Rama refuzon të shkarkojë Ballukun”/ France24: Shqipëria përfshihet nga një valë protestash antiqeveritare
Protesta e një ditë më parë e opozitës në Shqipëri ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave franceze.
France24 shkruan se protestues në kryeqytetin e Shqipërisë hodhën bomba molotov ndaj një ndërtese qeveritare, ndërsa policia u kundërpërgjigj me ujë me presion.
Media franceze thekson se tensionet politike janë rritur që prej dhjetorit, pasi një njësi e posaçme e prokurorisë akuzoi zëvendësen e Ramës, Belinda Balluku, për ndërhyrje të dyshuar në tenderë publikë për projekte të mëdha infrastrukturore dhe favorizim të kompanive të caktuara.
Sipas France24, Balluku akuzohet për shpërdorim detyre në kuadër të një çështjeje që lidhet me kontrata publike infrastrukturore, përfshirë pretendime se procedurat e prokurimit janë manipuluar për të favorizuar kompani të caktuara. Të martën, disa persona hodhën koktej molotovi dhe objekte të tjera, ndërsa policia reagoi me gaz lotsjellës dhe topa uji.
“Një grup zgjodhi forcën në vend të fjalës, duke sulmuar dhe plagosur oficerë policie. Dhuna nuk mund të justifikohet kurrë”, citohet nga France24 ministrja e Brendshme, Albana Koçiu.
Sipas medias, përplasja politike në Shqipëri është përqendruar te pavarësia e gjyqësorit dhe korrupsioni, në sfondin e përballjes mes qeverisë së drejtuar nga kryeministri socialist Edi Rama dhe opozitës konservatore.
Protesta e së martës nisi në qendër të Tiranës, ku mijëra mbështetës të Partisë Demokratike u mblodhën përpara institucioneve kryesore qeveritare.
France24 raporton se Prokuroria e ka pezulluar Ballukun nga detyra, vendim që është mbështetur edhe nga Gjykata Kushtetuese. Megjithatë, Rama ka refuzuar ta shkarkojë, duke argumentuar se duhet respektuar parimi i prezumimit të pafajësisë.
Duke iu drejtuar mbështetësve të tij, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi qeverinë se është e ndërthurur thellë me rrjete kriminale dhe korrupsion.
“Rama i ka shpallur luftë sistemit të drejtësisë dhe, nëse duam vërtet të shpëtojmë Shqipërinë, duhet të largojmë Edi Ramën dhe ta shpallim armikun më të pamëshirshëm të shqiptarëve dhe të Shqipërisë”, citohet Berisha nga France24.






