Dështon skema e garancisë sovrane për bujqësinë, tkurret kredia për fermerët

Dështon skema e garancisë sovrane për bujqësinë, tkurret kredia për fermerët

Në shkurt të vitit të kaluar, kryeministri Edi Rama shpalli së bashku me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë një skemë, që sipas tij do të ishte një histori e madhe suksesi për mbështetjen e bujqësisë. Bëhej fjalë për çeljen e një linje financimi me garanci sovrane, ku fermerët do të merrni kredi me interes 2 për qind nga bankat dhe shteti do të garantonte deri në 70 për qind të principalit.

“Sot e kurorëzojmë në mënyrën më inkurajuese dhe më optimiste, me vendimin e BSH për të hapur një linjë të re financimi me fokus te bujqësia dhe marrëveshjes mes bankës qendrore dhe të nivelit të dytë, në funksion të projekteve. Ky është një hop cilësor, shumë premtues për sektorin dhe vendin,” tha Rama.

Sipas planit të lajmëruar nga shefi i qeverisë, linja e kredisë do ishte deri në 250 milionë euro. Vendimi i qeverisë për çeljen e skemës u miratua në korrik.
“Kredia është fantastike me 2%, kredi me 2% është vërtet fantastike me 70% të garancisë mbi kolateralin, që është diçka shumë e vlefshme për ju,” tha kryeministri me entuziazëm të madh duke shtuar se ky instrument mund të arrinte deri në 1 miliardë euro.

Por fjalët e shefit të qeverisë i mori era shpejt, ashtu siç ndodh shpesh me premtimet bombastike. Skema dështoi. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se vitin e kaluar kredi për bujqësinë, jo vetëm që nuk u zgjerua në mënyrë marramendëse ashtu siç premtoi kryeministri, por u ul.

Sipas BSH, gjatë vitit të kaluar bankat dhanë në total 26.4 milionë euro hua për bujqësinë, nga 27.2 milionë euro që ishte vlera në vitin 2024. Ndërsa përrallat me 1 miliardë euro, që kryeministri u tregoi fermerëve gjatë fushatës elektorale, rezultuan kallp.

Ndërkohë sektori i nënfinancuar nga të gjitha drejtimet, qoftë nga mbështetja buxhetore, qoftë edhe nga kredia bankare, vazhdon të tkurret me ritme të pandalshme duke përjetuar një nga krizat më të gjata dhe me të thella në histori, teksa prodhimi bujqësore ka shënuar rënie për dhjetra tremujorë me radhë.

Kapitali

Share it :