Banka e Shqipërisë u krenua sot publikisht me një nga treguesit më të cituar të stabilitetit financiar, rënien drastike të kredive me probleme nga rreth 25% në shtator 2014 në 3.8% në dhjetor 2025.
Sipas institucionit, ky është një sukses i madh që dëshmon shëndetin e sistemit bankar dhe forcimin e mbikëqyrjes financiare në vend.

Në letër, ky vlerësim është i saktë. Sistemi bankar operon sot me likuiditet të lartë, depozita rekord dhe banka që në disa raste shfaqin “përtesë” edhe për të hapur depozita të reja.
Nga këndvështrimi strikt financiar, raporti i ulët i kredive me probleme është tregues pozitiv dhe i dëshirueshëm.
Por pikërisht këtu nis hipokrizia. Banka e Shqipërisë zgjedh të tregojë vetëm rezultatin final, ndërsa fsheh procesin që e prodhoi atë, nxitur edhe nga politikat dhe mosreagimi i vetë rregullatorit. Ishte një proces brutal dhe shkatërrues për qindra mijëra familje shqiptare.
Nga viti 2014 deri në 2016, për shkak të vendimeve rregullatore për nxjerrjen jashtë bilancit të kredive të pambledhshme pas një afati të caktuar, bankat (e nisi ProCredit Bank e para) nisën shitjen masive të portofolëve të kredive me probleme. Nxjerrja e tyre nga bilancet solli automatikisht përmirësim statistikor të treguesve financiarë dhe fillimin e rënies së shpejtë të kredive me probleme.
Por ajo që u quajt “pastrim bilancesh” për bankat, u shndërrua në një tragjedi sociale për mijëra familje shqiptare.
Portofolët e kredive u blenë nga kompani të mbledhjes së borxheve, të cilat më pas u shndërruan në struktura tërësisht grabitqare.
Hetimet dhe denoncimet e mëvonshme zbuluan se kompani si Micro Credit Albania, Final, ADCA, Consulting Company, ZIG dhe të tjera të ngjashme ushtruan presion sistematik ndaj debitorëve përmes telefonatave të pandërprera, kërcënimeve, shantazheve, sekuestrimeve dhe përvetësimit të pronave.
Familje që kishin marrë kredi të vogla vite më parë u përballën me kërkesa financiare të shumëfishuara, pa transparencë, pa sqarime ligjore dhe shpesh pa asnjë komunikim të drejtpërdrejtë me institucionet bankare.
Banesa, toka, magazina dhe pasuri të tjera u kaluan në emër të këtyre kompanive për shuma që nuk kishin asnjë logjikë ekonomike, aq më pak ligjore.
Skema funksionoi për vite të tëra pa asnjë ndërhyrje institucionale. Madje, njëlloj me mbretërimin e sotëm të IUTE Credit, Kredo.al dhe fajdexhinj të ngjashëm, skema u tolerua nga Banka e Shqipërisë siç po ndodh dhe tani.
Denoncime publike dhe investigative për aktivitet kriminal në fushën e mikrokredive janë bërë që para pandemisë së vitit 2020, duke përfshirë një zinxhir kompanish dhe individësh që vepronin hapur në qendër të Tiranës, pranë institucioneve shtetërore, pa u penguar nga askush.
Nga viti 2016 e në vijim, sipas dëshmive dhe të dhënave të mëvonshme, kompani të tilla kishin përvetësuar me miliona euro pasuri të paluajtshme të qindra familjeve shqiptare, pa asnjë inventar zyrtar dhe pa asnjë analizë sociale nga autoritetet përgjegjëse.
Presioni psikologjik dhe financiar mbi debitorët arriti nivele ekstreme. Bllokime rrogash, përndjekje të vazhdueshme në ambientet e punës, përfshirje e familjarëve dhe të afërmve në presionin për pagesë, ankth i përditshëm dhe ndjenjë e vazhdueshme terrori u kthyen në realitet për shumë qytetarë.
Historia e Mirela H, një nënë e dy fëmijëve që përfundoi pa asnjë të ardhur dhe nën presion të vazhdueshëm për shkak të një kredie të vjetër, është vetëm një nga qindra histori të ngjashme që nuk u dëgjuan kurrë.
Raste të tilla tregojnë se si një kredi e marrë vite më parë, e shlyer pjesërisht, u shndërrua në një borxh të shumëfishuar, të pashpjegueshëm dhe të pamundur për t’u përballuar.
Kulmi i kësaj drame njerëzore ishte vetëvrasja tragjike e Pal Trashajt, e cila u bë simbol i asaj që shumë familje shqiptare përjetuan në heshtje. Një çmim njerëzor që nuk figuron në asnjë raport financiar dhe nuk përmendet në asnjë deklaratë triumfaliste.

Vetëm pas shpërthimit publik të skandalit, shteti nisi të reagojë me vonesë.
U kallëzuan në prokurori përmbarues privatë që operonin si banditë me vulën e shtetit, avokatë dhe ekspertë pasurish të paluajtshme, ndërsa u zbuluan skema të shitjes së vulave, manipulimit të ankandeve dhe kalimit të pronave me procedura fiktive.
Por dëmi tashmë ishte bërë.
Sot, Banka e Shqipërisë flet për sukses, stabilitet dhe tregues historikë. Ajo që nuk thuhet është se ky “sukses” u ndërtua mbi shkatërrimin ekonomik dhe psikologjik të mijëra familjeve shqiptare, mbi humbjen e pronave dhe mbi një sistem që për vite të tëra lejoi grabitqarët e kredive të vepronin pa frena dhe frikën e ligjit.
Ulja e kredive me probleme është reale në statistika.
Por mënyra se si u arrit, dhe çmimi që pagoi shoqëria shqiptare për këtë rezultat, mbeten një njollë e rëndë morale dhe institucionale, për të cilën ende nuk ka as përgjegjësi të plotë dhe as reflektim të sinqertë. / Emirjon Senja – Skyweb.al






