Myzeqeja shkretëtira e ardhshme, sa larg jemi fundit të bujqësisë?
Elis Baba
Nuk janë investime, është një luftë e hapur kundër çdo shqiptari që ka zgjedhur të jetojë akoma në këtë vend. Modeli i “Agallarëve të Rinj” që po shohim në Imshtë (Lushnje), Boçovë, Povelçë , Seman e kudo, tregon fytyrën e vërtetë të këtij sistemi: një makineri që dhunon, grabit, përdhunon tokën dhe në fund, tallet me ne në mënyrën më arrogante.
Skema është e qartë. Së pari, ju lënë në harresë duke mos pastruar kanalet, e kur natyra bën punën e saj dhe toka mbetet nën ujë, shfaqen “ekspertët” që deklarojnë me ftohtësi se ajo tokë nuk vlen më për bujqësi. Na thonë se Myzeqeja është e “vdekur”, vetëm që të gjejnë pretekstin për t’ia falur kompanive të klientëve të tyre që të mbjellin panele fotovoltaike mbi bukën tonë.
Por tallja nuk ndalet këtu. Shihni çfarë ndodh në Imshtë: ndërkohë që Belinda Balluku dhe Ceno Klosi janë sot zyrtarisht nën hetim nga SPAK për abuzime dhe pazare që lidhen sic flitet ne media edhe me sektorin e energjisë dhe fotovoltaikëve, bashkëpunëtorët e tyre të lirë vazhdojnë të firmosin fatin e pasurisë sonë sikur të ishte pronë e tyre private.
Ky është niveli i degradimit: kur zullumi i tyre po hetohet nga prokuroria speciale, qeveria as nuk denjon të dëgjojë as deputetin e saj të zonës, Erion Braçe, që detyrohet të bëjë ‘rebelin’ në Facebook sepse vendi i vlon e s’ka ku ta fsheh kokën nga zhurma e fadromave që qeveria e tij ka nisur drejt arave të Myzeqesë.
Dhuna që pason është pika që mbush gotën. Në Boçovë, një banor që ka punuar tokën e tij për tri dekada, tërhiqet zvarrë drejt policisë si të ishte kriminel. Në Imshtë, biznesmenët shfaqen me “të fortë” që u duken armët dhe kërcënojnë jetën e fëmijëve tuaj në mes të ditës, ndërsa Policia e Shtetit qëndron aty si truprojë private e grabitësve.
Kjo nuk është vetëm betejë e fermerëve, është betejë për mbijetesë. Sipas ekspertëve të sigurisë globale dhe OKB-së, luftërat e ardhshme nuk do të bëhen më për naftë, por për ujë dhe ushqim. Ky është një realitet i frikshëm që po na troket në derë. Çfarë do të hamë nesër kur fushat të jenë shkretëtira xhami e betoni?
Ky pushtet po vret të ardhmen me vetëdije të plotë. Por, mos harroni, ky sistem tmerrohet nga e vërteta. Bile tmerrohen edhe nga një koment i juaj i vetëm këtu në Facebook, po po, të jeni të bindur për këtë!
E patë çfarë ndodhi në Divjakë? Sistemi u drodh aq shumë nga fjala e një njeriu, sa përdorën çdo mjet presioni dhe e detyruan fermerin të tërhiqet publikisht nga kritika që kishte bërë. Pse? Sepse e vërteta i tremb, se mund të ndezë shkëndijën e të na zgjojë nga gjumi!
Nëse një fermer i vetëm i bëri të dridhen, po sikur të ngrihen 1,000 fermerë e ta thonë publikisht atë që mendojnë? Po sikur bashkë me ta të ngrihen edhe 10,000 qytetarë të tjerë, që ushqehen çdo ditë nga produktet e këtyre fermerëve, çfarë do të ndodhte?






