Toka nuk lëshohet’, Banorët e Baks – Rrjollit paralajmërojnë luftë për tokat e tyre
Banorët e Baks – Rrjollit kanë mbajtur sot një deklaratë për mediat, duke dhënë mesazhe të forta për institucionet e shtetit dhe duke paralajmëruar se nuk do të ndalen deri sa të mbrohet prona e tyre nga ndërtimi i resortit turistik në zonë.
Prek Molla, përfaqësues i banorëve, tha:
Shumë prej gazetarëve sot nuk kanë ardhur këtu. E di pse nuk kanë ardhur. Kanë pasur një urdhër që mos të vijnë sot dhe të pasqyrojnë protestën që bëhet sot. Unë këtë protestë e kam bërë edhe në mënyrë të fshehtë që policia mos e dijë gjë, se këtu do të ketë gra edhe fëmijë. Gra edhe fëmijë tash e mbrapa do të ketë çdo ditë. Sepse unë kam përdorur deri tani metodën që të merremi vesh dhe të ulemi në tryezë. Të gjitha institucionet e shtetit shqiptar i kam kontaktuar dhe jam paraqitur për këtë problem.
Meqënëse asnjë lloj institucioni nuk ka dhënë asnjë lloj zgjidhje, atëherë nuk na ka mbetur gjë tjetër veçse që gra, fëmijë, burra, pleq, trashëgimtarë, të afërm, miq, të vijnë këtu dhe të luftojnë për të mbrojtur tokat tona. Se si bëhet lufta, e dinë këta vetë. Se si luftohet për të mbrojtur vendin e vet, e dinë këta vetë. Ama toka, toka dhe vendi nuk do të lëshohet.
Sot po i drejtohem edhe Prokurorisë për disa fakte të reja dhe prova që unë po ia jap si indicie Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, meqënëse kemi bërë edhe kallëzimin në SPAK dhe SPAK-u ia ka dërguar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër. I them SPAK-ut: të thirret Arben Selim Kopliku, i cili ka qenë regjistrues apo hipotekues i vitit 1997, ku të pyetet nëse e ka lëshuar një vërtetim pronësie në favor të zotit Fatmir Shpellza apo trashëgimtarëve të tij.
Të verifikohen pullat, të cilat janë të vitit 1996 dhe të vitit 1997. Pullat dhe vulat hipotekore të vitit 1995-97, ku është vula e Fatmir Shpellzës dhe pullat e tij të vitit 2016. Nuk ka të bëjë asnjë lloj vërtetësie. Aq më tepër që nuk është emri i regjistruesit, hipotekuesit.
Pra, në vërtetimin e pronësisë që mua më ka lëshuar Arben Selim Kopliku, në fund ka shkruar hipotekuesi Arben Selim Kopliku, por nuk ka vulë. Ka veç një firmë. Këtë ua jap për të verifikuar vetë ju si gazetarë. Jep drejtësi! Jep drejtësi, se siç jena këtu do të jena para teje! Nuk do të jemi si atë ditë që ishim paqësorë! Do të jemi më ndryshe.
Ti Bashkim Ulaj, mos i jep paratë policëve, por na i jep ne, popullit. Ulu këtu dhe bjer dakord. Nëse bjen dakord, do të vazhdosh punën si resort Dukagjini, i cili nuk ka nevojë për polic, nuk ka nevojë për mur, nuk ka nevojë për mbrojtje. Ti po bën mur, po rrethon në burg. Po e bën resortin burg. Ti e bën burg sepse na ke frikë. Por nuk do të arrish ta bësh këtë.
Një qytetare e pranishme gjatë protestës theksoi se banorët kanë paraqitur herë pas here dokumentacionin për tokat e tyre dhe kërkojnë drejtësi për pronat që u përkasin trashëgimtarëve të tyre. Ajo nënvizoi se komuniteti nuk është kundër zhvillimit, por kërkon që të respektohet e drejta e banorëve dhe të ndalen punimet në tokat e tyre. Gjithashtu, qytetarët kujtuan sakrificat e gjyshërve të tyre dhe amanetin që ata u lanë, duke bërë të qartë se toka nuk do të shfrytëzohet nga askush tjetër përveç trashëgimtarëve.
‘Sot kam një fjalë për atë Bashkim Ulen, me i thënë vetëm një kaq. Sa pagu për ditë prokurorë, gjyqtarë, policë? Hajde jepju hakun fshatarëve të shkretë edhe vazhdo punën ti, në qoftë se je burrë.’- shprehet qytetarja
Banorët e Baks – Rrjollit paralajmëruan se do të vijojnë protestat dhe të gjitha veprimet e nevojshme për të mbrojtur pronat e tyre deri sa kërkesat e tyre të merren parasysh dhe të ndalohet ndërtimi i resortit.






