Dorëheqja apo Pakti? Arkitekti, territori dhe fati i profesioneve!
Nga Alba Kepi
Dorëheqja e një arkitekti nga profesioni i tij është një akt i rrallë. Është akt ndërgjegjeje. Është refuzim për t’u pajtuar me një realitet që ai e ndjen të padrejtë. Rasti i Astrit Nixha nuk është thjesht një histori personale; është simptomë e një gjendjeje më të thellë që prek jo vetëm arkitekturën, por kulturën profesionale në Shqipëri.
Pyetja, megjithatë, mbetet; A është dorëheqja një akt i mjaftueshëm? Apo është shenjë se profesioni ka mbetur pa mekanizma mbrojtës kolektivë?
Historia na mëson se kur profesionistët përjashtohen ose zgjedhin të largohen, fusha nuk mbetet bosh. Ajo mbushet. Dhe shpesh mbushet nga ata që janë të gatshëm të përshtaten me sistemin, jo ta sfidojnë atë.
Në Italinë e Benito Mussolini, arkitektura u bë instrument i ideologjisë shtetërore. Disa arkitektë u larguan, disa u heshtën, por mungesa e një qëndrimi kolektiv e la profesionin të kapur nga propaganda. Monumentaliteti propagandistik zëvendësoi eksperimentin dhe pluralizmin.
Në Gjermaninë e Adolf Hitler, modernistët u përjashtuan dhe shumë emigruan, mes tyre Walter Gropius. Ata shpëtuan integritetin personal, por hapësira publike gjermane mbeti në duart e arkitekturës ideologjike.
Pas diktaturës së Francisco Franco, arkitektët spanjollë nuk zgjodhën dorëheqjen kolektive. Ata u organizuan në kolegje profesionale të forta, imponuan gara të hapura dhe rishkruan standardet urbane. Rezultati ishte transformimi i qyteteve si Barcelona, ku arkitektura u kthye në projekt qytetar
Mësimi është i qartë se largimi ruan ndërgjegjen, por nuk e ndryshon strukturën.
Ekziston edhe modeli tjetër, ai i organizimit.
Në Rome, arkitektura është trajtuar si pjesë e identitetit civilizues. Plani rregullues historik dhe variantet e tij kanë vendosur kufizime të forta ndaj ndërtimeve të larta në qendrën historike. Arkitektët dhe institucionet e trashëgimisë kanë mbrojtur një parim të thjeshtë, por themelor: horizonti i qytetit është pasuri publike.
Roma ka refuzuar modelin e zhvillimit vertikal agresiv që shohim në Milano. Nuk është kundër zhvillimit është kundër shkatërrimit të siluetës historike. Grattacelat zhvendosen në zona të përcaktuara; qendra historike mbrohet.
Ky nuk është vetëm vendim administrativ. Është kulturë profesionale. Është një pakt i heshtur mes arkitektëve, institucioneve dhe qytetit e qytetarëve.
Në Shqipëri, debati shpesh personalizohet në diskutimet mbi centralizimin e vizionit urban. Problemi është mungesa e mekanizmave të pavarur profesionalë që balancojnë pushtetin dhe tregun.
Kur gara nuk është reale, vendimmarrja vjen e centralizuar, profesionistët ndihen të përjashtuar, atëherë rreziku nuk është vetëm padrejtësia ndaj individit. Rreziku është degradimi i standardit. Sepse arkitektura nuk është shërbim privat. Ajo është akt publik. Çdo ndërtesë e madhe ndryshon jetën urbane për dekada.
Dorëheqja është protestë.
Por organizimi është strategji e një “Pakt i Arkitektëve për Qytetin e Atdheun” në Shqipëri do të nënkuptonte refuzim kolektiv të projekteve që dëmtojnë trashëgiminë historike, kërkesë për gara të hapura dhe transparente, mbrojtje të siluetës urbane, denoncim profesional të praktikave që cenojnë deontologjinë.
Kur të aftët largohen, sistemi fuqizohet.
Kur të aftët bashkohen, sistemi vihet në provë.
Kjo nuk është vetëm çështje arkitektësh.
E njëjta ndjenjë përjashtimi përjetohet nga mjekë që përballen me sistem të politizuar, pedagogë që shohin degradim akademik, juristë që ndjejnë presion mbi pavarësinë profesionale, inxhinierë që përballen me standarde të komprometuara.
Kur profesionet humbasin autonominë, shoqëria humbet shtyllat e saj.
Deontologjia është kontrata morale mes profesionistit dhe publikut. Në momentin që ajo zëvendësohet nga klientelizmi apo frika, shoqëria hyn në fazë erozioni institucional.
Historia tregon një ligj të heshtur:
Shoqëritë nuk bien vetëm nga korrupsioni politik.
Bien kur profesionet pushojnë së mbrojturi standardin.
Dorëheqja e një arkitekti është akt i fortë. Por më e fortë do të ishte një bashkim profesionistësh që thonë:
Ne nuk largohemi.
Ne nuk heshtim.
Ne nuk e lëmë qytetin e territorin pa zë profesional.
Sepse qyteti, territori, pasuria natyrore nuk është projekt.
Është kujtesë, identitet, e ardhme.
Dhe profesionet nuk janë thjesht burim të ardhurash.
Janë garanci e dinjitetit publik.
Pra dilema nuk është nëse një arkitekt duhet të dorëhiqet.
Dilema është nëse profesionet shqiptare do të zgjedhin fragmentimin apo paktin.
Sepse kur të aftët bashkohen, historia ndryshon drejtim.






