Auditi i KLSH kap në korrupsion Pirro Vëngun me 32 mln euro tendera
Mirëmbrëma! Besoj se kjo intro ishte e mjaftueshme për të kuptuar se personazhi tek i cili do të ndalemi në emisionin e sotëm është Pirro Vëngu. I cili sot mban detyrën e Ministrit të Mbrojtjes, e është pikërisht periudha ku ky sektor po thith qindra miliona euro për armatim, në skema të dyshimta e me lidhje të errëta. Por duket se Piro Vëngu rezulton fiks zyrtari ideal për të drejtuar këto institucione në periudhat më kritike. Do të ndalemi në këtë emision në investigimin e disa rasteve, të dyshuara si abuzime flagrante me fondet, këto të ndodhura në Portin e Durrësit, në kohën kur ky institucion drejtohej nga Piro Vëngu. Këto abuzime, nuk faktohen vetëm nga emisioni Plug, por i pari që dha alarmin për një abuzim mbi 12 milionë euro, ishte Kontrolli i Lartë i Shtetit, e kjo shifër abuzimi vetëm në një prej episodeve.
Emisioni Plug ka arritur të sigurojë në mënyrë ekskluzive një “PROJEKT RAPORT AUDITIMI MBI PËRPUTHSHMËRINË DHE RREGULLSHMËRINË NË AUTORITETIN PORTUAL DURRËS” të majit 2024. Nuk dihet ende nëse ky projekt raport është përfundimtar apo nëse KLSH e ka referuar këtë material në SPAK.
Sot Plug do të analizojë në detaj shkeljet me dhjetëra milionë euro të tenderave e jo vetëm që Piro Vëngu ka kryer kur mbante detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Portual Durrës.
Kryetari i KLSH ka miratuar programin e auditimit me shkresën nr. 631/2 prot., datë 26.07.2023, i ndryshuar, ky auditim do të zhvillohej nga data 01.10.2023 deri më datë 19.01.2024, në subjektin Autoritetin Portual Durrës për periudhën nga data 01.01.2021 deri më datë 31.12.2022.
Sipas raportit në Autoritetin Portual Durrës janë audituar:
Aktiviteti i Institucionit për periudhën e auditimit, fokusuar kryesisht në operacione financiare, por jo vetëm. Konkretisht janë audituar vendimmarrja e organeve drejtuese, si edhe menaxhimi financiar dhe kontrolli, shpenzime për investime, shpenzimet operative, shpërblimet dhe pagat, aktiviteti i shoqërive stivadore, shoqërive të kontraktuara për shërbime, programimi dhe realizimi i plan-biznesit, zbatimi i marrëveshjeve koncesionare, etj.
Edhe pse audituesit kanë konstatuar shkelje në të gjithë zinxhirin drejtues të Autoritetit Portual Durrës, që nga dhënia e bursave në shkelje të ligjit, tenderi për Projektin e Portit të Ri, aferë e denoncuar dhe në intervistën e fundit të Arben Ahmetaj, kryerja e shpenzimeve pa miratimin e Ministrisë së Linjës, pagesa e avokatëve për arbitrazhe të ndryshme të cilat duhet të paguheshin nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës, fokus i këtij emisioni të sotëm do të jenë vetëm procedurat tenderuese të ndjekura nga Piro Vengu.
Nga auditimi rezulton se: Këshilli Drejtues i Portit Durrës, përbëhet nga 7 anëtarë, me përfaqësues nga institucione të ndryshme. Këshilli Drejtues i Autoritetit Portual përbëhet nga 2 përfaqësues të Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës, 1 përfaqësues nga Ministria e Financave, 1 përfaqësues i prefekturës, 1 përfaqësues i bashkisë dhe 2 përfaqësues të sektorit privat. Këshilli Drejtues, ka pësuar ndryshime në përbërje të tij gjatë periudhës objekt auditimi. Anëtare të Këshillit Drejtues për vitin 2021 janë, znj. Viola Haxhiademi, Kryetare, z. Indrit Cerloj, z. Evis Berberi, znj. Majlinda Demko, z. Arsim Rama, z. Alban Ramohitaj dhe znj. Bruna Cene, anëtarë. Për vitin 2022, Këshilli Drejtues është përbërë nga znj. Viola Haxhiademi, Kryetare, z. Genci Gjoncaj, z. Rudolf Papa, z. Arsim Rama, z. Alban Ramohitaj dhe znj. Bruna Cene, anëtarë.
Siç shihet që nga emrat e anëtarëve të Këshillit Drejtues kuptohet se Belinda Balluku ka vendosur aty dy njerëzit e saj më të besuar. Kryetare është Viola Haxhiademi kurse anëtar është Evis Berberi, i cili u largua nga Bordi pasi Belinda Balluku i dha postin e rëndësishëm të Drejtorit të ARRSH-së, ku abuzimet kanë kapur shifrën e miliarda eurove. Sot Berberi është në burg dhe telefoni i tij po tërheq me vete dhe Belinda Ballukun. Ndërsa e besuara tjetër, Viola Haxhiademi, nga njeriu më i afërt i Ballukut si Sekretare e Përgjithshme tashmë është emëruar në krye të KESH, një tjetër fole e korrupsionit galopant të Belinda Ballukut.
Indrit Cerloj është emri tjetër që bie në sy. Bashkëpunëtori i Belinda Ballukut dhe Piro Vëngut së fundmi mbante pozicionin e Drejtorit të Burgut në Durrës, ku ndodhet dhe Erion Veliaj, por u detyrua të linte detyrën me arrestimin e tij pas arratisjes së bujshme të Altin Ndocit. Pra siç duket, Belinda Balluku kishte kontroll të plotë mbi çdo detaj në Portin e Durrësit, e aq më shumë në tenderat miliona euro, e gjithashtu edhe në përcaktimin e fatit të këtij porti.
Por rikthehemi objektit të investigimit. Sipas përcaktimeve ligjore, Drejtori Piro Vengu është i detyruar që të paraqesë plan-biznese 3-vjeçare, të cilat do të duhen të miratohen fillimisht nga Këshilli Drejtues dhe më pas nga Ministrja Belinda Balluku. Plan-biznesi për vitet 2021-2023 ishte miratuar në 29 dhjetor të vitit 2020. Por sipas auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Piro Vengu vendos ta ndryshojë atë në 23.12.2023, kur tashmë kishte mbaruar ai plan-biznes:
KONTROLLI I LARTË I SHTETIT
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, më datë 23.12.2023 me shkresën me nr. 4673 prot., i ka dërguar Këshillit Drejtues për miratim, “Projekt vendim për miratim të Planit të Biznesit 3-vjeçar të zhvillimit ekonomik-financiar të APD për vitet 2021-2023”. Me Vendimin nr. 30, datë 29.12.2020, Këshilli Drejtues ka miratuar planin 3-vjeçar të zhvillimit ekonomiko-financiar të APD për vitet 2021-2023. Më datë 10.02.2021, me shkresën nr. 680/1 prot., është miratuar nga Ministri i MIE, vendimi nr. 30, datë 29.12.2020 i Këshillit Drejtues për planin 3-vjeçar të zhvillimit ekonomiko-financiar të APD për vitet 2021-2023.
Qartazi duket që ndryshimi nuk ka patur si qëllim rillogaritës apo ndryshim orientimi të plan-biznesit, pasi në radhë të parë, ky ndryshim u bë thjesht për rregullim dokumentacioni pasi plani i biznesit ishte realizuar. Dhe së dyti, i vetmi zë që ndryshon është ai i shpenzimeve dhe jo i të ardhurave. Nga këqyrja e ndryshimeve rezulton se në planin e të ardhurave për vitin 2021, 2022 dhe 2023, mbeten të pandryshuara. Ndërsa në zërin shpenzime vihet re një rritje e tyre, ku për vitin 2021 shpenzimet janë rritur në 2.075 miliardë lekë, për vitin 2022 shpenzimet janë rritur në 2.176 miliardë lekë ndërsa për vitin 2023 shpenzimet u rritën në 2.2 miliardë lekë. Pra sipas një përllogaritjeje totale të planit të vitit 2021 shpenzimet u rritën nga 2.09 miliardë në 2.41 në një diferencë prej 317 milionë apo 3.1 milionë euro.
Sipas planifikimit fillestar rezulton se Autoriteti Portual Durrës do duhet të dilte me fitim të konsiderueshëm për periudhën 2021-2023. Por Vengu vendos ta ndryshojë këtë plan post faktum.
Duke rritur shpenzimet me 300 milionë lekë në vitin 2021 ndërkohë rriten edhe investimet me 1.6 miliardë lekë ose 16 milionë euro më shumë. Pra rritje me rreth 20 milionë euro vetëm për vitin 2021, vit ku u kontraktua dhe kompania që bëri projektin e Portit të ri në Porto Romano.
KLSH
Ndryshimet janë në zërat shpenzime dhe në ato investime. Në plan-biznes të ardhurat nuk kanë ndryshuar, shpenzimet janë rritur me 317,281,350 lekë, fitimi është ulur me të njëjtën vlerë, si dhe investimet janë rritur me 1,673,448,906 lekë. Ndryshimet e paraqitura nga APD nuk janë dërguar për miratim te Ministri.
Por cilat janë investimet që filluan në vitin 2021 dhe vazhduan në vitin 2022? Në pikën 2.4 të raportit audituesit shprehen në detaj për procedurat e prokurimit:
KLSH
Zbatimi i ligjshmërisë në prokurimet për investime, për blerje mallrash e shërbimesh, si dhe zbatimi i kontratave (saktësinë e realizimit të procedurave të prokurimit, vlerësimi i kritereve dhe shpallja e fituesit) si dhe zbatimin e punimeve deri në marrjen në dorëzim të mallrave dhe shërbimeve dhe zbatimi i kontratave të punëve publike, kolaudimi dhe marrja në dorëzim e punimeve.
Sipas audituesve të gjitha dosjet e prokurimeve janë me mangësi të theksuara, nuk janë të mbajtura sipas përcaktimeve ligjore, gjë që e bën të vështirë gjurmimin e dokumentacionit dhe daljen në një konkluzion të plotë. Për vitet 2021-2022, Autoriteti Portual Durrës ka zhvilluar procedura tenderuese:
Viti 2021 — 1.8 miliardë
Viti 2022 — 1.44 miliardë
Pra në total Piro Vengu ka prokuruar 3.2 miliardë ose 32 milionë euro.
Ajo që bie në sy në planin e shpenzimeve është edhe fakti se 9 milionë euro janë tenderuar vetëm për konsulenca për hartimin e projektit të detajuar teknik të Portit të ri tregtar të integruar të Durrësit në Porto Romano”, për t’i hapur rrugë dhënies së Portit ekzistues Alabarit. (tabela në faqen 40)
Por përtej parave të shpenzuara për konsulenca, që shtojnë edhe më tepër dëmin e shkaktuar nga falja e Portit të Alabarit, audituesit e KLSH-së me përzgjedhje trajtojnë në detaj disa nga procedurat e ndjekura nga Autoriteti Portual Durrës. Sot në Plug do të trajtojmë me detaje 3 tendera në vlerën 1.22 miliardë lekë ose mbi 30% e fondeve të prokuruara për vitet 2021-2022. Janë 3 procedura prokuruese për blerje vinçash pasi Autoriteti Portual me prishjen e kontratës me kompanitë që operonin në Durrës për të cilat është në arbitrazh, tashmë me largimin e tyre ishte i detyruar të blinte vinçat për të vazhduar puna në pjesën e mbetur të portit. E sërish kostoja miliona euro vijon të rëndojë xhepat e taksapaguesve shqiptarë.






