Afera Durana/ Ndryshimet në Ligjin për Parqet Teknologjike ngrenë shqetësime për evazion fiskal

Afera Durana/ Ndryshimet në Ligjin për Parqet Teknologjike ngrenë shqetësime për evazion fiskal

Në një tryezë të përbashkët konsultimi, Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER) së bashku me Institutin Shqiptar të Shkencave (AIS) dhe Westminister Foundation for Democracy (WFD) prezantuan të mërkurën paradite disa prej shqetësimeve të shoqërisë civile mbi problematikat kryesore të shtesave dhe ndryshimeve mbi Ligjin 58/2022 për Parqet Teknologjike dhe Shkencore.

Sipas ekspertëve që ishin të pranishëm në diskutim, qëllimet e këtij projektligji të ri nuk i janë përmbajtur dispozitave fillestare ligjore, por kanë favorizuar aktorë të caktuar.

“Fokusi nuk u përqendrua tek kërkimi shkencor, por u la deri diku i lirë për përfitues që vinin nga biznesi “, tha Aranita Brahaj nga Instituti Shqiptar i Shkencave.

“Për më tepër që së fundmi është shtuar koncepti i sektorit të ‘Data Center’, një sektor pa mbulim dhe pa rregullim ligjor”, shtoi më tej Brahaj.

Brahaj u shpreh se ndryshimi i nenit 12 të ligjit ekzistues, mbi lejimin e marrëveshjeve të shitblerjes së aksioneve midis një përdoruesi të parkut dhe një enti publik sjell pikëpyetje mbi transparencën e prokurimeve publike.
Ligji fillestar “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Parqeve Teknologjike dhe Shkencore” u miratua në vitin 2022, me qëllim zhvillimin e industrive të teknologjisë dhe inovacionit, rritjen e kërkim-zhvillimit, si edhe krijimin vendeve të reja të kualifikuara të punës.

Durana Tech Park, i krijuar më 20 shkurt 2025, pronë e Korporatës Shqiptare të Investimeve, ishte iniciativa e parë për ndërtimin e një parku inovacioni në Shqipëri.

Ky park teknologjik u planifikua të vendoset në Xhafzotaj të Durrësit, me qëllim tërheqjen e investimeve vendase dhe të huaja për kompanitë e IT, universitete, apo nomadë digjitalë.

Sipas Ligjit, për bizneset që do të operonin në këtë park teknologjik parashikohen lehtësira fiskale si zero tatim mbi fitimin për 15 vjet, zero tatim mbi pagat e personelit për 10 vjet dhe shumë të tjera.

Ndërkohë në vitin 2025 u hodh për konsultim Projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin fillestar, duke prezantuar koncepte të reja si “Parku virtual”, infrastuktura e “Data Center”, si edhe lehtësira shtesë fiskale për zero TVSH për mallrat, shërbimet dhe pajisjet e përdorura në park për prodhimin e produkteve inovative.

Lidhur me këto ndryshime, ekspertët ligjorë thonë se qëllimet e deklaruara nuk përputhen me qëllimet e fshehta, dhe favorizojnë biznese dhe aktorë të caktuar.

“Nuk ekziston një raport i konsoliduar auditimi, dhe relacioni shoqërues I ligjit nuk është I plotë”, u shpreh Blertë Kraja, audituese ligjore, duke shtuar se një nga qëllimet e nënkuptuara është shtimi i parashikimit të veprimtarive virtuale, po ashtu zgjerimi i subjekteve përfituese nga TVSH zero.

“Si pasojë, shtohet mundësia për korrupsion dhe për shkelje të marrëveshjeve të negociuara dhe jo transparente nga palët për publikun”, theksoi Kraja.

Edhe Zef Preçi, drejtues ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike ACER i cilësoi këto ndryshime si cënime të rënda.

“Më këto ndryshime kemi kaluar nga nga stadi i korrupsionit të gjithëpranuar, në stadin e lehtësirave fiskale që cënojnë atë për të cilën është krijuar shteti” tha Preçi.

Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, u shpreh gjithashtu kritik ndaj parashikimeve të fundit për parqet shkencore dhe teknologjike.

“Çështja e virtualitetit është elefanti në dhomë”, tha Bozdo gjatë fjalës së tij. “Ligji bazë u krijua në vitin 2022, dhe nënkupton ekzistencën fizike të parkut. Në Xhafzotaj është vetëm një terren i hapur, nuk ka asgjë”, shtoi ai, duke ju referuar parkut ‘Durana’.

Sipas Bozdos, koncepti i parkut virtual është futur pikërisht për t’i hapur derën skemës së evazionit fiskal.

“Kam kërkuar listën e kompanive përfituese dhe efektet fiskale si nga Ministria e Ekonomisë ashtu dhe Ministria e Financës, por akoma nuk kam marrë një përgjigje”, tha deputeti i Partisë Demokratike.

Ngjashëm, ekspertja ligjore Kraja theksoi se rreziku për evazion fiskal me kompanitë “virtuale” është i dukshëm.

Nuk ka asnjë të dhënë sa parqe janë ngritur, çfarë ka përfituar shoqëria prej tyre, efektet financiare të tyre, apo si është zbatuar ligji deri tani”, tha Kraja mbi të dhënat e deritanishme.

“Kjo krijon rrezik për evazion fiskal, për abuzim në mënyrë që përdoruesi të bëjë veprimtari që nuk i parashikon ligji, si edhe mund të çojë në situate të shkeljes së konkurrencës”, përfundoi ai. /BIRN

Share it :