Berisha: Ramës i është dërguar ultimatumi nga BE dhe nga SHBA! Vetëm shqiptarët mund ta shpëtojnë Shqipërinë!
Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, Ramës i është dërguar ultimatumi nga BE dhe nga SHBA! ai tha se, vetëm shqiptarët mund ta shpëtojnë Shqipërinë.
Berisha denoncoi qeverinë për mbrojtjen e individëve të korruptuar, përfshirë Lubi Ballukun, dhe për përvetësimin e mbi 600 milionë eurove në AKSHI, duke paralajmëruar se vetëm shqiptarët mund të ndalojnë këtë “organizatë kriminale” dhe të shpëtojnë vendin.
Pyetje: Z. Berisha, kam një pyetje për sa i përket protestës. Në dy protestat e fundit, pasi keni përfunduar fjalën në podium, ju jeni larguar dhe keni shkuar drejt zyrës, ndërkohë që protestuesit i keni lënë pa liderin e tyre dhe është cilësuar si një protestë pa lider kur keni shkuar tek parlamenti.
Sali Berisha: Jo, jo, ato kanë pasur udhëheqës dhe udhëheqës shumë të fortë. E gjithë kryesia ka qenë në krye, deputetët kanë qenë në krye, ata kanë qenë të udhëhequr dhe jashtëzakonisht të sigurtë.
Pyetje: Z.Berisha, ju e dini rëndësinë tuaj në krye të protestës?
Sali Berisha: Në fakt, ju e keni parë se sa fuqishëm kanë protestuar ata. Kështu që, Sali Berisha çdo minutë ka qenë me ta dhe në ndjekje të tyre.
Pyetje: Por tek parlamenti nuk keni qenë…
Sali Berisha: Unë po them këtë që them.
Pyetje: Kam edhe një pyetje tjetër. Ju thatë se z.Rama po bën përpjekje për të mbrojtur si veten, ashtu edhe zonjën Balluku. Ka një udhëzim që juristët socialistë bashkë me ekspertë ndërkombëtarë po përpiqen për të mbrojtur anëtarët e qeverisë që të mos pezullohen nga drejtësia. A do i bashkohet PD kësaj nisme?
Sali Berisha: PD nuk do pranojë asnjë përpjekje për të krijuar mburojë ligjore për hajdutët, për organizatën kriminale të kryesuar nga Edi Rama, qeverinë shqiptare që vjedh ditë e natë qytetarët shqiptarë.
Por kuptoj se ky ultimatum, ky paralajmërim, ky karton i zi i është treguar Edi Ramës dhe nga mbarë komuniteti ndërkombëtar. Domethënë nga BE dhe nga SHBA. Me ftesën që i bënë Edi Ramës dhe ato që i thanë, me deklaratën që bëri këtu e ngarkuara me punë e ambasadës së SHBA, duke kushtëzuar bashkëpunimin me Shqipërinë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, me heqjen dorë nga çdo pengesë ndaj sistemit të drejtësisë.
Një gjë, u them qytetarëve, nuk ka ky asnjë lloj interesi përveç mbrojtjes së krimeve të tyre.
Ky është i gatshëm të shkelmojë çdo interes të qytetarëve shqiptarë, çdo interes kombëtar, çdo interes shoqëror, gjithçka tjetër për të mbrojtur krimet monstruoze. Ky vetëm në AKSHI ka përvetësuar mbi 600 milionë euro. Mbi 600 milionë janë të zhdukura.
Dhe tani kërkon të krijojë një kompani, sigurisht nën sqetullën e tij me privatin baxhanakun, në mënyrë që të vazhdojë prapë t’u thithë gjakun shqiptarëve duke përvetësuar qindra miliona të tjera.
Shikoni rrugët ju. Çfarë është për ju rruga Qukës-Qafë Pllocë, a nuk është kjo rrugë simbol i shembjeve në të gjitha segmentet si asnjë rrugë tjetër?
Kush e ka ndërtuar këtë rrugë?
Këtë rrugë e ka ndërtuar ndërtuesi që i ka bërë Edi Ramës dhuratë pallatin në pajë. Ndërtuesi, kompania e të cilit ndërtoi pallatin në pajë në sheshin e pallateve, që nuk mund të ndërtohej, dhe ka paguar gjithçka për pallatin ai vetë, edhe regjistrimin e ka bërë në emër të vet.
Ky, si ta quajmë tani, ky që bën dhuratë pallatin në pajë, merr rrugën dhe rruga i shembet në çdo segment. Dhe ka një segment që rrugën e ndërton me 9 milionë euro për kilometër pa ura dhe tunele. Dhe rruga nga 73 milionë i shkon çmimi në 330, të tjerë thonë në 400 milionë euro.
Ato ndahen me Ramën dhe Lubinë.
Ujërat e zeza të organizatës kriminale po shpërthejnë në të katër anët.
Përveç shqiptarëve, asgjë tjetër nuk mund të shpëtojë Shqipërinë.






