Autoriteti i Konkurrencës i jep “OK” shitjes së Tring, kush fshihet pas kompanisë “Vertex Holding”
Autoriteti i Konkurrencës ka autorizuar blerjen e platformës së dytë më të madhe të shërbimeve televizive me pagesë në vend, Tring te shoqëria Vertex Holding.
Transaksioni u autorizua pas një procedure të thelluar, motivuar nga mungesa e një informacioni të plotë për të vlerësuar mundësinë reale të blerësit për të ushtruar aftësitë funksionale dhe për të siguruar vijueshmërinë e aktivitetit ekonomik të Tring.
Shoqëria blerëse, Vertex Holding është një kompani e regjistruar në gusht të vitit të kaluar, me objekt shitblerjen dhe kontrollin e aksioneve. Ortak i vetëm i shoqërisë është shtetasi nga Kosova, Valon Shala. Valon Shala është drejtor i përgjithshëm dhe përfaqësues ligjor i Artmotion, operator i shërbimit të internetit dhe IPTV në Kosovë.
Në formularin e njoftimit të përqendrimit, Valion Shala kishte deklaruar se, përveç Vertex Holding, nuk zotëronte shoqëri të tjera të kontrolluara direkt ose indirekt që e ushtrojnë veprimtarinë në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe as shoqëri që e ushtrojnë veprimtarinë jashtë këtij territori, që të kenë pasoja të kësaj veprimtarie që të ndihen në tregun e brendshëm gjeografik.
Ky deklarim ishte një nga arsyet që ndikoi në vendimmarrjen e Komisionit të Konkurrencës, që gjykoi se procedura e thelluar do të mundësonte vlerësimin e aftësive dhe mundësive reale të blerësit për të ushtruar aftësitë funksionale dhe për të siguruar vijueshmërinë e aktivitetit ekonomik të shoqërisë Tring.
Por, në vijim të procedurës së thelluar të hapur nga Autoriteti i Konkurrencës, blerësi, Valon Shala, ka deklaruar se ka në pronësi fundore dy shoqëri në Kosovë, Artmotion, me aktivitet në telekomunikimin kabllor dhe shoqërinë Eurolab, me aktivitet në kërkim dhe zhvillime të tjera eksperimentale në shkencat e natyrës dhe inxhinierike.
Vlera e transaksionit të shit-blerjes nuk është bërë publike, por operacioni do të financohet pjesërisht nga një kredi që blerësi ka marrë në Bankën Amerikane të Investimeve.
Sipas marrëveshjes siguruese të kredisë, huamarrës do të jetë kompania blerëse Vertex Holding, bashkëkredimarrës shoqëria Tring TV, ndërsa dorëzanës do të jenë kompanitë Artmotion, Devolli Corporation dhe biznesmeni Shkëlqim Devolli.
Në vendimin përfundimtar, Autoriteti i Konkurrencës ka argumentuar se shoqëria Tring rezulton një normë fitimi të ulët dhe një kthim nga investimi shumë të ulët. Duke iu referuar çmimit të shitjes së paketave, konstatohet se çmimi i paketave digjitale të ofruara nga Tring janë më të ulëta se DigitAlb, por, sipas Autoritetit të Konkurrencës, indikatorët financiarë tregojnë se Tring nuk është në gjendje të konkurrojë.
Ndërsa pala blerëse ka deklaruar se, nëpërmjet shoqërisë target synon zgjerimin e bazës abonentëve përmes inovacionit në produkt dhe marketing; rritjen e penetrimit të platformës OTT dhe IPTV, partneritete të reja me operatorë rajonalë për shpërndarje të përbashkët, zhvillimin e përmbajtjes origjinale dhe kanaleve të dedikuara, optimizimin e rrjetit të shitjes dhe përmirësimin e përvojës së klientit.
Mbi këtë analizë, Autoriteti i Konkurrencës ka konkluduar se transaksioni i përfitimit të kontrollit të shoqërisë Tring TV nga shoqëria Vertex Holding pritet të ndikojë në rritjen e performancës financiare dhe për pasojë në nxitjen e aftësisë konkurruese të shoqërisë Tring TV në tregun përkatës.
Tring është platforma e dytë e shërbimeve audiovizive me pagesë në Shqipëri. Për vitin 2024, Tring raportoi një xhiro në vlerën e 1.52 miliardë lekëve dhe një fitim neto në vlerën e 13.1 milionë lekëve.
Duke iu referuar të ardhurave të realizuar në tregun e prodhimit transmetimit dhe shitjes në mënyrë digjitale të produkteve audio dhe video, Autoriteti i Konkurrencës vlerësonte se në vitin 2024 Tring zotëronte 31% të tregut në bazë të xhiros, në rënie nga niveli prej 33% i një viti më parë. Ndërkohë, kompania më e madhe, Digitalb, për 2024 zotëronte 69% të tregut, nga 67% një vit më parë. / Monitor






