Investigimi/ Pirro Vëngu ‘vinçieri’ i korrupsionit, ‘ylli’ në ngjitje i rilindjes socialiste

Investigimi/ Pirro Vëngu ‘vinçieri’ i korrupsionit, ‘ylli’ në ngjitje i rilindjes socialiste

Piro Vengu është ylli në ngjitje i Rilindjes Socialiste, që në moshën 38-vjeçare mori një nga postet ministrore më të rëndësishme të një shteti, atë të Ministrit të Mbrojtjes, detyrë që e mban prej korrikut të 2024-ës. Falë miqësisë së deklaruar publikisht nga zv. kryeministrja Belinda Balluku, që siç ajo vetë e deklaron ka patur rol përballë mosbesimit të Edi Ramës, i riu me origjinë të vetëdeklaruar nga Elbasani do të ngjiste shumë shpejt shkallët e karrierës politike dhe në aparatin shtetëror.

Emri i tij do të bënte bujë në opinionin publik për herë të parë në vitin 2015, kur ai do të merrte postin kyç të Sekretarit të Ministrisë së Jashtme në kohën kur drejtohej nga Ditmir Bushati. Në atë kohë, një fletëthirrje për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak nga Greqia do të trazonte jo vetëm ujërat e politikës shqiptare, nëse prejardhja e tij ishte nga Elbasani, ishte me origjinë greke, apo siç kolegë të tij morën përsipër të flasin për prejardhjen nga Çamëria. Në atë kohë mediat greke nxorën edhe detaje konfirmuese jo vetëm për origjinën shqiptare, madje edhe me prova se si ai rezulton pasardhës i një prej zyrtarëve të lartë të diktaturës komuniste. Piro Vëngu, shkruanin mediat greke në atë kohë, është nipi i Spiro Vëngu, i cili ka qenë zv.ministër i Bujqësisë dhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor për disa vite. Dhe këtu duket se lidhjet me zv. kryeministren Belinda Balluku bëhen edhe më të forta, pasi gjyshërit e dy kolegëve qeveritarë kanë qenë po aq kolegë gjatë diktaturës hoxhiste.

Nga Ministria e Jashtme, në vitin 2017, Piro Vëngu do të afrohej edhe më shumë me Ballukun dhe vetë Edi Ramën, kohë kur do të merrte funksionin e Drejtorit të Antikorrupsionit, në Kryeministri, pozicion të cilin e mbajti deri në vitin 2019. Në këtë periudhë, teksa Belinda Balluku do të merrte postin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Piro Vëngu do të shpërblehej me një nga postet më të rëndësishme në varësi të saj, atë të Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës. Duket se ky emërim nuk ishte aq rastësor, pasi pikërisht Piro Vëngu ishte drejtori që firmosi zhdukjen e Portit mijëravjeçar të Durrësit, për t’ia dhuruar Alabarit e bashkë me të firmosi edhe një sërë vendimesh me pasoja për pasurinë kombëtare. Po në këtë periudhë, Porti i Durrësit u shndërrua në objekt shkrimesh e raportesh ndërkombëtare si porta hyrëse e kokainës nga vendet e Amerikës Latine, e për çudi prej shumë vitesh gjatë drejtimit të Piro Vëngut, sasia e kapur sa vinte e zvogëlohej.

Share it :