Edhe ujin e dha/ Ujë nga Tragjasi në Pulja/ Rama rikthen ujësjellësin nënujor Shqipëri-Itali
Një projekt ambicioz që synon të lidhë dy brigjet e Adriatikut përmes një tubacioni uji po rikthehet fuqishëm në tryezat e diskutimeve dypalëshe.
Bëhet fjalë për ndërtimin e një ujësjellësi që do të transportojë ujë nga burimet e pasura të Shqipërisë së Jugut, konkretisht nga Tragjasi (Vlorë), drejt rajonit të Puljas në Itali, një zonë që po përballet gjithnjë e më shumë me krizën e tmerrshme të kripëzimit dhe thatësirës.
Një projekt prej 1 miliard eurosh
Sipas mediave italiane dhe diskutimeve të fundit mes Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministres italiane Giorgia Meloni gjatë vizitës së kësaj të fundit në Vlorë, projekti parashikon një infrastrukturë gjigante me këto specifika teknike:
Gjatësia totale: 205 kilometra (85 km tubacion nënujor dhe 120 km në tokë).
Thellësia maksimale: Tubacioni do të arrijë deri në 850 metra nën nivelin e detit.
Kapaciteti: Transporti i 150 milionë metër kub ujë në vit drejt Galugnano-s në Salento.
Kostoja: Rreth 1 miliard euro, me financim të propozuar nga shteti italian dhe institucionet financiare ndërkombëtare si BEI (Banka Evropiane e Investimeve).
Afati: Parashikohet që punimet të zgjasin rreth 4 vite, duke krijuar mbi 3,000 vende të reja pune në Shqipëri.
“E treta e vërteta?” – Historia e projektit
Ky nuk është një projekt i ri, por një ide që ka “fjetur” në sirtarët e diplomacisë për dekada. Kjo shënon herën e tretë që projekti del në dritë:
Vitet ’60: Diskutimet e para nisën gjatë regjimit komunist, por mbetën në nivel teorik për shkak të izolimit të Shqipërisë.
Periudha “Nano”: Gjatë qeverisjes së Fatos Nanos, projekti u riaktualizua si një mundësi bashkëpunimi ekonomik, por mungesa e financimeve dhe vullnetit politik të kohës e la sërish në harresë.
Sot (epoka Rama-Meloni): Me krizën globale të ujit dhe marrëdhëniet e ngushta mes dy qeverive aktuale, projekti duket më afër realizimit se kurrë.
“Varet nga vullneti i qeverisë italiane, sepse është një projekt i madh që Shqipëria nuk mund ta realizojë dot e vetme. Është koha për ta rikthyer në tryezë,” u shpreh Kryeministri Rama.
Pse tani?
Ndryshimet klimatike kanë bërë që Pulja të ketë nevojë emergjente për burime të reja ujore. Presidenti i Confindustria Puglia, Sergio Fontana, ka qenë një nga zërat më proaktivë, duke theksuar se Shqipëria është një vend “shumë i pasur me burime ujore” dhe se kjo vepër do të ishte strategjike për të gjithë Mesdheun.
Hapat e radhës
Projekti pritet të diskutohet sërish në detaje gjatë takimeve dypalëshe që do të mbahet në Vlorë dhe në takimet pasuese të Komitetit të Investimeve në Romë. Nëse palët bien dakord për financimin, inxhinierët italianë janë gati të nisin projektimin teknik të ujesjellësit që do të marrë ujin nga Radhima dhe Tragjasi për ta dërguar përtej detit





