PD në mbështetje të banorëve të Durrësit kundër projektit TID: Po shkatërrohen jetët e familjeve autoktone
Deputeti i PD Oerd Bylykbashi në një deklaratë për mediat tha se qyteti i Durrës, një nga qendrat më të lashta dhe me mbi 2700 vite histori, po përballet me një situatë të rëndë për shkak të projektit të njohur si TID, i cili rrezikon të shkatërrojë jetën dhe pronën e dhjetëra familjeve autoktone në lagjen historike të qytetit.
Ai theksoi se këto familje përbëjnë pjesën e gjallë të trashëgimisë kulturore të Durrësit dhe kanë ruajtur identitetin e zonës ndër shekuj, ndërsa sot po përballen me shpronësime dhe mungesë konsultimi
Sipas Bylykbashit, projekti është hartuar pa transparencë dhe pa përfshirjen e banorëve, duke cënuar jo vetëm pasurinë e tyre private, por edhe të drejta të tjera kushtetuese, si e drejta për banesë, jetë familjare dhe dinjitet.
Ai akuzoi autoritetet vendore dhe qendrore për nxitim në zbatimin e projektit dhe kërkoi hetim të plotë mbi procedurat dhe interesat që fshihen pas tij.
Deklarata e plotë:
“Qyteti i Durrës është themel i civilizimit në trojet shqiptare. Qytet më shumë se 2700 vjeçar, pjesë e trashëgimisë botërore kulturale. Por është pikërisht kjo lagje që në kohët më të vështira, në reduktimin maksimal të atij qyteti, ata banorë aty janë ata të cilët janë dëshmitarët, por janë dhe ata që kanë çuar përpara dhe kanë konservuar atë që ne sot e quajmë trashëgimi kulturore.
Ata janë pjesa e gjallë e kësaj trashëgimie kulturore. Unë e bëj këtë prononcim sot në vijim të prononcimeve të tjera në lidhje me atë që tashmë njihet si projekti TID, i cili po shkatërron jetën, jo vetëm pasurinë e dhjetëra familjeve të qytetit të Durrësit, familje autoktone.
Këta banorë nuk janë konsultuar në hartimin e një projekti i cili nën sloganin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe rivitalizimit të një lagjeje që është themeli i qytetit, në fakt po shkatërron jetët e dhjetëra e qindra familjeve. Atyre po u preket jo vetëm pasuria, po u cënohet edhe jeta private dhe ajo familjare, dinjiteti njerëzor, integriteti dhe mundësia që ata të jetojnë në një minimum të padiskutueshëm për jetesën.
Pra janë një sërë të drejtash kushtetuese që atyre po u cënohen pa u konsultuar paraprakisht, pa u njoftuar dhe vetëm kur do të nxirrnin shpronësimin i njoftuan. Këta banorë kanë tashmë muaj që po protestojnë. Pak ditë më parë, në një protestë të fundit, disa prej tyre u shoqëruan nga policia në mënyrë të kundraligjshme.
Shteti i Edi Rama është një shtet që është i ndërtuar jo thjesht në mungesën e llogarisë, po në mbrojtjen e korrupsionit dhe abuzimit me të drejtat e qytetarëve. Për fat të keq po abuzohet nga Edi Rama dhe nga Bashkia e Durrësit, nga kryetarja e Bashkisë së Durrësit, zonja Sako, me faktin që është një fond prej 6 milionë dollarësh i vënë në dispozicion nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.
Askush nuk u konsultua me ta për të parë nëse kishte mundësi tjetër. Nuk mundet që lulishtet të jenë interes publik dhe kjo të vendosë për fund të drejtën për pronë dhe të drejtën për banesë apo për jetë familjare dhe personale me dinjitet të qytetarëve të Durrësit.
SPAK duhet të hetojë këtë aferë e cila është jo vetëm korruptive, por është dhe në konflikt interesi. Sigurisht që banorët nuk janë kundër që projekti të zhvillohet dhe ajo zonë të bëhet ashtu siç duhet të jetë, por jo me koston e shkatërrimit të banesave, pronave dhe bizneseve të tyre.
Në mbështetje të plotë, Partia Demokratike e Shqipërisë i mbështet plotësisht kauzën e tyre dhe protestat e tyre tani e në vijim”.






