Policia belge bastis zyrat e Komisionit Europian

Policia belge bastis zyrat e Komisionit Europian

Policia belge bastisi zyrat e Komisionit Evropian në Bruksel sot (12 shkurt), si pjesë e një hetimi mbi shitjen e aseteve të pasurive të paluajtshme të Bashkimit Evropian gjatë vitit 2024, raportoi Financial Times duke cituar burime pranë investigimit.

Sipas gazetës, kontrollet u zhvilluan në disa ambiente të Komisionit, përfshirë edhe departamentin e buxhetit. Hetimi lidhet me shitjen e 23 ndërtesave, të cilat u blenë nga fondi sovran i pasurisë i Belgjikës, SFPIM, për 900 milionë euro.

Hetimi po drejtohet nga Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO). Një zëdhënës i EPPO konfirmoi për Financial Times se institucioni po kryen “veprime për mbledhjen e provave” në kuadër të një hetimi në vijim, por nuk dha detaje të mëtejshme.

Transaksioni u realizua gjatë mandatit të mëparshëm të Komisionit, kur Johannes Hahn mbante postin e komisionerit për buxhetin. Në kohën e shitjes, Komisioni kishte deklaruar se procesi ishte në përputhje me rregullat financiare të Bashkimit Evropian, thuhet në raport.

Sipas Financial Times, Komisioni Evropian, SFPIM dhe Hahn nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment. Po ashtu, policia federale belge dhe Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) refuzuan të komentojnë.

Share it :