Alimehmeti: Çmimet e ilaçeve u rritën 40-fish! Më 10 shkurt të protestojmë për jetën dhe shëndetin
Drejtuesi i Departamentit të Shëndetësisë, Ilir Alimehmeti, gjatë fjalës së tij në foltoren e PD, tha se, një vendim i papritur dhe i pa paralajmëruar i qeverisë ka shkaktuar kaos në tregun farmaceutik, duke rritur ndjeshëm çmimet e dhjetëra barnave thelbësore. Disa ilaçe kanë pësuar rritje deri në 40-fish, duke vënë në vështirësi të madhe pacientët dhe farmacistët në të gjithë vendin.
Alimehmeti tha se, Ministria e Shëndetësisë ka ndërhyrë njëanshmërisht në çmimet e barnave pa asnjë njoftim apo konsultim me aktorët e tregut, duke e lënë farmacinë në situatë të pamundur për të përmbushur kërkesat për barna të rimbursueshme. Rritja prek ilaçe jetike, përfshirë antibiotikë, antitumoralë, për sëmundje autoimune dhe diabet, duke vënë në rrezik shëndetin e shtresave më të ndjeshme të popullsisë.
Fjala e Alimehmetit
Më lejoni të shpreh falenderimin tim personal, po edhe të Partisë Demokratike, për të gjithë lodhjen, gjithë mbështetjen që keni dhënë këtë vit e këto vite të vështira. Me të vërtetë, jeni ju shtyllat kurrizore që kanë arritur ta mbajnë një situatë kur opozita ishte në ditët e saj më të vështira. Ju falenderoj nga zemra për këtë. Po të mos kishit qenë ju, ne nuk ishim këtu duke bërë këtë diskutim sot.
Patjetër, degën 1 dhe degën 3 unë i njoh në mënyrë të veçantë sepse jam mbi 20 vjet banor në këtë zonë, kështu që për problematikat tona mund të flasim çdo ditë, çdo natë, por ka një problem më të madh akoma: për shtresën më vulnerabël të popullatës tonë, që janë të sëmurët. Ne këtë fundjavë këtu, në qoftë se e keni vënë re, kush ka të sëmurë në shtëpi, të sëmurë kronik, të sëmurë akut, mund të vërejë që tregu farmaceutik hyri në kaos. Qeveria, Ministria e Shëndetësisë, në një mënyrë krejtësisht të paparalajmëruar, ndërhyri tek çmimet CIF të barnave dhe sot farmacistët u gjendën në një situatë ku ata nuk arrinin dot të përmbushnin barnat e rimbursueshme për pacientët.
Një sërë ilaçesh nuk po flasim për të gjitha po për ata që patën ndryshimet. Nuk u lajmërua as urdhëri i farmacistit, as unioni farmaceutik, dhe për këtë u vunë në kurriz farmacistët. Çdo gjë që ndodh në shëndetësi, në këtë rast farmaceutik, është në kurriz të njerëzve, është në kurriz të të sëmurëve, është në kurriz të jetës dhe të shëndetit. Nuk është thjesht një gjë administrative e vogël. U rritën çmimet e barnave, të dhjetra barnave pa u shpjeguar fare. Disa çmime u arritën deri në 40-fish. Shumë çmime u dy- dhe trefishuan, pa pasur një kuptim, pa pasur një transparencë, pa diskutuar pse ndodhi kjo. Ministria e Shëndetësisë është aty për të tuteluar të sëmurin, për të tuteluar njerëzit, sepse patjetër biznesi interesohet të shesë nga ana e tij. Por, pa asnjë transparencë, pa folur me organet kompetente dhe grupet e interesit, u shtuan mbi 40 barna dy deri trefish, madje një ilaç i caktuar është dhe 40-fish më shumë.
Këto janë antibiotikë, këto janë ilaçe antitumorale, këto janë ilaçe për sëmundje autoimune, këto janë ilaçe për diabetin praktikisht për shumë sëmundje nga të cilat vuajnë shumë njerëz. Në kurriz të kujt? Në kurriz patjetër të fondit publik dhe në kurriz të atyre që nuk janë të siguruar, që nuk përfitojnë, nga xhepi i tyre. Për interes të disa firmave, dhe ne kemi parë se si edhe vitin e kaluar fondi i sigurimeve, me rimbursimet fiktive që ka pasur, i ka kushtuar qindra miliona dëm fondit publik dhe parave tona, në kurriz të jetës dhe shëndetit. Nga krahu tjetër, u kërkohet farmacistëve që të zbatojnë disa çmime të cilat nuk u kanë ardhur, sepse nuk është miratuar ende lista, që ata të shesin më pak se sa ç’u kanë thënë t’i blejnë më përpara. Sepse zinxhiri e ka lënë bosh.
Depot farmaceutike shesin me një çmim më të lartë, ndërkohë që atyre u kërkohet t’ia japin pacientit me një çmim më të ulët, në kurriz të farmaceutikës, duke ia lënë atyre, le të themi topin, pataten e nxehtë, sepse janë ata që po bëjnë dëmin. Në këto kushte, të jemi shumë të qartë: vuan gjithmonë pacienti dhe ne kemi marrë shumë raportime si departament, për pacientë që po bëjnë ecejake nga mjeku tek farmacisti, tek spitali, tek qendra shëndetësore dhe nuk po arrijnë të zgjidhin problemin e tyre. Për një arsye dhe vetëm një arsye: Ministria e Shëndetësisë punon pa plan, se Ministria e Shëndetësisë nuk punon në drejtim të pacientit, por punon vetëm në drejtim të disa xhepave përkatës. Dhe ja vë në kurriz në fund fare, dhe çon, si zakonisht, një shtresë kundër një tjetre: shtresën e pacientëve kundër shtresës së farmacistëve, që në fakt është e njëjta shtresë, sepse të dyja tentojnë të ndihmojnë jetën, tentojnë të ndihmojnë shëndetin.
Në këto kushte nuk ka se si ne të mos flasim për këtë situatë këtu. Kjo kërkon një zgjidhje të menjëhershme. Kjo kërkon një përgjigje të cilën ne duhet t’ia japim me doemos. Në datë 10 shkurt na jepet mundësia t’i japim një përgjigje qeverisë edhe për këtë situatë, që shkakton dita-ditës, çdo ditë që kalon, një aferë; çdo ditë që kalon, një abuzim. Por kurrsesi nuk mund të tolerohet kjo kur është në kurriz të jetës dhe të shëndetit. Prandaj, miq, unë ju bëj një thirrje: kjo qeveri këtu rrëzohet vetëm me protestë, kjo qeveri këtu rrëzohet vetëm me revoltë; kërkohet qëndresë, kërkohet guxim, kërkohet kurajo, kërkohet që ne aty në shesh të thërrasim këdo.
I bëj një thirrje të veçantë shoqatave të pacientëve, mjekëve, farmacistëve, stomatologëve, infermierëve, çdo personeli shëndetësor që e dinë shumë mirë këtë problem dhe se si kjo ndikon, të jenë aty me ne. Datë 10 shkurt ju presim në shesh. Sheshi tregon kush është opozita, sheshi tregon se si Edi Rama mundet, sheshi tregon të ardhmen e Shqipërisë.
Faleminderit!






