Kthesa e PS/ Rama urdhëron mbrojtje për Ballukun, socialistët derdhen në ekrane

Kthesa e PS/ Rama urdhëron mbrojtje për Ballukun, socialistët derdhen në ekrane

Mazhoranca shndërrohet në zyrë avokatie përballë SPAK, harrohen përbetimet si “dashnorë” të drejtësisë

Përfaqësuesit e mazhorancës me në krye Edi Ramën që deri më dje përbetoheshin si “dashnorë” të drejtësisë e që nuk komentonin çështje të saj, prej ditës së sotme janë derdhur nëpër ekrane.

Kanë vetëm një mision; të mbrojnë Belinda Ballukun në aferën e saj përballë drejtësisë. Edhe pse debatin tentojnë ta maskojnë si një çështje të jurisprudencës dhe thellësisht kushtetuese, në fakt ata janë në media për hallin e Ballukut dhe Ramës.

Kjo kthesë e papritur nuk është aspak rastësi, por një urdhër politik i Edi Ramës. Siç mëson Lapsi.al nga radhët e deputetëve të PS, sot në mbledhjen e grupit parlamentar, Edi Rama kërkoi prej deputetëve të tij të mos ishin pasivë në këtë situatë.

Ai ju tërhoqi vëmendjen të vetëve, sidomos figurave që janë me përvojë, për të dalë në mbrojtje të Ballukut në betejën e saj me drejtësinë. Përbetimet e kryeministrit si “dashnor” i drejtësisë janë një vegim i së shkuarës.

Belinda Balluku e ka tërhequr në batakun e saj në një përballje frontale me SPAK që kërkon “kokën” e zëvendëskryeministrës, tashmë të pezulluar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Po të shihje sot prej mesditës dhe deri vonë në mbrëmje në disa ekrane u shfaqën befas si kërpudha përfaqësues të PS-së e të qeverisë, në një përpjekje të dëshpëruar për të mbrojtur Ballukun.

Kishte kohë që përfaqësues të PS nuk dilnin nëpër studio televizive. Aq më tepër të flisnin për cështje që kanë të bëjnë me drejtësinë. Por Rama nën presion të fortë nga Balluku ka ndryshuar strategji. PS si një kazermë ushtarake nën thundrën e tij, tashmë so të marrë në mbrojtje Ballukun.

Vetë Rama sot e dha sinjalin që nuk do ta lëshojë imunitetin e saj duke u bërë zyrë avokatie për numrin dy të qeverisë. BE nga ana tjetër dha sinjalin e qartë se kjo është vijë e kuqe dhe mund të ketë pasoja për Shqipërinë.

Për të intensifikuar daljet mediatike të deputetëve, Rama prezantoi sot në mbledhjen e grupit të PS-së këshilltaren e tij të re, Jonida Shehu, fjala e së cilës tha ai, është njësoj sikur t’u ketë folur vetë kreu i mazhorancës.

Me çehre të prishur dhe e heshtur totalisht ishte shfaqur sot në mbledhje edhe vetë e pandehura Belinda Balluku, e cila njësoj si Rama plot me dëshpërim kërkonte herë “armiq” brenda radhëve dhe herë “argatë” që janë të gatshëm t’i vënë fytyrën mbrojtjes së aferës së saj me drejtësinë. ©LAPSI.al

Share it :