Berisha: Gjykata Kushtetuese është strofulla e fundit e hajdutëve, ajo zbaton në mënyrë kriminale urdhrat e Edi Ramës
Kryetari i Partisë Demokratike deklaroi gjatë një konference shtypi se, Gjykata Kushtetuese është strofulla e fundit e hajdutëve, ajo zbaton në mënyrë kriminale urdhrat e Edi Ramës.
Berisha: Të dashur qytetare dhe qytetarë, dita e djeshme faktoi para secilit prej jush, para të gjithë shqiptarëve, para komunitetit ndërkombëtar dhe mbarë botës se Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë është strofulla e fundit e hajdutëve tuaj.
Në një akt ekstrem vetëposhtërimi, ata të cilët Kushtetuta i përcakton si garantë të saj dhe i ka vendosur në piedestalin më të lartë të piramidës së pushtetit gjyqësor, ata po faktojnë para syve tuaj se janë strofulla e fundit e hajdutëve të narkoshtetit.
Ata zotërinj dhe zonja, natyrisht jo të gjithë, se këtu nuk mund të mos vlerësoj qëndrime korrekte të ndonjërit prej tyre, dëshmojnë se janë të gatshëm jo të mbrojnë ligjin, Kushtetutën dhe interesat tuaja, por të shkelmojnë mbi ligjin, Kushtetutën dhe dinjitetin, moralin e vet.
Vetëm e vetëm për të zbatuar përulësisht, për të zbatuar në mënyrën më kriminale urdhrat e Edi Ramës.
Kësaj here nuk kam pyetur se cili apo cila kërkoi zgjatjen. Jo. Kjo ishte e treta herë.
Tre herë me radhë ajo gjykatë firmosi turpin e saj.
Ajo gjykatë dëshmoi se para ligjit, para interesit të një populli të tërë, para interesit të qindra mijëra fëmijëve shqiptarë, që sipas të gjitha statistikave nuk ushqehen dot si duhet, para interesit të miliona shqiptarëve që braktisin vendin e tyre sepse u shkatërrohen vendet e punës, para interesit të mijëra të sëmurëve që nuk marrin dot ilaçet e tyre sepse u vidhen paratë e ilaçeve nga zyrtarët që këta mbrojnë, por edhe para dinjitetit të vendit, këta janë turpi i vendit, turpi i kombit.
Këta e bëjnë Shqipërinë hore para gjithë botës me gjithë këto qëndrime.
Këta e bëjnë Shqipërinë një shtet hor, zuzar, që nuk ka as ligj dhe as Kushtetutë, dhe e bëjnë vetëm për interesa personale.
Kemi të bëjmë me një degradim të shkallës më të thellë që mund të ekzistojë.
Me ambiguitetin e tyre tregojnë se sa të pakarakter dhe të pafytyrë janë.
Se çfarë turp njerëzish përfaqësojnë.
Është tjetër kur ti haptas merr anë dhe i del përpara të të shohin fytyrën.
Kurse këta të pafytyrë marrin peng institucionin kryesor të drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese.
Tjetri ngrihet si mi, një degjeneratë njerëzor si ai, nuk ka tjetër, dhe ikën nga takimi.
Po ka turpe të tilla më të mëdha, sepse i nxirret dosja e Oltion Bistrit.




