Berisha pas protestës: Vetëpërmbajtja e qytetarëve më e fuqishme se dhuna e banditëve
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një fjalim në selinë blu pas protestës së opozitës të zhvilluar para Kryeministrisë dhe Kuvendit.
Ai vlerësoi pjesëmarrjen e qytetarëve dhe qëndrimin e tyre duke e cilësuar si më të fuqishëm se dhuna e kundërshtarëve.
Berisha theksoi se vetëpërmbajtja dhe guximi i protestuesve janë një mesazh i qartë kundër atyre që, sipas tij, ushtruan dhunë ndaj qytetarëve dhe deputetëve.
“Vetëpërmbajtja, guximi, qëndrimi paqësor i protestuesve, është qindra herë më i fuqishëm se banditizmi juaj. U them atyre banditëve që goditën protestues, deputetë dhe njerëz me aftësi ndryshe se këtyre guximtarëve u mjaftojnë pak minuta për t’u dhënë atë që meritonin.
Mos mendoni se durimi nuk ka një fund. Ju garantoj se kjo vetëpërmbajtje, vendosmëri e jona, nuk mund të provokohet dhe provokatorët mund të marrin një mësim që meritojnë. Mirënjohje për çdo qytetar që erdhi nga katër anët. 20 shkurt është dita jonë”, u shpreh Berisha.






