ushtarë nga vatha ime. Nëse historia politike e Belinda Ballukut ka marrë fund, nëse fuqia i ka rënë dhe asaj nuk i afrohet më askush nga njerëzit të cilëve më parë u “zgjidhte” punë, Rama po e përdor kazusin e saj personal për të dhënë një sinjal: se drejtësia nuk mund të bëjë çfarë të dojë.
Së dyti, ashtu sikurse parashikohet në projektin me tre firma të ndryshimit që do pësojë neni 242, aty duket qartë se SPAK-u dhe GJKKKO-ja ndalohen që në një ditë të keqe, të pezullojnë edhe vetë Ramën nga detyra.
Pra që tani kryeministri po merr masat, që nëse dikush në të ardhmen, i nxitur nga forca të brendshme apo me frymëzim nga jashtë, mund të gjejë një rrugë që drejtësia t’ia pengojë atij ushtrimin afatgjatë të pushtetit, ky shteg të mbyllet për gjithmonë. Thjeshtë Rama po bën llogaritë e fatit të tij të ardhshëm, ndonëse në publik këtë e shet si një betejë jo personale, por parimore.
©Lapsi.al






