Sali Berisha mbërrin në selinë e PD-së!
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka mbërritur në selinë blu, teksa pas vetëm pak minutash pritet nisja e protestës kombëtare të PD-së.
Berisha ka takuar simpatizantët e shumtë para se të futej në ambientet e brendshme të selisë së partisë.
Sakaq, pritet që pas pak momentesh Berisha së bashku me drejtues të tjerë të partisë dhe protestues të tjerë t’i drejtohen sheshit para Kryeministrisë.
Mbi 1300 efektivë policie janë angazhuar në terren pasditen e kësaj të marte, teksa pritet të mbahet protesta e thirrur nga opozita para Kryeministrisë.
Sipas raportimeve një kordon policie do të jetë në perimetrin e kryeministrisë, ndërsa nëse do të jetë skenari i protestës së kaluar, policia do të zhvendoset edhe përpara Parlamentit.
Sakaq në gatishmëri janë vendosur edhe autobotet me ujë, me qëllim ndërhyrjen për të shpërndarë protestuesit nëse do të jetë e nevojshme.
Kjo është protesta e tretë kombëtare e thirrur nga opozita kundër qeverisë së Edi Ramës, ndërsa si pasojë e protestës është devijuar edhe qarkullimi në disa zona në kryeqytet.






