Deputetët e opozitës takojnë Kryetarin e Komitetit për Europën në Kongresin Amerikan
Lufta me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është e vetmja mënyrë që Shqipëria të ecë përpara
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, Kryetarja e Komisionit të të Drejtave të Njeriut Jorida Tabaku, deputetët Albana Vokshi, Belind Këlliçi dhe Ivi Kaso po zhvillojnë një vizitë zyrtare në SHBA, ku janë takuar me kongresmenin Keith Self, Kryetar i Nënkomisionit për Europën në Komisionin e Punëve të Jashtme.
Gjatë takimit deputetët e opozitës kanë nënvizuar se aleanca në NATO ka detyrime për Shqipërinë, që nuk duhet të bëjë hapa pas në funksionimin demokratik të institucioneve, në garantimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe mos përdorimin e tij nga mazhoranca si mjet politik kundër kundërshtarëve politik, në vlerësimin e çdo investimi të huaj në Shqipëri, dhe mbi të gjitha në luftën me tolerancë zero ndaj pastrimit të parave të pista.
Deputetët e opozitës e falenderuan kongresmenin Self për disa seanca dëgjimore të zhvilluara në Kongres me fokus zhvillimet në Shqipëri, si dhe për të gjithë mbështetjen që i ka dhënë vendit tonë ndër vite.
Ata theksuan se përkushtimi i SHBA për të vendosur në krye të axhendës së sigurisë luftën ndaj karteleve të drogës dhe bashkëpunëtorët e tyre, është një lajm i mirë për Shqipërinë. Lufta me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është e vetmja mënyrë që Shqipëria të ecë përpara, si një vend i denjë për të qenë anëtar i NATOs dhe si vend kandidat për në BE.





